Gjatë këtij harku kohor, ka preferuar të jetë më mirë pas kuintave, duke krijuar nota muzikore për të tjerët dhe duke qenë realisht në profesionin e tij të vërtetë. Megjithatë pas kësaj pauze skenike, Kristi rikthehet në ekran, jo vetëm si këngëtar, por edhe si muzikant i mirëfilltë profesionist. Përveçse mësues muzike, Kristi ka marrë pjesë edhe si anëtar në jurinë që do të përzgjedhë më të mirët, në konkurse të talenteve të këngës. “Këto kohët e fundit, -thotë ai,- ka një nivel jo shumë të lartë të të rinjve pjesëmarrës në këngë”. Në intervistën që Kristi ka dhënë për “Tirana Observer” rrëfen me thjeshtësi dhe modesti për lidhjet e tij të ngushta me muzikën dhe për pasionet e tjera.
Cila ka qenë ëndrra juaj e fëmijërisë?
Ëndrra ime që në fëmijëri ka qenë pikërisht të bëhesha artist, të merresha me art. Me pikturë dhe me muzikë.
Ju kujtohet ndonjë prapësi nga fëmijëria?
Jo s’më kujtohet ndonjë gjë e veçantë.
Si keni reaguar ndaj inatit të të mëdhenjve?
Nuk merresha fare me ta.
Si e gjetët rrugën e muzikës?
E kam pasur diçka të lindur. I jam shumë mirënjohës sakrificës së prindërve që më mbajtën në rrugën e vështirë të artit veçanërisht babait.
A keni ndonjë ndikim familjar, fisnor apo shoqëror në nisjen drejt kësaj rruge?
Nuk kemi muzikantë profesionistë në familje apo në fis, ndikimi familjar ka qenë thjesht nga dëshira e tyre që unë të merresha me art.
Si e mbani mend daljen tuaj të parë në skenë?
Me shumë emocione.
Mund të na thoni ndonjë sekret të frymëzimit tuaj krijues?
As vetë nuk e kam kuptuar sekretin e frymëzimit, prandaj dhe mbetet i shenjtë.
Shumë këngë i këndoni vetë. Këtë e bëni se nuk u besoni të tjerëve apo se shumë këngë i shkruani “për vete”, pra në përshtatje të stilit tuaj interpretues?
Shumë këngë i kam kënduar vetë, por shumë të tjera ia kam besuar këngëtarëve të tjerë.
Në krijimtarinë tuaj ndërthuren folku, danci, rroku dhe R&B, a është e vështirë t’i lëvrosh njëherësh këto gjini të muzikës?
Për mua nuk ka qenë e vështirë t’i ndërthur rrymat në rrymën alternative folk.
Si e vlerësoni pjesëmarrjen në një festival?
Prestigjioze.
A mendoni se shumica e të rinjve pjesëmarrës në veprimtaritë e këngës e kanë talentin e duhur në fushën e muzikës?
Mendoj se shumica e artistëve janë të pa talentuar. Shumë pak prej tyre mund të quhen talente.
Ç’mendim keni për muzikën dhe këngëtarët të cilët janë sot në tregun muzikor?
Është bërë shumë pis tregu muzikor dhe duhet kohë për t’u qartësuar pamja muzikore.
Po muzika shqiptare si merr e jep me atë botërore?
Merr shumë dhe s’jep fare.
Po me folkun si i shihni lidhjet e saj?
Muzika shqiptare është drejt shkëputjes me folkun.
Cilat janë angazhimet tuaja jashtë muzikës?
Për momentin nuk mund të them ndonjë gjë për angazhimin tim jashtë muzikës sepse jam duke provuar diçka por kur ta realizoj do e bëj publike.
Ç’keni “nëpër duar këto ditë“?
Librin mjekësor “Të ushqehemi drejt sipas grupeve të gjakut”.