Krimet e komunizmit ne trasten e qeverise

Krimet e komunizmit ne trasten e qeverise
Kur vjen 20 shkurti një histori për djallin e kuq tregohet. Qeveria shqiptare i kushton  rëndësi krimeve të komunizmit prej vitit 1996 kur në Muzeun Historik Kombëtar hapet “Pavijoni i Genocidit Komunist”. Hiqet pavijoni i ndërtimit socialist apo shtetit të ri shqiptar, rishikohet periudha e Luftës Çlirimtare, korrigjohen datimet kronologjike, reduktohen citatet e propagandës dhe shtjellimet politike, lëvizje që kryhen me vendim qeverie në vitin 1992. Objektet e kësaj periudhe me heronj të heshtur, arkivohen në fondin e Muzeut dhe një pjesë e sipërfaqes së lirë plotësohet me ekspozitën mbi krimet e komunizmit. Nuk ngre ndonjë peshë ky pavijon për nga pasuria e objekteve. MHK ka në gjendje ekspozimi afro 4750 objekte, ndërsa Pavijoni i Genocidit vetëm 136 objekte. Është një e metë sot e kësaj dite e muzeologjisë sonë që në vend të objektit autentik përdor ose imtimin e tij, ose e zëvendëson me tekste e citate propagandë. Ky pavijon ekziston deri në vitin 2008.

Qeveria me kryeministër Sali Berishën në janar 2009 i kërkon ministrit të Kulturës përgatitjen brenda një muaj përsëri të një pavijoni për krimet e komunizmit. Tani, ndryshe nga viti i largët ’96, duhej përmbushur një kërkesë përballë Këshillit të Evropës. Historia po ajo ishte, mënyra e tregimit duhej të ndërronte. Më 20 shkurt 2009 hapet në MHK ekspozita “Nderim viktimave të sistemit komunist”. Ajo datë, përfaqëson sot, sërish me vendim të qeverisë (së djathtë), ditën e antikomunizmit. Më 20 shkurt 1991 në Sheshin Skënderbe në Tiranë ishte rrëzuar shtatorja e Enver Hoxhës, dhe bashkë me të kishte rënë edhe regjimi i tij, i instaluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Nderim viktimave të sistemit komunist” futi për herë të parë në përdorim materialin filmik dhe audio, duke ndryshuar diçka në formën rrëfimtare të muzeologjisë sonë problematike. Duhej lënë mbresë. Dhuna duhej thirrur me emrin e vet. Jepej kështu në mënyrë kronologjike instalimi me dhunë i sistemit, ato pak rezistenca të fillimit, kryengritja antikomuniste e Postribës, burgjet, kampet e punës në Spaç, Burrel, Tiranë. Foto të atyre mijërave që kalonin hetuesinë, dënoheshin në gjyqe popullore, në gjyqe ushtarake, e që i përkitnin inteligjencës, klerit mysliman, bektashi, katolik e ortodoks, apo thjesht familjes dhe shtëpisë së secilit, filmime nga dënimet kapitale, delirin e kongreseve, turmat të përfshira në shkatërrimin e objekteve të kultit dhe në gjyqet e hapura. Fotot e të vrarëve në përpjekje për të kaluar kufirin në vitin 1990-1991, përbri dokumenti i firmosur nga presidenti Ramiz Alia, sipas të cilit kalimi i kufirit dënohej me punë të detyruar ose me pak vjet heqje lirie, mbyllnin rrëfimin e krimeve të komunizmit.

Ekspozita mendohej të ishte pika e nisjes për një muze të anti-komunizmit brenda muzeut të madh historik. Asnjëherë termi nuk ka gjetur rehat. Sepse askush nuk po merrej me këtë histori nisur nga objektiviteti shkencor, po prej militantizmit politik. Grupet e punës vazhdimisht kanë ndërruar dhe gjithnjë u kanë munguar muzeologët profesionistë. Për shembull, personi që ka luajtur rolin e arkitektit të pavijonit që u hap dje, është studiues i banesave qytetare pranë IMK.

Me sendet që u mblodhën nga ekspozita e 2009-ës u rihap dje “Pavijoni i terrorit komunist”, me sfond të njëjtin himn muzikor, “Kështu foli Zarathustra” i Rikard Shtrausit. Me të njëjtat fjalë të të njëjtit kryeministër që e kurorëzon 20 shkurtin si datën e fitores jo mbi statujat e bronzit, por mbi statujat e gjalla. Sepse “Pavijoni i Terrorit Komunist” “është premtim i qeverisë për të burgosurit politikë”, thotë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Luan Malltezi si të ishte një i zgjedhur që ka pambushur premtimet e elektoratit e jo si shkencëtari në pozitën e historianit. Ai e quan këmbëngulje të qeverisë shqiptare prej vitit 1996 “për të paraqitur politikën ndaj të persekutuarve politikë”. “Është punuar në ekip, mbi bazën e materialeve që vijnë edhe një herë nga arkivat e shtetit, që vijnë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.” Si përfundim Malltezi beson që ky pavijon ka marrë një pamje mjaft të mirë. E megjithatë, sikur të ishte i ftuar në ndonjë studio televizive, ai diskutimin e kësaj pune e lë në ajër. “Dihet që ka pasur një numër shumë të madh të të dënuarve politikë. Këtu kemi paraqitur disa figura, por në ekranet që kemi në sallë, ne mendojmë të shkruajmë për secilin të persekutuar, e me këtë rast i bëjmë thirrje të afërmve të të persekutuarve politikë dhe atyre vetë, të sjellin të dhëna për secilin prej tyre. Pra do të jetë gjithmonë e më i plotë.”

Si mundet të inaugurohet një pavijon “mjaft i mirë” e të vazhdosh të fusësh objekte e dëshmi nga dera, me vullnetin dhe përligjjen e një të drejte të të persekutuarit politik?

E aty për aty, shton Malltezi historian i Mesjetës: “të persekutuarit politik duhet të kenë muzeun e tyre të veçantë”, e përforcon kësisoj idenë se e gjitha kjo është një daulle e qeverisë e cila ishte dje në Muzeun Historik Kombëtar me pothuajse gjysmën e efektivit, pa harruar, eksponentë të rëndësishëm të partisë si kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli.

Nuk e bën më pak politik aktin, prania për dekor e përfaqësuesve të klerit. Historinë e tyre nën diktaturë ky pavijon e zverdh. Dervishë e monsinjorë dëgjuan argumentet e ministrit të Kulturës Aldo Bumçi se kur e arrin individi maturinë për dialog me institucionet e kujtesës. “Gjatë këtyre viteve nuk i kemi ngritur institucionet e kujtesës kombëtare sepse të përndjekurit kanë qenë monumente të gjalla në shoqërinë tonë, nëpër rrugët e qyteteve dhe të fshatrave tona. Ata kanë qenë gjallë prandaj nevoja për të ngritur institucione të kujtesës nuk ka qenë kaq e madhe. Koha bën të sajën. Kjo shoqëri ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër në Lindjen Komuniste të ngrejë tempuj të kujtesës kombëtare për të kujtuar si përndjekjen edhe rezistencën ndaj shtypjes.” Në përmbushjen e planit njëvjeçar për ngritjen e të tjerë muzeve të terrorit komunist, ministri Bumçi përmend ecurinë e punimeve për muzeumin e torturës në Shkodër, përfundimin e projektit për kthimin në muze të kampit të Spaçit, dhe fillimin e punës për përcaktimin e një zone internimi, për të ngritur një muze për “qindra mijëra shqiptarë që kaluan jetën në kampet e internimit”. Bumçi premtoi se ministria e tij do të vazhdojë të mbështesë monografi dhe botime “të cilat dokumentojnë këtë periudhë të dhimbshme të së kaluarës sonë”.

Ministri tha këto dhe u kthye në vend. Kryetarja Topalli i rrahu lehtë shpatullat në shenjë përgëzimi dhe i tërhoqi vëmendjen truprojave të vënë (pash zotin) qetësi në sallë ku interesi ka rënë fare.

Dhe kryeministri Sali Berisha e merr fjalën ku e ka lënë, më 20 shkurt 2009. Pra: “Nderojmë një datë që ndan dhjetëvjeçarët e poshtërimit më të panjohur në tërë historinë kombëtare që shqiptarët përjetuan gjatë diktaturës komuniste, një datë në të cilën ata vendosën me një kurajo, me një guxim me një vendosmëri të pabesueshme të përmbysin jo bronzin metalik, por bronzet e gjalla të cilat vite pasi kishte vdekur diktatori, vazhdonin me vendosmëri, me krenari kriminale, rrugën e tij.” Tablo mbi paralelet Enver-Hitler që evokojnë në sallë thirrjet e mitingjeve të hershme në Sheshin Skënderbe, hyjnë te përshkrimet e kryeministrit. Ai nuk e kishte parë akoma ekspozitën ndërsa fliste ç’përmbante ajo. Ishte kaq i sigurt që aty do të gjente veten më se një herë, që shëmbëlltyra e tij si njeri që beson te Zoti, te liria dhe familja e qytetëruar evropiane, shkrihej te gjithë ata të sakrifikuar që kishin besuar në Zot, në liri dhe në Evropë. “Në stendat e kësaj ekspozite ne do njihemi këtu sot me qëndresën sakrificën, heroizmin, e qindra grave dhe burrave, të cilët u flijuan vetëm e vetëm se ata njëlloj si ne besonin tek Zoti, njëlloj si ne donin të flisnin të lirë, njëlloj si ne donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës, të bashkohej me familjen e kombeve të qytetëruara evropiane.” Në pjesën e fundit fjala e kryeministrit përshkruan një muze imagjinar e viktima imagjinare apo ajo çka që do të ishte prezantim i tërë shtatit të diktaturës e që ky pavijon nuk do ta nxinte. “Në këto stenda mungojnë qindra dhe mijëra heronj të pakënduar siç thotë një poet, të cilët vdiqën në moshën më të njomë, e ndoshta edhe në barkun e nënës së tyre, e ndoshta në të gjitha moshat, nga uria, nga sëmundja, nga vuajtja. Vërtet në Shqipëri numërohen 48 kampe përqendrimi, por ata e dinin mirë se në fshatrat nga kishin ardhur, kishin lënë një kamp tjetër përqendrimi ku vëllezërit dhe motrat e tyre punonin si skllevër gjithë ditën për të marrë gjithsej një copë bukë misri dhe për të ecur të sigurt drejt vdekjes së parakohshme dhe sëmundjeve të lidhura me urinë kronike.” Po të donim t’i merrnim këtij përshkrimi të kryeministrit një kuptim, kjo do të kishte lidhje me idenë e një muzeu të diktaturës së përditshme, që tregon se si njerëzit kanë jetuar nën komunizëm, si janë ushqyer, shkolluar e indoktrinuar, si janë bërë ushtarë e spiunë, si nuk janë bërë spiunë dhe janë dënuar, si janë dënuar dhe kanë rezistuar dhe si kjo rezistencë – sado pak rezistencë, se jo e gjithë fara u kalb – mund t’ju tregohet të rinjve pa rënë në kontradiktë muzetë me tekstet e shkollave dhe librat e historisë.

Por kryeministri është i pafuqishëm të tregojë të tillë histori: “Çfarëdo që të bëjmë ne sot e kemi të vështirë t’i shpjegojmë brezit që vjen prapa ato që përjetoi vendi i tyre”, tha ai dje. E sa më shumë e shkëput veten ai nga realiteti i Pavijonit të Terrorit Komunist, aq më thellë bie në revanshin politik, qëllim i gjithë këtij përdorimi të përmbysur të historisë: “Sot nuk mund të mos theksoj se pasardhësit e bunkerit që ne përmbysëm 21 vjet më parë, nuk kanë shprehur për as dhe një moment pendesën e tyre. Ata kanë uzurpuar kreun e partisë kryesore opozitare të vendit dhe kanë rikthyer bllokun me të gjithë psikologjinë e tij, me mburrje, me rrahje gjoksi. Këta shokë apo zotërinj, bllokuan për dy vite me radhë, procesin e integrimit, se interesi i tyre është dhjetëra herë më parësor se interesi i qytetarëve. Edhe këta si të gjithë paraardhësit e tyre do të kenë ndëshkimin e merituar.”

Nëse procesi i integrimit nuk përmbushet, nëse ndonjë i përndjekur politik do ta derdhë zemërimin në nofullën e një anëtari të qeverisë, si do ta quante qeveria pavijonin e radhës për krimet e komunizmit?

Procesi i punës

Pavijoni i Terrorit Komunist është ngritur në po atë hapësirë 360 m2 të katit të dytë të Muzeut Historik Kombëtar ku ka ekzistuar Pavijoni i Genocidit. Grupi i punës përbëhej nga: Enver Kushi, Latif Lazimi, Sotirulla Hoxha, Fredi Gusho, Sali Kadria, Ilir Gusho, Fatmir Boshnjaku, bashkë me Agim Mustën, përfaqësues i Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe Kastriot Dervishi, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka financuar 5 milionë lekë për këtë projekt.

Bedri Blloshmi: Ky është show politik

Bedri Blloshi është një dëshmitar i krimeve të komunizmit me pasoja tragjike për familjen Blloshmi. Ai ka folur shumë herë për këtë gjë, më shumë për të mbajtur gjallë kujtimin e të vëllait të pushkatuar, Vilson Blloshmi, portreti i të cilit, përkrah të të pushkatuarve të tjerë poetë, Trifon Xhagjikan e Genc Leka, është përfshirë në një kënd të Pavijonit të Terrorit Komunist.

Bedri Blloshmi ka botuar së fundi librin “Rrëfime nga ferri komunist” (Almera 2011) ku përshkruan ndër të tjera mjetet e dhunës në burgje. Në Pavijonin e Terrorit Komunist janë ekspozuar edhe objekte që mund të kujtojnë torturën dhe terrorin por nuk janë objekte autentike, me vlerë historike. Biseda nis nga eksponati i mjeteve të torturës ku dominojnë zinxhirë të çfarëdoshëm, te qelia e imituar.

Janë origjinale këto objekte të torturës?

Prangat gjermane po, çelësat janë i rinj. Nuk përdorej ky tip.

Cilat nga këto pranga ishin më të rëndat?

Gjermanet.

Po litari?

Litari është i tanishëm. Në vend të litarit mungon teli me gjemba, nga ai i Kavajës.

E njihni këtë tip regjistri, “Masat disiplinore – Izolimi”?

Duhet të jetë për administratën e burgjeve.

Po këtë tip shkopi gome, e njihni?

Është një imitim.

A ka një gjë origjinale te kjo stendë?

Vetëm hekurat.

Domethënë mjetet e torturës që shohim nuk janë këto?

Jo, jo, jo.

Çfarë mungon?

Mungon pafta e hekurave që është me pika saldimi nga brenda. Kjo bëhej pikërisht për këtë punë, për torturë. Kur shtrëngoheshin hekurat ajo hynte deri në mish.

Këtu s’ka dru. Drutë që përdorën për të rrahur njerëz në Qafë Bari.

Atëherë kalojmë pak te stenda e Qafës së Barit.

Shikoni këto portrete. Këtij ia kanë nxjerrë syrin nga e rrahura me dru. Kur hyra në dhomë sepse më kish ardhur radha për t’u rrahur, dhoma ishte plot me gjak. Drutë u rrëshqitshnin policëve nga gjaku. Këtij që i kanë nxjerrë syrin e kanë pushkatuar me një sy. Trupa e tyre i gjeta në Shkodër.

Është e plotë kjo pjesë për të paraqitur revoltën e Spaçit e të Qafë Barit?

I kanë ngatërruar, kjo pjesë që i takon historisë së Spaçit e kanë vënë si të Qafë Barit. Ka të tjerë të vrarë në Spaç.

(Bedriu bën një bilanc të shpejtë të portreteve) Këta janë të arrestuarit. Ky ka vdekur; ky është i paralizuar; këtë e kanë vrarë; këtë s’e di ku është; ky është në Greqi; këtë e kanë vrarë; ky është gjallë po në Fushë Krujë; ky është polic burgu.

Unë po bëj një libër për revoltën e Qafës së Barit.

Është e saktë lista me 24 pjesëmarrësit në revoltën e Qafë Barit?

Jo. Gjysma e tyre u ka dalë dëshmitarë shokëve. Gjysmat bashkëpunuan me policinë dhe u liruan. 12 vetë u dënuan.

Këto enë?

Gota e çajit është pikërisht kështu, tenxherja po. Këtu mungojnë objektet e hetuesisë. Mungon tavolina dhe karrigia e betonuar. Biruca është gjithashtu imitim.

Kalojmë pak tek qelia?

Biruca duhet të jetë më e ngushtë. Dritarja nuk vihet këtu, por lart që të mos e arrijë i dënuari, llampa rri e futur në mur, me shufra hekuri që i burgosuri të mos bëjë vetëvrasje. Në birucë të lidhnin duar e këmbë.

Shkrime të këtij lloji “Rroftë Shqipëria e lirë’ mund të kishte?

Jo jo. Këto janë përralla. Autorët e ekspozitës supozojnë që të burgosurit mund të kenë shkruar me gjak. Edhe mund të ketë gjëra të tilla…

Kokorja?

Nuk është kokore e vërtetë kjo. Kokorja e dënimit që i vihet të dënuarit me vdekje siç më ka ndodhur mua, ka sfondin e zi, sipër ka hartën e Shqipërisë të bardhë.

Batanijet janë në rregull në këtë mënyrë, e hapur përtokë?

Batanija rri e palosur, sepse nuk të lë polici të ulesh në batanije.

Shapkat?

Shapkat nuk lejohen brenda… Pagurja e shurrës është ajo.

Dera me këtë të çarë është “korrekte”?

Vetëm se duhet një shufër hekuri në mes, përndryshe mund të mendohet që i dënuari mund të fusë dorën e të hapë derën.

Është riprodhur si duhet rregullorja e brendshme e dhomës së izolimit? (lexojmë)

I burgosuri duhet të zbatojë këto rregullore, orarin dhe regjimin e burgut; I ndalohet të lexojë çdo lloj shkrimi me përjashtim të atyre që i lejon hetuesia; I ndalohet të flasë me zë të lartë; të komunikojë me dhomat fqinje; të argëtohet me këngë; i ndalohet të mbajë ushqime, ndërresa, përveç veshjeve trupore, batanijeve të fjetjes; I lejohet një pagurë plastike për urinim, për ujë të pijshëm, një pako biskota, 10 cigare të hapura, dokumente të akuzës dhe dënimit dhe asgjë tjetër; për nevoja personale nxirret në banjë tre herë në ditë (mëngjes, drekë, darkë), ajrosja bëhet me urdhër të veçantë; i izoluari duhet të flejë prej orës 21.00-05.00; duhet të mbajë rregull dhe pastërti. Firmosur nga komisari, komandanti.

Nga të gjitha këto biskotat nuk lejoheshin dhe as cigaret, që t’i ndizte gardiani.

Si ju duket e gjitha kjo ekspozitë?

Një pjesë e krimit komunist. Janë 5 mijë e ca vetë të zhdukur pa fotografi, pa gjë. Unë për shembull xhaxhanë që ka vdekur në burg s’e shoh këtu, as babanë që ka qenë në burg s’e shoh. Ky është një show politik.

Ju i dëgjuar fjalimet?

Jo. S’merrem me komunistët unë. Të dëgjoj sekretarin e partisë që bën luftë klase? Sot të gjithë ata që erdhën janë bijtë e atyre që vranë këta njerëz. I ka akoma në qeveri. Ky është show për ndërkombëtarët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama