TIRANË, 29 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten në Kuvend se ndonëse Shqipëria deri tani nuk është prekur nga kriza e emigrantëve, ajo është e gatshme që të përfshihet në programin e Bashkimit Europian.
"Shqipëria nuk është e prekur dhe gjasat janë që edhe mund të mos preket nga kjo krizë, pavarësisht se me ardhjen e dimrit ekziston një skenar i UNHCR-së që fluksi i emigrantëve mund të ngecë në Ballkan dhe këtë mund ta bëjë dhe më të pranishme shtrëngesa që mund të vijë nga ana e Austrisë dhe Gjermanisë. Sidoqoftë, Shqipëria është e gatshme të përfshihet në të gjithë programin e BE-së, në një përpjekje të qartë ku në epiqendër të tij janë Gjermania dhe Austria", u shpreh kryeministri.
I sapokthyer nga Hong Kongu, Rama informoi deputetët për takimin e Brukselit mes BE-së dhe vendeve të rajonit, lidhur me krizën e refugjatëve.
Takimi i së dielës, i thirrur me urgjencë nga Presidenti i Komisionit Europian, për të trajtuar krizën e rëndë të refugjatëve, e cila po përshkallëzohet, adresoi dy probleme, tha kryeministri. Së pari, problemin e përgjithshëm brenda Unionit që ka të bëjë me refuzimin e një pjese të konsiderueshme të vetë vendeve të BE-së për t'u përfshirë në kuotat për refugjatët. Dhe kjo e lidhur, tha Rama, lidhet me faktin e gjithëpranuar se gjysma e emigrantëve nuk pranojnë të shkojnë në vende të tjera veç Gjermanisë, Austrisë dhe Suedisë.
Çështja e dytë, theksoi kreu i qeverise ka te beje me problemin e krijuar në të gjithë korridorin ku kalojnë refugjatët, që eshte krijimi i një sistemi, ku vendi që merr fluksin e refugjateve të mos e çlirojë menjëherë atë tek vendi tjetër, sepse kjo ka krijuar një situatë të pamendueshme në kufirin mes Austrisë dhe Sllovenisë.
Ne vijim te informimit për takimin e lartë të Brukselit, kryeministri shqiptar tha se kjo krizë duhet adresuar aty ku po përpiqet ta adresojë dhe BE, në Turq. "Faktikisht, po fillojnë negociatat shumë intensive me Turqinë që nuk janë ashtu si thuhet, 'thjesht negociata financiare', por që kanë dhe natyrë politike, pasi është e qartë se nëse Turqia do të bëjë një marrëveshje me BE-në për të marrë përsipër të administrojë në terrenin e saj fluksin e emigrantëve dhe për të luftuar gjithë sistemin e ngritur të trafikantëve, i cili funksionon 24 orë në 24, atëhere mendohet se fluksi mund t ë shkojë duke u ulur.
"Nga ana tjetër është kërkuar disponibiliteti i vendeve të rajonit për të pranur sistemin e moshfryrjes së menjëhershme të refugjatëve në vendin tjetër përgjatë korridorit ku Shqipëria nuk bën pjesë. Megjithatë, kjo është një çështje që shkon përtej vullnetit të mirë të vendeve të rajonit dhe që ka të bëjë me kapacitetet e vendeve tona", tha kryeministri Rama sot në parlament. /a.ke/