Kreu i Kulteve fton Papen ne Shqiperi

Kreu i Kulteve fton Papen ne Shqiperi
Kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet fton Atin e Shenjtë, Papa Benedikti XVI, për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë një vizite 3- ditore në Vatikan, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Rasim Hasanaj, i dhuroi Atit të Shenjtë një punim artistik në të cilin paraqitet kisha “Zoja e Shkodrës”, ku Papa Gjon Pali II bekoi gurët e themelit të saj më 25 prill 1993. Papa Benedikti XVI e priti me interes këtë dhuratë. Kryetari Hasanaj e bëri me dije Atin e Shenjtë se populli shqiptar vitin e ardhshëm feston 100-vjetorin e Pavarësisë. Ati i Shenjtë, duke buzëqeshur, shprehu dashamirësi.

Gjatë qëndrimit në Selinë e Shenjtë, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet u prit edhe nga personalitete të larta të Vatikanit, me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, zotit Rrok Logu. Në pritjen me eminencën e tij, kardinalin Jean Louis Tauran, president i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, u shkëmbyen mendime për dialogun, bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare, si një kërkesë e domosdoshme në një botë globale. Në mënyrë të veçantë u vlerësua roli i Shqipërisë si vend model në këtë fushë.

Kryetari Hasanaj theksoi faktin se Shqipëria, si vend nga më të lashtët në Europë dhe të pozicionit të saj gjeografik, ajo ka qenë gjithmonë në udhëkryq të qytetërimeve, kulturave dhe besimeve të mëdha fetare. Shqipëria është një nga vendet e para të krishtëruara, ku ruhen edhe sot dhjetëra kisha paleokristiane. Në qytetin e Sarandës bashkëjetojnë rrënojat e një kishe paleokristiane dhe të një sinagoge të lashtë, dëshmi domethënëse e bashkëjetesës fetare. Janë rreth 250 monumente kulture të periudhave të ndryshme, duke filluar nga lashtësia – kisha, manastire, xhami, teqe, sinagoga etj., që dëshmojnë për një histori fetare shumë të pasur e të larmishme në Shqipëri.

Më tej, kryetari Hasanaj e njohu bashkëbiseduesin me faktin se sot në vendin tonë bashkëjetojnë në paqe e harmoni katër bashkësi fetare tradicionale – Komuniteti Mysliman i Shqipërise, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Përveç tyre, janë të pranishëm edhe ungjillorët, hebrenjtë, si dhe disa besime e grupe fetare që kanë mbërritur pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, siç janë deshmitarët e Jehovait, mormonët, baha’it, Xhemati Ahmedia etj. Shqipëria ka tashmë kuadrin ligjor mbi fenë, i cili krijon hapësirat e nevojshme për ushtrimin e lirisë së besimit për të gjithë. Ajo që mund të thuhet është se pas viteve ’90, kur Shqipëria u çlirua nga regjimi komunist dhe vendi u fut në proceset demokratike, kemi një interesim të jashtëzakonshëm të shoqërisë shqiptare e në veçanti të rinisë, për t’iu rikthyer besimit fetar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama