Beteja e radhës në emër të shëndetit që kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michel Bloomberg, ka ndërmarrë, ka një emër të vetëm: kripa. I bindur se qeveria federale po bën shumë pak për t’i ndaluar amerikanët, kryetari miliarder i Nju Jorkut prej kohësh ka ndërmarrë një betejë personale kundër faktorëve më të rrezikshëm të jetës së përditshme.
Në fillim e nisi me cigaret, duke imponuar një taksë ekstra që e çonte çmimin e tyre në nivele të paimagjinueshme, 6 euro për paketë, pastaj iu drejtua yndyrave të modifikuara gjenetikisht që përmbajnë llojet e ndryshme të patatinave, duke i detyruar fast-food-et vendase të tregojnë mbi përmbajtjen kalorike të pijeve dhe pjatave që ofrojnë në menytë e tyre me shpresën e madhe për uljen e shifrës së frikshme të obezitetit. Pjesa më e madhe e patatinave dhe pijeve përmbajnë kripë. Për më tepër, shumë pak nga rreth 2 mijë të intervistuar rreth kësaj teme e dinin se ëmbëlsirat mund të përmbajnë më shumë kripë sesa patatinat, madje më shumë se ato që konsiderohen pikante.
Pak ditë më parë, Bloomberg prezantoi fushatën e re për të reduktuar me 20 për qind brenda pesë vjetëve sasinë e kripës të përdorur nga restorantet apo ndërmarrjet e prodhimit të produkteve të gatshme ushqimore. “Çdo ditë konsumojmë dyfishin e sasisë së kripës të sugjeruar nga ekspertët”, shpjegon Thomas Farley, përgjegjës për shëndetin, të cilit Bloomberg i ka deleguar iniciativën e re. “Përdorimi pa karar i kripës ka pasoja negative mbi tensionin e gjakut dhe shton shumë rreziqet për hemorragji cerebrale dhe atak kardiak”. Sipas llogaritjeve, 23 mijë njujorkezë vdesin çdo vit nga shkaqe të tilla, ndërsa për të gjithë Amerikën kjo shifër shkon në 800 mijë. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se vetëm 11 për qind e kripës që konsumojnë amerikanët lidhet me gatimin ushqimeve të momentit, sepse 80 për qind e saj merret përmes ushqimeve të konservuara. Duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera si Britania e Madhe, Australia dhe Zelanda e Re dhe në koordinim me 25 qytete të tjera amerikane, programi kundër kripës në Nju Jork i fton prodhuesit të ulin gradualisht dozën e saj në mënyrë që të mos ndryshojnë menjëherë zakonet e konsumatorëve.
Ushqimet janë ndarë gjithsej në 61 kategori ku për secilën prej tyre janë fiksuar objektiva të ndryshëm, që shkojnë nga 20 për qind kripë më pak tek ushqimet shumë të preferuara për fëmijë, te 25 për qind për bukën dhe produktet e brumit deri në shifrën 40 për qind për perimet e ngrira dhe drithërat që përdoren për mëngjes. Brenda vitit 2014, asnjë hamburger i shitur në Nju Jork nuk do të përmbajë më shumë se 1200 miligramë kripë. Në ndryshim nga e kaluara, disa kompani shumëkombëshe (si ConAgra Foods) dhe disa kompani supermarketesh (si A&P) janë kënaqur me nismën e re të ndërmarrë nga Bloomberg. Kompania “ConAgra” që shet ushqime të përgatitura dhe pjata të ngrira, ka premtuar se do të përdorë rreth 5 mijë tonë kripë më pak çdo vit. “Është një program në dobi të shëndetit tonë dhe shpresoj që furnizuesit tanë do ta respektojnë”, ka komentuar Douglas Palmer, zëvendëspresident i rrjetit “A&P”.
Po ashtu edhe 23 mijë fast-food-et në vend janë zotuar se do të ndjekin të gjitha rregullat e ndërmarra për këtë çështje. Por, edhe këtu skeptikët nuk mungojnë. Le ta nisim nga “Campell Soup”, gjiganti i prodhimit të supave të konservuara që kujton vështirësitë për të caktuar doza të njëjta për të gjithë konsumatorët. Rezistenca e Capmell evidenton problemin kryesor të betejës së Bloombergut: ndryshe nga duhani, nga kaloritë apo yndyrat e përpunuara, fushata kundër kripës ka nevojë për bashkëpunimin e industrive kombëtare, të cilat nuk kanë aspak dëshirë të ndryshojnë metodat e prodhimit vetëm për të kënaqur tregun e Nju Jorkut. Por kryetari që sapo ka nisur mandatin e tretë nuk trembet aspak. Për momentin programi kundër kripës është vullnetar dhe mendohet që pas disa muajsh të nisin verifikimet. Por askush nuk e përjashton mundësinë që në rast të një bashkëpunimi të dobët të industrisë dhe restoranteve Bloomberg vendos ta bëjë të detyrueshme dhe jo fakultative, betejën e tij të fundit për të mbrojtur shëndetin.
Armiku i shëndetit
Qëkur në fillimet e viteve 1900 filloi të flitej për hipertensionin gjithçka lidhej me kripën. Hipoteza se kripa ose ndryshe, kloruri i natriumit, është përgjegjësja kryesore për këtë sëmundje mbështetet nga shumë studime që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kryer në një numër të madh shtetesh. Kështu, në çdo popullsi të studiuar përqindja e personave me hipertension ishte e lartë atje ku dhe konsumi i kripës ishte shumë i madh. Pra, nga kjo duket qartë se duke reduktuar konsumin e saj mund të ulësh edhe tensionin e lartë, përgjegjësin kryesor të sëmundjeve të zemrës apo hemorragjive cerebrale. Një tjetër analizë e bërë së fundmi tregon se nëse konsumi i përditshëm i NaCl, ulet nga 10 gramë në 5 të tillë, presioni i gjakut ulet me rreth 5mmHG. Për të gjithë ata që mendojnë se kjo është një sakrificë e madhe për një rezultat kaq të vogël, mund të kujtojnë se studimet për ndërhyrjet terapeutike tregojnë se mjaftojnë 5mmHg presion gjaku më pak për të zvogëluar me 20 për qind mundësinë për t‘u prekur nga iktuset apo infarktet kardiake.
Në botë
Finlanda ka reduktuar konsumin e kripës me 40 për qind, në një betejë të ashpër me ndërmarrjet e prodhimit të ushqimeve që nga vitet ‘70. Edhe Irlanda, Australia dhe Zelanda e Re kanë hartuar programe bindëse për reduktimin e natriumit në ushqime. Në Mbretërinë e Bashkuar qeveria ka fiksuar objektivin për të reduktuar konsumin e natriumit me 33 për qind brenda pesë viteve, duke u kërkuar ndërmarrjeve të prodhimeve të ushqimit të zbatojnë me përpikëri, të vendosin në ushqim etiketat që tregojnë produktet që përmbajnë kripë shumë, mesatarisht dhe pak kripë.
Edhe në Portugali diçka po ndryshon. Një vit më parë, Ministria e Shëndetësisë aprovoi planin e saj shëndetësor "të kujdesemi për shëndetin". "Kemi arritur një marrëveshje për të reduktuar me 20-25 për qind sasinë e kripës në bukë", tregon një funksionar i lartë i kësaj ministrie. Por konsumatorëve nuk u mjafton. “Do t‘i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë të parashikojë një reduktim deri në 15 për qind të sasisë së kripës edhe në ushqimet e paketuara”, tregon kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve në vend.
Në Europë
Sasia e kripës në shumë ushqime gjendet me shumicë. Në përgjithësi, buka dhe drithërat janë shumë të kripura. Në Europë, Italia, Spanja dhe Belgjika mbajnë rekordin e djathërave më të kripur. Po ashtu, Portugalia dhe Italia dallohet edhe për ushqimet e gatshme me sasinë më të madhe të kripës.