Ne ndryshim nga roli universal qe i besohet kritikut letrar si zbulues i se rese ne letrat bashkekohese, roli i Krist Malokit ne mendimin kritik letrar shqiptar, marre ne gjithe shtrirjen historike te nje shekulli, - nga viti 1906 i Kohetores se Konices tek vitet e pas nentedhjetes - lidhet se pari me dyshimin. Me dyshimin e asaj qe eshte pranuar e vertete e fundme, qe eshte bere tradite (vepra e Naim Frasherit) ose qe i eshte premtuar lexuesit si letersia e njeqind viteve te ardhme (poezia e Lasgush Poradecit).
Mbi çfare tezash mbeshtetet Krist Maloki (8 prill 1900-1972) kur perdor psikanalizen dhe kritiken kulturhistorike? A u mbetet konsekuent bindjeve dhe pikepamjeve per leximet e autoreve shqiptare dhe veprave te tyre? Ku afron dhe ku dallon me hulumtues te tjere si per shembull, Çabejn, kur hyn ne kufijte e interpretimeve sipas kulture-historise? Dhe se fundi: disa çeshtje te stilit te kritikes letrare te Malokit, te cilat per shkak te permbajtjes dhe ideve nihiliste, eliminuese dhe rreptesisht kritike te tijat, jane lene menjane. A perben ne kete aspekt nje model kritika letrare e Malokit?
Ikonoklasti
U cek me sipri, si hyn Maloki ne mendimin kritik duke u shprehur kunder adhurimit te ikonave te letersise shqipe. Jemi ne mesin e viteve '20 kur Maloki doli me tezen qe argumenton pse Naimi nuk eshte poet kombetar dhe as poeti me i madh i Shqiperise. Dhjete vjet me vone, per nje tjeter premtim te madh te kritikes per letrat shqipe, Maloki pyet: A âsht poet Lasgush Poradeci?
Njeri dhe tjetri poet, Frasheri dhe Poradeci - jetuan ne kohe qe i ndan shekulli i ri dhe Shqiperia e pavarur - shihen ashtu siç shihet roli i poetit ne kohen e formimit te kombeve dhe identiteteve nacionale: si prijes shpirteror. Edhe pse i takon nje akti herezie ne epoken bizantine te shek VII, termi ikonoklast percakton rolin e Malokit kritik letrar teksa operon ne nje mjedis ku poeti konsiderohet apostull nacional dhe ku vleresimi ekstrem i tij si ikone e nje njesie shpirterore behet jo per motive mirefilli letrare.
Kishte marre doktorate ne filozofi ne Universitetin e Gracit, ishte bere veprimtar i shoqates "Albania" te studenteve shqiptare ne Austri, kishte debutuar ne revisten "Dialeria" te kesaj shoqate, me pseudonimin K. Lepeteni qysh me 1922. Ne vitet '30 merr doktoraturen e dyte per drejtesi. Kishte shkruar nderkohe ne revistat "Perpjekja" te Branko Merxhanit me pseudonimin Mali Krishna, "Leka" me inicialet Dr. Kr. M, Krrabe Malsore. Me emrin e tij kishte botuar tek "Hylli i Drites" edhe esene "Oriental apor Okcidental".
Angazhimin ne kritike ai e motivon ne esene "Literatura shqiptare": "Paralel me gjendjen socjale qindron dhe literatura e jone e shkatrrueme. Pa nje drejtim, pa nje qellim te perbashket - mbasi u shterp dhe lopa e patriotizmit - vjershojn "poett" e sotshem ner gjithfar anesh te Shqipnis e gjithfar vendesh te huej, sejcili ne mendje te vete, pa fije inspiracjoni e shije artistike."
Pak kohe me vone, Vangjel Koça, i cili se bashku me Malokin jane cilesuar modele te pastra te kritikut letrar, i shkon pas kur shkruan: "...boten mendore shqiptare e mahnit ekstremizmi. Disa e ngrene Naimin ne zenit dhe disa e ulin ne nadir. Kjo ngjan edhe per Fishten, dhe per Lasgushin, dhe per Mjeden, dhe per te tjere. Te mos harrojme se ekstremizmi nuk eshte semundje vetem shqiptare, por dhe e perbotshme. Mirepo ky ekstremizem - le ta quajme kritik - nuk e demton aspak letersine. Te shumten, te shumten, mund te lendoje ose te perkedhele ndjenjen regjionaliste letrare, qe mjerisht fle akoma ne shpirtin tone."
Kritike si kjo
Tek disa autore kyç te kritikes letrare shqiptare te gjysmes se pare te shek. XX, ne vend te shpalljes se nje metode, aderimit apo aplikimit te nje shkolle te caktuar te mendimit kritik evropian, gjejme te shtjelluar ne formen e parafjales per doracake arsyet pse mjedisi letrar shqiptar ka nevoje per nje kritike letrare shqiptare. Konica, Maloki, Kuteli, Koça, Pipa me vone, flasin per nje mision te kritikes.
Sikur çdonjeri prej tyre ta kete pare njelloj, te nderprere, rrjedhen e saj, ndaj kerkon nga nje dhjetevjeçar ne tjetrin te lindet kritika.
Natyra e kritikes se Krist Malokit shfaq nje karakteristike qe ishte e pergjithshme per kritiken letrare shqipe. Shqetesimi nga mungesa e nje kritike serioze e cila, sipas Malokit, deshmon se "kulshtedra shoqnore", e quajtur "opinjoni publik", nuk eshte gati, ngaqe deri atehere çdo mendimi dhe ideje ne fushat e shkences dhe te kultures i dilnin kunder "savantat dhe engjikllopedistat e kafehaneve - mbrenda e jasht Shqipnis! - e dijtun nga frika se mos po i rrexohen neper frymen e re kolibat e veta mendore te vjetrueme." Reagimin e botes shqiptare ndaj kritikave te tij ai e merr per deshmi dhe per pasqyre te gjalle te zhvillimit kulturor dhe historik te vendit ne 30 vitet e fundit.
Kjo per sa u perket faktoreve te jashtem.
Sa per kritiken ne vete, qellimin e saj ai e sheh tek orientimi ne "rrugen e ndrejte kah e mbara, kah nderi e kah e verteta." Ne kete drejtim, duke i njohur kritikes nje rol ne etike - "Çdo kritike letrare me vlefte ka tendenca edukative", thote ai - dallon nga themeluesi i kritikes letrare moderne, Faik Konica i cili ndante atdhesine nga letretyra dhe pretendonte nga autoret shqiptare nje vlere letrare universale qe te matej me kultura te tjera.
Konica pyet: Ç'eshte kritika letrare? Dhe pergjigjet: eshte nje gjykim i vleres se librave. Ai thote: "Kur me pelqen e kur me ç'pelqen nje veper, nuk arrin te kecej a te shfryj: duhet te shfaq persete e pelqimit a te ç'pelqimit tim, ne qofte se dua te perpiqem te shokesoj kendonjesit ne nje ndjenje me mua." Kurse Maloki pretendon prej misionit te Kritikes te mos mjaftohet vetem "me shikime dhe kundrime dialektike, me njate kolovitje ndermjet vepres se kritikueme dhe botekuptimit te vet, jo, kritika e vertete e ka per detyre me ngrehe mba njato polaritete shikimesh e kundrimesh uren synthetike dhe ylberin e shumengjyrshem te nje vepre krejt te re artistike. Kritikani i vertete mundet qe nuk asht i zoti me prodhue vepra te njellojeshme me ato te kritikuemet, mire po kritika krijuese dhe prodhuese ne vetvehte i ka gjithe hiret e nje kreatyre origjinale dhe te perjeteshme."
Vetedijen per ta ngritur tekstin kritik ne nivelet e tekstit letrar e gjejme tek pak kritike shqiptare te epokes se Malokit. Tjeter gje, sikurse do ta shohim me poshte, nese vete Maloki i ka arritur apo nuk i ka arritur kerkesat e estetit. Permendem Malokin dyshues, jo vetem kur gjykon per nje proces te afert ne kohe, po edhe per nje te larget, kah tradita. Dyshimi i tij mbeshtetet nga natyra pretencioze e tij. Ai e hap rrafshin e diskutimit per nga kultura te tjera atehere kur kundershtaret e tij pretendojne a priori per nje poet dhe letersi internacionale, dhe e ngushton lemin tek humusi anas kur te njejtet kundershtare flasin per poet dhe letersi kombetare.
Maloki-Çabej, afer dhe larg
Dyshimet mbi kombetaren dhe etnine ne poezi qe Maloki diskuton tek Naimi dhe Lasgushi, po edhe tek Fishta (ne vitet gjashtedhjete), na shpien tek tema e letersise se nje populli pare si e lidhur ngushte me historine dhe gjeografine e atij populli. Ne nje ese te gjate ("Per gjenezen e literatures shqipe", botuar per here te pare ne "Hylli Drites" 1938-1939) te botuar ne kohen kur Maloki i kishte hedhur tezat per dy poetet dhe pritur rrufete, Eqrem Çabej trajton, (duke iu referuar kryesisht romantizmit ne letersine shqiptare) idene e njesise shqiptare si nje njesi etnike dhe kulturhistorike, e rrjedhur nga njesia gjeografike.
Fakti qe nacioni dhe politika kane qene tema kryesore te letersise sone deri ne vitet '30, perben sipas Çabejt ndryshim kulturhistorik e tipologjik, dhe eshte nje ndryshim themelor krahasuar me letersite e Perendimit. "Prej gjithe shkrimtareve shqiptare na del perpara fytyra e shqiptarit te perjetshem." Ne dallim prej tij, Maloki eshte i kapur pas idese shqiptare, shpirtit te vertete shqiptar. Lidhjet me te forta me kete ent etnik, sipas tij i ka Gjergj Fishta qe "s'ka qene tjeter veç se kasneci, rapsodi e predikuesi evangjelist i njasaje shpirtsije e mendsije arbenore, e cila permbelidhet ner tri fjale, ner tri parulla a ner tre kushtrime mijvjeçare: Bese, Nder e Burrni shqiptare." Aty per aty ai shton se Fishta harron se gjallon ne shekullin XX, nuk e sheh realitetin perreth.
Kurrfare lidhjeje nuk gjen mes Naim Frasherit vjershetar dhe idese shqiptare, nderkohe qe Çabej dallon para se gjithash tek poeti i vonuar romantik nje patriot, edukator: "Do te pranojme se me perjashtim te disa pak vjershave vlera letrare e poezise se tij eshte e paket. Sepse veprat e tij me fort se qellimit estetik i sherbenin nje qellimi etik." Pasi ka mbrojtur nepermjet qasjes psikanalitike tezen per siperfaqesine e vepres se "poetit kombetar", per karakterin ahistorik te saj, Maloki pohon se vetem pas ardhjes se dyte ne Stamboll, me 1882, Naimi behet simbol i idese rreth zgjimit te nje kombi.
Sa per Lasgushin, per aq sa kerkon kendveshtrimi kulturhistorik i Malokit, edhe ketij poeti i mungon lidhja e ngushte me kombin shqiptar si "ent ethnik dhe jo ent politik apor patriotik." Ai flet per mungesen e koloritit karakteristik shqiptar, te cilin e gjen te fryma, atmosfera, afshi, amsia, akullsia, shpirtsia, ngjyresia, çka i ndesh edhe ne jeten sociale e personale. Keto jane provat e Malokit per ata qe i pershtatin Lasgushit titujt "vjershetor i kombit", "poet kombetar" dhe vepres se tij "me bukurite e saj pa shoqe ne letraturen shqipe e me shoqe te rralla ne letraturen e perbotshme".
Autori, teksti
Maloki nuk shfaqet epigon i kritikes psikanalitike. Ai nuk zbaton nje teori psikanalitike per hir te teorise por i referohet biografise se autorit duke marre parasysh mjedisin shqiptar, dhe shqiptaresine e letersise se tij. Kjo ndodh ne rastin e Naimit tek i cili here e çon jeta e poetit nga te dhenat biografike te te afermeve, here e çon vepra e tij. Burimet qofshin direkte ose indirekte per njohjen e autorit ne pikepamje gjenetike, jane te pamjaftueshme per te aplikuar nje psykologji analytike.
Megjithate nga aq informacion sa ka per feminine, adoleshencen dhe rinine deri ne te tridhjetat e poetit, Maloki tenton te gjeje projektimin e personit, shpirtit dhe karakterit te tij te teksti, vepra letrare. Nuk mund te thuhet se me kete lloj kritike ia del mbane. Ne fund te fundit, ai e quan poet te prire per "rrojtje prane votres", per shkak te fizikut te brishte dhe tendenca "hypertrofike qendron ne te gjitha veprat e tija". Letersine, ate persiane ne veçanti, e shikon faktor baze ne formimin e karakterit te tij. Maloki shtron hipotezen se budizmi e gjeti deren hapur tek ky shpirt te mbrujtur ne mjedisin bektashi. Jane nje sere poezish qe Maloki pohon te jene shkruar nisur nga besimi per shtegtimin e shpirtit (metempsychoza).
Pikerisht te shpirti budist ai shikon burimin e frymes ahistorike te vepra e Naim Frasherit. "Istori e Skenderbeut", thote ai, nuk u pershtatet ngjarjeve te verteta dhe bashke me "Qerbelaja" jane pasqyra te mitologjise persiane. "... e mos t'ishte fjala per lufte etj.,
do te kishim perpara nesh ma teper nje femen se sa nje hero!" (Shih "Oriental apo Okcidental) Per keto perfundime ai i referohet tashme tekstit. Guximi per te perdorur nje kritike psikanalitike ne rastin e Lasgush Poradecit, duket se e le ne balte Malokin. Edhe ato burime qe perdor nga njohja personale me poetin jane pak. Ai shikon nje individualist, tipar qe ka dale ne pah nga "mungesa e forces poetike, ose nga varferija materiale-financiare ose nga dobesija fizike por sidomos nga nje frike anormale nga ndonje semundje dhe infeksion.
Ka krijuar do komplekse inferioriteti dhe eshte bere me hypohonder, mizantrop dhe vetmitar... Nje studim psikologjik dhe kulturehistorik mund te zbuloje rrenjet e koloritit lasgushian. Neve mjaftohemi me hamendjen se poezia e tij eshte e pershkuar nga shirita sllave, vllahçe dhe romano-franceze. Nje ambelsi e butesi ma fort femnore se burrnore qe i deperton gjithe vjershat e tija." Kritika psikanalitike per rastin e Lasgushit duke e çale. Ne teresi, kritika e Krist Malokit kalon ne fazen e komentimit dhe te vleresimit te autorit dhe vepres se tij, pa patur shoqe para po per fat te keq as me pas.
Stili
Ne te vertete Maloki nuk dha deri ne fund shembullin e nje modeli kritike te cilen ai e shpallte mision. Eklektik, proliks, me gjithe erudicionin, duket se rrjedha e shkrimeve te tij perhapet ne toka ku mjetet e metodave dhe argumentet nuk mjaftojne, as atehere kur therret ne ndihme krahasimet me artet figurative, muziken, filozofite dhe kultura te tjera. Perhapja ne fusha te dijes ben qe te humbase konsekuencen.
Ai kundershton me pasion levdatat e kritikeve, mirepo ne fund, rezulton se kjo gjuhe pasioni eshte me shume pergjigje qe ai u jepte kritikeve te kritikave te tij. Çfare do te mbetej nese do ta zhvishnim kritiken e Malokit nga ky pasion? Duket nje qerthull. Shkrimet e Malokit "nisen kritiken e kritikes ne kritiken tone dhe me vetedije e inkuadruan veshtrimin psikanalitik, e me shume ate psikobiografik tradicional, siç cilesohet sot, dhe ate kulturohistorik." Ky eshte vendi qe i jep Rugova ketyre "perpjekjeve psikanalitike per kritike objektive" (Ibrahim Rugova, "Kahe dhe premisa te kritikes letrare shqiptare 1504-1983.") Maloki eshte marre me disa autore baze para tij dhe te kohes se tij.
Ai nuk perfaqeson modelin e kritikut letrar qe sipas kriterit universal ka per mision zbulimet letrare, por perkundrazi ate qe ve ne dyshim vlera te konsoliduara letrare. Ai eshte nje kritik qe nuk e sheh dot te ndare vleren shqiptare, autoktone te nje vepre nga vlera universale. Maloki nuk sistematizon me koncepte praktiken dhe teorine e vet kritike sepse siç vene re me te drejte disa studiues ai nuk u mor me kritike letrare per hir te kritikes. Kjo do ishte nje nga mangesite e kritikes se Malokit.
Dy fjale edhe per botimet e fundit te kritikes letrare te Malokit ne Tirane dhe Prishtine: jane modeli me i keq i punes me tekste qe kane nje distance kohe mbi gjysme shekulli qe nga botimi i pare, e sidomos kur gjuha eshte e dialektit geg. Permbajne shume gabime gjuhesore, tekstet e integruara gjermanisht nuk jane te perkthyera. Shenimet dhe poshteshenimet jane me pasaktesi dhe nuk u korrespondojne teksteve perkatese. Lind nevoja per nje botim kritik te kritikes letrare apo mendimit kritik social e ekonomik te Krist Malokit.