Aleati i PS rrëfen kontaktet me Ramën: Kemi patur komunikime të herëpasherëshme. Shqetësimi i qytetarëve me bazë reale, Qeveria kurrsesi nuk mund t’i injoronte.
Armët, Meta:Nuk kam qenë pjesë e bisedimeve konkrete.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se shqetësimi i qytetarëve për armët kimike kishte bazë reale. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Meta tha se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Kryeministrin Rama, ndërsa bindja e përgjithshme ishte se mungonin kapacitetet për të kryer këtë operacion.
Ka shumë veta që thonë se qeveria nuk duhet të lëshojë pe nga lëvizjet populiste dhe herë pas here duhet të marrë vendime jopopullore. A mendoni se u krijua një precedent, që gjithnjë qeveria duhet të zbatojë atë që thonë turmat?
Së pari, qytetarët nuk do t’i quaja turmë. Së dyti, nuk mendoj se ky është rasti në fjalë, sepse shqetësimi i qytetarëve ka pasur një bazë reale, i cili nuk ka të bëjë thjesht me mungesën e informacionit (në rast se do të zhvillohej një operacion i tillë: çfarë elementesh do të përfshinte ai? Cilat ishin kapacitetet e Shqipërisë për të ofruar një siguri të plotë?), por ishin disa shqetësime, që kishin ardhur, së pari, për shkak të një propagande mbarëbotërore të një arsenali të frikshëm të armëve kimike të Asadit, gjë që edhe u provua, sepse një përdorim i tyre solli vdekjen e qindra qytetarëve sirianë. Kjo ishte edhe arsyeja pse u kthye ky aksion, i cili ishte një aksion mjaft i rëndësishëm ndërkombëtar. Së dyti, mendoj se ky shqetësim erdhi edhe për shkak se në të kaluarën ne kemi pasur disa shqetësime, disa probleme, siç ishte rasti më flagrant ai i Gërdecit apo edhe raste të tjera të përmasave më të vogla, ku është vënë re që operacione të tilla kërkojnë kapacitete shumë të fuqishme për të pasur një siguri të plotë. Pra, nuk mund të themi se ka qenë një shqetësim pa baza. Kështu që, në këto dy drejtime, mendoj se qeveria kurrsesi nuk mund t’i injoronte këto shqetësime, për më tepër që edhe vetë, me sa duket, ka ekzistuar një bindje e përgjithshme, që kapacitetet tona nuk kanë qenë plotësisht të mjaftueshme apo të sigurta, për të garantuar një siguri absolute të një operacioni kaq delikat.
Ju mendoni se ne nuk i kemi kapacitetet e duhura? Përse nuk u tha që në fillim “Jo”?
Sepse gjithmonë ka qenë mendimi dhe ideja për të ndarë përgjegjësitë në këto aksione të përbashkëta ndërkombëtare, si dhe për të shqyrtuar mundësinë, shkallën dhe mënyrën e këtij kontributi. Pra, është gjëja më e lehtë të thuash jo, por, me sa duket, Kryeministri Rama, në linjë konsistente me politikën e Shqipërisë për të kontribuar për paqen dhe për sigurinë e botës, sikurse Shqipëria vazhdon të kontribuojë mjaft seriozisht në luftën kundër terrorizimit, duke qenë se kjo ka qenë çështje e hapur edhe nga OKB-ja, edhe nga partnerët tanë, ka shqyrtuar të gjitha mundësitë, hapësirat se si dhe se sa mund të kontribuonte Shqipëria.
Në çfarë rrethanash e morët vesh ju që Shqipërisë i ishte propozuar demontimi i këtyre armëve?
Nuk kam shumë dëshirë të bëj komente të tilla. Nuk mendoj se ky është ndonjë element shumë i rëndësishëm, për më tepër që Kryeministri Rama, para se të komunikonte vendimin apo vlerësimin e tij dhe të qeverisë për këtë çështje, bëri një parashtrim të të gjitha arsyeve, mundësive që…
A ka kontaktuar zoti Rama me ju personalisht?
Ne kemi pasur komunikime të herëpashershme. Mua m’u bë e ditur që ka pasur një interes për të përfshirë edhe Shqipërinë në një përpjekje të tillë ndërkombëtare. Përpjekja ka qenë publike. Natyrisht, vullneti ka qenë një angazhim i Shqipërisë në përputhje me mundësitë që ajo mund të kontribuojë, por jo jashtë mundësive të saj.
A ka një ndryshim vizioni midis jush dhe zotit Rama, për sa u përket mundësive? Ju këmbëngulnit që Shqipëria do të mbajë aq sa i mbajnë shpatullat e saj, ndërkohë që zoti Rama kurrë nuk i ka vënë në dyshim kapacitetet e Shqipërisë për ta kthyer këtë operacion. Ai paraqiti dy shkaqe për refuzimin: E para, sepse një vend tjetër ose dy vende të tjera nuk u përgjigjën në kohë. E dyta, protesta popullore, por ndërkohë kapacitetet e Shqipërisë nuk i vuri asnjëherë në dyshim.
Së pari, unë mendoj se fakti që janë bërë diskutime të vazhdueshme, do të thotë që këto kanë qenë rezultat i ndërgjegjësimit se ne nuk i kishim kapacitetet për të marrë përsipër përgjegjësi të tilla. Nëse kjo gjë do të merrej përsipër, do të thoshte një sigurim i kapaciteteve edhe nga jashtë. Kështu që besoj se këtu ka një përputhje të qartë të qëndrimit dhe të vlerësimit tonë për çështjen e kapaciteteve. Në qoftë se ne do të ishim të bindur se Shqipëria i kishte këto kapacitete, nuk do të kishte asnjë arsye që të mos e merrnim këtë përgjegjësi. Ashtu sikurse ka qenë një vendim i përbashkët që, në çdo rast, mbetjet e këtyre lëndëve, pas deaktivimit të tyre, nuk duhej të depozitoheshin në Shqipëri.
Ju e kishit marrë këtë garanci? Pra, që këto mbetje do të zhvendoseshin?
Nuk mund të flas, sepse unë nuk kam qenë pjesë e diskutimeve konkrete, por e di shumë mirë që edhe Kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i bindur se ky proces nuk i takonte Shqipërisë.
Ju jeni i informuar para se kjo çështje të bëhej publike, para se 4-5 ambientalistët e parë të dilnin te Piramida?
Unë kam qenë në dijeni prej disa kohësh të një propozimi për të përfshirë Shqipërinë, sikurse edhe vende të tjera, në një proces të tillë.
Mund të themi se këto negociata janë zhvilluar mes Kryeministrit Rama dhe ambasadorit Arvizu?
Nuk mund të hyj në detaje, sepse këto nuk më takojnë mua. Zoti Rama ka dhënë shpjegimet e tij publike, ambasadori i nderuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë shpjegimet e tij publike. Këto kanë qenë shkëmbime të mendimeve, të ideve, të shqetësimeve të të dyja vendeve partnere, shqetësimi ka qenë i përbashkët dhe mendoj se qëndrimet kanë qenë mjaft pozitive nga të dyja palët.
A e menaxhuan mirë ata situatën, të paktën në raport me opinionin publik? Ku gabuan? Çfarë duhet të kishin bërë ndryshe?
Nuk mendoj se kjo çështje ka të bëjë me menaxhimin e situatës, me opinionin publik. Opinioni publik kishte disa shqetësime bazë, themelore, aq sa, dhe sikur të jepeshin garancitë më të mëdha, përsëri do të ishte shqetësuar, do të ngrysej e do të gdhihej i shqetësuar. Unë mendoj se ky ishte një vendim i natyrshëm për të gjithë ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve.