Kreu i eskortes se Metes aksidenton 19-vjecarin PD akuzon policine per fshehje

Kreu i eskortes se Metes aksidenton 19-vjecarin, PD akuzon policine per fshehje

Një aksident me vdekje, i shkaktuar nga kreu i grupit të shoqërimit të Ilir Metës, i cili është arrestuar nga Policia e Durrësit, ka shkaktuar një përplasje mes Partisë Demokratike dhe Ministrisë së Brendshme, pasi opozita akuzon për fshehje të krimit, duke pretenduar se ngjarja është kryer nga eskorta e Kryetarit të Kuvendit dhe është mbajtur e fshehtë me dashje nga policia. Por, Ministria e Brendshme ka reaguar menjëherë, duke sqaruar se aksidenti është pasqyruar nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, e cila ka nën juridiksion zonën ku ka ndodhur dhe se oficeri i Gardës ka qenë me makinë private dhe nuk është përfshirë në një ngjarje të tillë eskorta e Kryetarit të Kuvendit. Reagimi i MB-së është përforcuar edhe nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka ndjekur nga afër aksidentin dhe ka kryer veprimet procedurale.

Akuzat e opozitës

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, tha se ngjarja ka ndodhur dy net më parë, rreth orës 22:00, në fshatin Bilal të Bashkisë Manëz, kur eskorta e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ka përplasur për vdekje Marsel Lohjan, 19 vjeç, të cilit iu dha pardje pasdite lamtumira e fundit. “Ky aksident vdekjeprurës, u kthye menjëherë në një ngjarje të rëndë kriminale, pasi për 48 orë, Ilir Meta arriti ta fshehë ngjarjen, duke u përpjekur të mbyllë punët me policinë, prokurorinë dhe familjen e viktimës. Asnjë media nuk raportoi lajmin. Askush nuk foli rreth kësaj ngjarjeje”, deklaroi Vorpsi. Sipas zëdhënëses së PD-së, “përpjekja për të varrosur faktet, të vërtetën, është akt mafioz, është një sjellje prej Pinoçeti, ku jeta e një njeriu nuk ka vlerë, ku me para dhe me forcën e pushtetit, mund të blesh gjithçka. Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencë për aksidentin e dy netëve më parë të eskortës së Kryetarit të Kuvendit dhe të informojë publikun për këtë ngjarje. Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë rrethanat e ngjarjes, dhe të bëjë sa më shpejt drejtësi. Ne i kërkojmë medias të hedhë dritë mbi faktet dhe mbi arsyet pse ky aksident që mori jetën e një 19-vjeçari nuk është raportuar. Partia Demokratike i kërkon Ilir Metës të kërkojë ndjesë publikisht për këtë sjellje të turpshme dhe revoltuese, me të cilin ai ka fyer secilin nga ne duke u përpjekur të fshehë e të varrosë vdekjen e një 19-vjeçari. Jeta e Marselit, jeta e çdo qytetari shqiptar, është njësoj e rëndësishme sa jeta e çdo zyrtari në këtë vend, qoftë ai edhe Kryetari i Kuvendit”, deklaroi Vorpsi.

Reagimi i Tahirit

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila deklaroi se eskorta e Kryetarit të Kuvendit nuk është përfshirë në asnjë aksident rrugor. “Deklarata e PD-së për fshehjen e një aksidenti është tërësisht e pavërtetë. Në komunikatën e përditshme të Policisë së Qarkut Durrës, datë 7 korrik 2014, faqja 3, me numër rendor të ngjarjes 17, publikuar dhe shpërndarë për të gjitha mediat, është përfshirë arrestimi i shtetasit Kastriot Braho, 43 vjeç, pasi ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin Marsel Lohja, 19 vjeç, banues në Maminas. Prokurori Ilir Turja ka drejtuar dhe ndjekur të gjitha veprimet procedurale, që nga momenti kur është marrë njoftimi për ndodhjen e aksidentit. MPB-ja sqaron se shtetasi Braho, oficer pranë Gardës së Republikës, në momentin e ngjarjes nuk ka qenë me shërbim. Braho ishte duke udhëtuar me automjetin e tij personal me targa AA 067 JP dhe nuk ka qenë në ushtrim të funksioneve të tij. Me marrjen e njoftimit për arrestimin e Brahos, Garda e ka pezulluar nga detyra, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet nga Ministria e Brendshme.

Reagon PD-ja

Por, Partia Demokratike nuk është kënaqur me përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, duke ngritur disa pyetje të dyshimta për këtë aksident. “Si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit, paska qenë duke qarkulluar privatisht në një segment që të çon e të sjell nga Gjiri i Lalëzit, një itinerar i bërë shpesh nga z. Meta? Si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit ka qenë duke lëvizur privatisht ditën kur z. Meta ka qenë në plazhin e Lalëzit dhe është parë gjatë gjithë kohës atje nga dëshmitarë okularë? Ngjarja e dy netëve më parë dhe fshehja e lajmit janë sjellje kriminale. Reagimi i sotëm i Ministrisë së Brendshme synon sërish fshehjen e ngjarjes. Ky reagim është gjithashtu kriminal”, tha Vorpsi.

Prokuroria

Po ashtu ka reaguar edhe Prokuroria e Durrësit, e cila tha se është arrestuar një 43-vjeçar nga Tirana, shkaktar i një aksidenti me vdekje. Sipas prokurorisë, “Kastriot Braho ka qenë duke udhëtuar në aksin rrugor Maminas–Manëz, kur rreth orës 21:45, në vendin e quajtur Bilalas, përplasi një 19-vjeçar me automjetin e tij, tip “Benz”, me targa AA 067 JP. Si pasojë e përplasjes, i riu nga Maminasi ndërroi jetë”, thuhet nga prokuroria. Organi i akuzës tha se ka nisur hetimet për shkakun e aksidentit dhe pritet që brenda dy ditëve, 43-vjeçari Braho të dalë para gjykatës, për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi. Prokurorët thanë se arrestimi i Brahos është bërë në flagrancë, pasi ka pritur në vendngjarje mbërritjen e forcave të policisë dhe më pas është shoqëruar për në komisariat, ku ka treguar edhe dinamikën e ngjarjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama