Në total në gjashtë vitet e fundit janë zhvilluar tre procese zgjedhore të përgjithshme apo administrative. Sipas statistikës zyrtare të gjyqësorit gjatë këtyre tre proceseve të shoqëruara edhe me raste të zgjedhjeve të pjesshme, janë proceduar në total për krime dhe kundravajtje penale në procese elektorale shtatëdhjetë e pesë raste me nëntëdhjetë e gjashtë autorë të shpallur fajtorë me vendim të formës së prerë. Dënimet janë dhënë kryesisht më gjoba të cilat në të shumtën e rasteve shlyhen nga partitë politike në emër të komisjonerëve të emëruar po prej tyre. Open Data Albania hulumton se proceset për zgjedhje administrative shënojnë më shumë kriminalitet elektoral se proceset për zgjedhje të përgjithshme. Kështu në vitin 2007 procesi zgjedhor për pushtet lokal u shoqërua me pesëdhjetë e pesë procedime penale sipas Kodit Zgjedhor kundrejt vetëm pesë procedimeve të këtij lloji të realizuara pas procesit zgjedhor të 2005-ës.
Çfarë përbën krim elektoral. Vëllimi dhe dinamika e procedimeve penale për veprime që lidhen me procesin elektoral janë një indikator që tregon mbi cilësinë dhe garancitë e parimeve të lirisë politike në një shtet. Nga ana tjetër statistikat mbi çështje penale të iniciuara për veprime që lidhen me abuzime në detyra të administrimit zgjedhorë, tregojnë se sa i rregullt dhe i besueshëm është një proces elektoral. Vepra penale dhe kundravajte penale përbëjnë veprimet e parashikuara në nenet si vijon të ligjit penal: Neni 325 Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese; Neni 326 Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve; Neni 327 Shkelja e fshehtësisë së votimit; Neni 328 Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve; Neni 329 Kanosja e zgjedhësit; Neni 330 Kanosja e kandidatëve; Neni 331 Shkelja e së drejtës së zgjedhjes; Neni 332 Shpërdorimi i autoritetit ushtarak. Procedimet penale iniciohen edhe me bazë Kodin Zgjedhor për veprime si votimi më shumë se një herë apo braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve. Ky veprim përbën edhe rastin më të shpeshtë të procedimeve dhe një veprim të pritshëm e të paralajmëruar për datën tetë maj.
Per artikuj me interesant ju lutem vizitoni faqen - http://open.data.al/