Kristo Frasheri shpallet Qytetar Nderi i Tiranes

Kristo Frasheri, shpallet 'Qytetar Nderi' i Tiranes
Historiani dhe akademiku i njohur Kristo Frashëri është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës. Frashëri është nderuar me këtë çmim “Për kontributin e çmuar në evidentimin e vlerave historike të qytetit të Tiranës”. 92-vjeçari ka realizuar një sërë studimesh dhe ka botuar shkrime dhe libra për historinë e kryeqytetit shqiptar. Titulli “Qytetar Nderi” i Tiranës i jepet Akademikut Kristo Frashëri, me propozim të grupit të këshilltarëve të PS-së, në Këshillin Bashkiak dhe me miratimin unanim të të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Në vitin 2007, Kristo Frashërit i është akorduar nga presidenti Topi urdhëri i “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Historianit të shquar, me vizion të gjerë e njohuri të thella, që dijet, pasionin dhe talentin ai përkushtoi shkrimit të historisë së kombit të tij”. Pas nderimit nga Topi Frashëri u shpreh me këto fjalë: “Jam banor shumë i vjetër i Tiranës. Kam ardhur në Tiranë, kur Shqipëria pesëdhjetë vjet më parë ishte “Shqipëria e kandilit”. Shqipëria u bë e elektrikut dhe tani po bëhet e internetit. Jam i lumtur që i kam përjetuar këto pesëdhjetë e ca vjet dhe uroj që vendi të shkojë gjithnjë e më para”!

Frashëri është një nga historianët e njohur shqiptarë, me një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë gati 70-vjeçare. Lindur më 17 dhjetor 1920 në Stamboll, Kristo Frashëri ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Frashëri është autor i punimeve të shumta  shkencore si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881”; “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Jeta dhe vepra”; “Historia e Tiranës”; “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV”;  “Identiteti kombëtar i shqiptarëve”; “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912”;  “Historia e qytetërimit shqiptar” etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama