Lënia jashtë Kombëtares shqiptare për në Kampionatin Europian të Francës të sulmuesit Hamdi Salihi, ishte një prej çështjeve që hapi shumë debat disa ditë më parë kur nisi edhe grumbullimi i kuqezinjve.
Dhe menjëherë pas publikimit të listës nga trajneri Xhani De Biazi, Salihi, në reagimin e tij për gazetën "Panorama Sport", deklaroi se disa persona e lanë jashtë Kombëtares duke aluduar se tekniku De Biazi është ndikuar në vendimet e tij.
Por, opinioni publik fajëson vetë sulmuesin se po gabon me akuzat e tij. Në sondazhin që gazeta ka hedhur në faqen e saj zyrtare në internet prej disa ditësh, në shumicë votuesit e konsiderojnë Salihin si fajtor për reagimin e tij.
"Salihi ka akuzuar se disa persona e lanë jashtë Kombëtares. Kush po gabon?". Kjo ishte pyetja e sondazhit ku morën pjesë 1806 votues.
Me një shumicë dërrmuese prej 930 votash ose 51%, sportdashësit kanë zgjedhur Salihin. Më pas vjen FSHF me 507 vota ose 28%.
Çuditërisht, në vend të tretë renditet vetë trajneri De Biazi që harton listën me 369 vota ose 20%. Duket qartë se opinioni në këtë çështje fajëson Salihin duke treguar se akuzat e tij nuk janë pritur mirë.