Kristo Frasheri Historia denon cdo monark qe nuk ka respektuar Kushtetuten

Kristo Frasheri: Historia denon cdo monark qe nuk ka respektuar Kushtetuten

Në debatin që po zhvillohet këto kohët e fundit rreth Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve, nëse duhet të nderohet, të kritikohet apo të dënohet, ka një pështjellim politik, juridik dhe historik, i cili është tepër i theksuar tek pjesëmarrësit që nuk janë historianë. Pështjellimi vjen para së gjithash ngase nuk bëhet dallimi midis monarkisë (mbretërisë) si formë regjimi dhe monarkut (sovranit) si kreu i shtetit. Monarkia dhe monarku nuk duhet të identifikohen për arsye se njëri përfaqëson një formë regjimi, kurse tjetri sovranin që atë e drejton.

 

Ka raste në histori kur monarkia si formë regjimi ka qenë e dobishme për një vend mbasi nëpërmjet kurorës mbretërore është realizuar bashkimi kombëtar i një populli. Por ka edhe momente kur në një vend vendosja e monarkisë shënon hapa prapa. Sidoqoftë, në çdo rast monarkia duhet të gjykohet nga Kushtetuta e saj, nëse ka qenë e dobishme apo e dëmshme, nëse ka qenë kushtetuese apo despotike, parlamentare apo absolute.

 

Debati mbi monarkun si kryetar i shtetit ka të tjerë parametra. Veprimet e një monarku duhen ballafaquar detyrimisht me Kushtetutën e monarkisë së tij nëse ai i është përmbajtur betimit që ka bërë “para Zotit dhe para Popullit” për të respektuar normat e Kushtetutës. Vetëkuptohet se historia dënon çdo monark që nuk ka respektuar Kushtetutën, rrjedhimisht kur ai ka dëmtuar sovranitetin, integritetin, dinjitetin dhe ardhmërinë politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të atdheut të vet. Nëse pajtohemi me këto kritere të arsyetimit historik, atëherë historiani duhet të hetojë Kushtetutën që pati mbretëria kur Zogu u shpall mbret dhe në mënyrë të shkëputur prej saj të vlerësojë veprimtarinë dhe politikën që ndoqi mbreti Zog në respekt të Kushtetutës deri më 7 prill 1939.

 

Në debatin që po zhvillohet, sundon midis johistorianëve edhe një logjikë e padrejtë historike, juridike dhe politike. Harrohet se përgjegjësia për veprimet e mbrapshta ose merita për veprat e mbara të një monarku është personale dhe jofamiljare. Në rast se Ahmet Zogu ka shkelur Kushtetutën, kjo nuk do të thotë se duhet dënuar dhe biri i tij dhe, ca më pak, edhe nipi i tij, aq më tepër që ata nuk kishin lindur kur ai ishte mbret.

 

Si rrjedhim, nuk është e drejtë kritika që antizogistët ekstremistë u drejtojnë demokratëve dhe socialistëve, të cilët përshëndetën më 1996 kthimin në atdhe të familjes së mbretit Zog, përderisa anëtarët e saj nuk akuzohen për veprime të mbrapshta. Pikërisht nga këto pështjellime gjejmë rastin për t’iu përgjigjur shkurtimisht pyetjeve: Kush ishte Ahmet Zogu si njeri? Cilat qenë meritat e mbretërimit të tij? Cilat qenë gabimet apo dëmet që atij i atribuohen? Si duhet të cilësohen veprimet e tij, nëse ka ndër to akte të mbrapshta, – tradhti apo gabime të justifikuara? Të shohim!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama