Barazimi 1-1 i Islandës debutuese kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldos ishte një nga rezultatet më të bujshme të ndeshjeve të para në grupe të Euro 2016. Ai që e ka përjetuar më keq këtë rezultat ishte pikërisht Ronaldo, i cili fillimisht u largua nga fusha e lojës pa i dhënë dorën kundërshtarëve, e më pas shpërtheu në kritika kundër tyre.
"Islanda nuk provoi të bënte asgjë. Ata vetëm mbrohen, mbrohen, mbrohen dhe luajnë në kundërsulm. Ishte një natë me fat për ta. Duhej të kishim tre pikë po jemi në rregull edhe kështu. Mendova se kishin fituar Europianin duke parë se si festuan në fund. Ishte e pabesueshme.
Kur ata nuk mundohen të luajnë por vetëm mbrohen, mbrohen, mbrohen, sipas mendimit tim, tregon një mentalitet të vogël dhe nuk do të bëjnë asgjë në këtë turne", ishte deklarata e portugezit, e cila është komentuar gjerësisht si një reagim absurd pas një rezultati historik të një vendi të vogël që përveç të tjerave, debutonte në turne.