Kriza e emigranteve ne Europe- Shqiperia pergatit vend-strehime ne Bilisht e Gjirokaster

TIRANË, 27 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Shqipëria është duke marrë masa për të përballuar fluksin e emigrantëve nga Afrika e Veriut, të cilët pritet të kalojnë përmes vendit tonë drejt Europës.

Në Bruksel u mlodh Samiti i liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit, ku mori pjesë dhe Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, për të përcaktuar masat për menaxhimin e fluksit të lartë të emigrantëe.

Vendi ynë deri më sot nuk ka qenë korridor i preferuar për këta emigrant. Ata kanë zgjedhur korridorin, Greqi-Maqedoni, Kosovë, Serbi, Hungari apo Kroaci, teksa tashmë ky itinerar mund të ndryshojë duke parë afrimin e ngricave.
Zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea konfirmoi gjatë një prononcimi për ATSH-në, pak ditë më parë se në bashkëpunim me prefekturat dhe partnerët ndërkombëtar, si dhe me Ministrin e Jashtme kanë përcaktuar një plan veprimi për këtë problematik.

"Analiza jonë ka qenë e gjithanshme. Janë vlerësuar vend strehimet, rrugaZvministrja Gjebrea në Kakavijë që ata mund të ndjekin. Kemi vlerësuar periudhën më të mundshme që mund të ndodhë lëvizja dhe të gjitha detajet e tjera të cilat duhet marrë parasysh në një situatë të atillë dhe për të gjitha këto është bërë dhe një vlerësim kostoje", tha ajo.

Zv/Ministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja gjatë një seance dëgjimore në kuvendin e Shqipërisë, në Komisionin për Punët e Jashtme theksoi se diplomacia shqiptare po punon në dy fronte.

"Jemi duke bashkëpunuar me Bashkimin Europian për të marrë fonde të cilat do ndihmojnë vendin tonë në përballimin e fluksit emigratorë nga njëra anë, dhe nga krahu tjetër jemi duke punuar me Ministrinë e Brendshme për caktimin e vend-qëndrimit të tyre, pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës, si dhe përkrahjen shëndetësore, përkrahjen me veshmbathjet dhe ushqime të emigrantëve që do kalojnë në Shqipëri", theksoi Belortaja.

Ai gjithashtu shtoi se Selim BelortajaMinistria që ai drejton në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë kërkuar nga Gjermania intensifikimin e riatdhesimit të shqiptarëve azilkërkues, me qëllim që energjitë dhe forcat logjistike të vendit tonë të përqendrohen tek vala e emigrantëve që vinë nga vendet e luftës në Afrikën e Veriut.

ATSH përmes burimeve të saj ka saktësuar se Prefektura e Korçës dhe ajo Gjirokastrës janë angazhuar intensivisht në përgatitjen logjistike për mikpritjen emigrantëve.
Kështu, në zonën e Korçës është përcaktuar zona e Bilishtit, si pika ku do të strehohen paraprakisht emigrantët që do zgjedhin pikën kufitare të Kapshticës për të hyrë në vendin tonë. Në Bilisht ndodhet një godinë qeveritare, e cila ka një kapacitet deri në 500 persona. Nuk përjashtohet mundësia, bëjnë të ditura burimet se godina të tjera në zonën e Bilishtit apo zonës përreth, të cilat i takojnë qeverisë apo ushtrisë të vihen në dispozicion të emigrantëve.

Bilishti ne harteNë Prefekturën e Gjirokastrës janë përcaktuar vend strehimet të cilat kanë një kapacitet deri në 5 000 persona. Sipas burimeve të sipërcituara mësohet se, Aeroporit i Gjirokastrës dhe godinat e ushtrisë do të jenë qendrat kryesore të pritjes. Godinat e ushtrisë pritet të mbartin deri në 2 000 persona, teksa ngritja e çadrave dhe vend-strehimeve në Aeroportin ushtarak të këtij qyteti pritet ta çojë numrin e të strehuarve deri në 5 000.

Po ashtu mësohet se këto dy prefektura do të ngrin shtabe të specializuara pune për të menaxhuar situatën. Do të bëhet fillimisht identifikimi i personave, më tej do të realizohet pajisja e tyre me dokumente, teksa mësohet se do të ketë dhe një bilanc të nevojave të gjithë-secilit për ndihmë mjekësore, ushqim apo veshmbathje dhe për këtë Prefekturat do të kenë mbështetjen e pushtetit lokal dhe qendror.

Mësohet gjithashtu se, Ministria e Brendshme ka ngarkuar Policinë Kufitare, Policnë e Gjirokastrës, Vlorës (në veçanti komisariati Sarandë), si dhe atë të Korçës të rrisin monitorimin dhe kontrollet në zonën e gjelbër, pasi ka dyshime se emigrantët mund të bien në duart e trafikantëve dhe për rrjedhojë të zgjedhin rrugë alternative për të mbërritur në destinacionet e tyre, duke përfituar nga kufiri i gjelbërt.

Qeveria Shqiptare përmes këtyre masave tregon angazhimin e saj për ti dhënë mbështetjen e saj Europës në kuadër të kësaj krize emigratore. Lidhur me krizën, liderët e Bashkimit Europian dhe Ballkanit kanë firmosur të dielën në fund të samitit, që zgjati disa orë një marrëveshje me 17-pika për të menaxhuar situatën.

Në marrëveshje parashikohet ngritja pikave të strehimit përgjatë rrugës që ndjekin emigrantët nga Greqia drejt Gjermanisë. Gjithashtu parashikohet forcimi i kufijve dhe për këtë në kufirin mes Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë do të vendosen 400 forca policie nga FRONTEX. Në marrëveshje parashikohe shkëmbimi informacioneve të vlefshme mbi numrin e emigrantëve që do hyjnë në territoret e caktuara, atyre që do të kthehen dhe atyre që do vijojnë udhën e tyre drejt Bashkimit Europian. Po ashtu do të ketë shkëmbim informacioni mbi pajisjen e këtyre shtetasve me dokumente identifikimin...etj.

Presidenti Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se pritet një fluks prej 100 mijë emigrantësh. Juncke tha se Agjencia e OKB-së për Refugjatë UNHCR do të ndihmojë në pritjen e 50 mijë emigrantëve në Greqi dhe pjesa tjetër do të ndahet mes vendeve të tjera të Ballkanit. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama