Kriza e folkloristikes shqiptare dhe statusi i rrezikuar i saj

Kriza e folkloristikes shqiptare dhe statusi i rrezikuar i saj

Folkloristika shqiptare në Kosovë, duke mos e përjashtuar shumë edhe atë në Shqipëri, po përjeton një krizë të metodologjisë hulumtuese shkencore duke rrezikuar kështu të mbetet në margjina si disiplinë akademike, përderisa simotrat e saj në Evropë, por edhe në rajon, kanë shkuar shumë larg, duke u rikonceptuar, ridefinuar e rimodeluar, me qëllim të ruajtjes, përshtatjes, por dhe përparimit të vetë disiplinës. Folkloristikën shqiptare vazhdon ta përcjellë një ngecje, një mosgatishmëri për të përcjellë hapin e zhvillimeve të kësaj disipline në rajon e përreth. Vazhdojmë të sillemi dhe veprojmë brenda kornizave të kufizuara të vetes sonë, vazhdojmë të vetëmjaftohemi me të arriturat tona dhe asnjëherë të mos synojmë të krahasohemi me të tjerët, të matemi me të tjerët apo edhe t’i studiojmë të tjerët. Ajo si e tillë, është minimizuar apo edhe përjashtuar fare nga shumë programe akademike të universiteteve publike (përderisa në ato private as që ka qenë ndonjëherë), duke mos e parë si lëndë “trendy” dhe duke e konsideruar “të dalë mode”.

Statusi publik i studiuesit dhe i disiplinës

Sot, madje, nëse i thua dikujt se merresh me folklorin, me studimin e tij, zakonisht të shohin me dyshim dhe këtë dyshim e shfaqin në shumë drejtime: së pari, se folklori nuk iu duket diçka që ia vlen të studiohet; së dyti, habiten se çfarë të ka zgjuar interesim një “kulturë” tradicionale fshati; së treti, mendojnë se merresh me këngët me çifteli dhe me vallet e kostumet popullore; së katërti, të sugjerojnë së paku që fushën e studimit të mos e quash folklor, por antropologji, pasi tingëllon më moderne; së pesti, e konsiderojnë se merresh me gjëra të dalura mode dhe të tejkaluara, në të cilat nuk ia vlen të investohet; së gjashti, të marrin për nacionaliste dhe të këshillojnë të merresh me diçka tjetër që të përparon në vend se të merresh me këtë fushë që të lë mbrapa; së shtati, nuk të çmojnë për punën që bëke ngaqë nuk shohin asnjë përparim, asnjë interesim dhe asnjë nevojë për zhvillimin e kësaj fushe, në një kohë kur Kosova (por edhe të gjithë shqiptarët kudo që janë), me ambicie marramendëse e synojnë përparimin, modernitetin dhe urbanitetin (madje me kapërcime tejet të mëdha), nëse jo për diçka tjetër, më së tepërmi për të mohuar dhe ikur nga një origjinë dhe e kaluar provinciale, nga një e kaluar e jona pa zhvillim dhe pa modernizim, si edhe pa liri të shprehjes e të hapjes me botën, të cilën gjithmonë gabimisht, por edhe fatkeqësisht e identifikojnë me folklorin. Prandaj, shikuar në përgjithësi, shqiptarët “tashmë të moderuar”, folklorin le që nuk e çmojnë dhe as e vlerësojnë, por edhe preferojnë të mos dëgjojnë për të, më mirë të mos u përmendësh fare, se e konsiderojnë që i lë mbrapa. Madje e përmendin vetëm në raste ofendimi a talljeje, kur tjetri shprehet me pak patetizëm apo edhe emocion, për një gjë formale, dhe shprehen: “Mos na bëj folklor tash këtu!” ose “Kjo që the ti është folklorizëm”, vlerësime këto që i japin pa ia ditur kuptimin e vërtetë të asaj që thonë.

Një status pothuajse të njëjtë e ka studimi i folklorit, respektivisht folkloristika, edhe në programet akademike. Ajo si disiplinë ishte mjaft e studiuar dhe e avancuar në vitet që kaluam, por tani me zhvillimet e reja të disiplinave akademike ka mbetur e paintegruar dhe e papërparuar. Kur jemi në këtë pikë, problemi rritet kur dihet fakti se edhe sot, pas gati pesëdhjetë vitesh të kësaj veprimtarie, koncepti për folklorin, respektivisht për folkloristikën, vazhdon të mbetet i njëjtë. Ai vazhdon të mbetet i tillë, i tkurrur, duke bërë kështu që folklorit t’i pranohet vetëm ana letrare, pra vetëm ajo poetike, dhe kështu folklor të konsiderohet vetëm Letërsia popullore, ose Letërsia gojore, pra vetëm aspekti letrar i saj, por asnjëherë ai të shihet për tërësinë e tij shprehëse gojore, si shprehje edhe kulturore, edhe tradicionale, edhe regjionale, edhe kontekstuale, edhe nga aspekte të tjera jashtë letrare. Studimet që i bëhen folklorit sot, janë gjithmonë të orientuara kah folklori i traditës, kah krijimet e folklorit në të kaluarën dhe vlerat “e mirëfillta” që kishte ai. Kjo mund të dëshmohet qartë nga studimet për folklorin shqiptar që botohen në Prishtinë e Tiranë, të cilat gjithmonë pikë referimi i kanë përmbajtjet, gjegjësisht temat historike në folklore. Madje edhe atëherë kur ato janë të orientuara kah studimeve teorike të zhanreve, lënda që merret në trajtim është nga krijimet tradicionale. Në studimet e tjera ku bëhet kërkimi i autenticitetit folklorik te zhanret e ndryshme, ai gjithmonë matet në raport me karakterin e tij historik, duke insistuar kështu në idenë se vlerat e vërteta të folklorit janë vetëm ato që mbesin pas filtrimit që u bëhet gjatë një qarkullimi të caktuar në kohë. Në këtë kontekst, edhe studimet që bëhen për ndonjë zhanër të caktuar nga letërsia gojore, apo edhe vetëm për një figurë stilistike në këtë letërsi, lënda që do të merret në trajtim është gjithmonë ajo që i ka mbijetuar filtrit kohor, pra gjithmonë materiale nga historia.

 

Statusi i lëndës së studimit dhe…

Një çështje tjetër që ndërlidhet me problemin e kësaj disipline te studimet shqiptare, është çështja e definimit të materies. Duke u nisur nga koncepti mbizotërues në këto studime, se folklori është art letrar dhe se me të duhet të merret pak letërsia, por jo disiplinat e tjera, madje as etnologjia, vijmë te përgjigjja se ky koncept folklorin e sheh vetëm si tekst, por jo edhe si kulturë (materiale e shpirtërore), jo si shprehje sociale, as rrethanore, as historike, as interaktive etj., nuk e sheh si performancë, si një tërësi formash shprehëse, por e redukton vetëm në aspektin letrar e gojor dhe atë vetëm artistik. Përderisa Folkloristika evropiane dhe ajo botërore, e ka tejkaluar prej më se një gjysmë shekulli (diku më pak e diku më shumë se aq) këtë definicion të folklorit, ne vazhdojmë ta shohim vetëm si art i fjalës, ta mbledhim vetëm si tekst dhe ta analizojmë vetëm nga aspekti teoriko-letrar. Madje, edhe si art i fjalës ai pranohet shumë i tkurrur, kur e kemi parasysh faktin se ka departamente të tëra të studimeve letrare që e kanë mënjanuar fare studimin e folklorin, duke harruar kështu edhe se “Folklori është mitra e letërsisë”, siç thoshte Propp. Definicioni se “Folklori është i pranishëm në shumë forma të komunikimit informal, qoftë ky verbal, (i folur ose i shkruar), zakonor (sjelljet, ritualet) ose material (objektet fizike), për njerëzit dhe për mënyrën se si ata mësohen, që na ndihmon ta njohim veten dhe ta kuptojmë botën që na rrethon” (Sims&Stephens“Living Folklore”), i cili e ka përfshirë sot folkloristikën ndërkombëtare dhe është i pranishëm si koncept te pothuajse të gjitha institucionet akademike që merren me studimin e folklorit, ende nuk ka arritur në Folkloristikën shqiptare. Idetë se folklori është i pranishëm kudo, në qytete, lagje, fshatra, familje, grupe të punës dhe konvikte, se nuk është i pranishëm vetëm te të paarsimuarit, se nuk është vetëm një formë tjetër e antropologjisë ose e studimit letrar, se nuk është “kulturë popullore”, se nuk është krijim vetëm i shtresave të caktuara: fshatare, elitare, zyrtare etj., se nuk duhet patjetër të bartet nga brezat, se nuk është e domosdoshme të jetë art sinkretik, se krijohet edhe në internet e në “Facebook”, janë ide që nuk gjenden te studimet shqiptare të folklorit. Përderisa, zhvillimet akademike të folkloristikave botërore, të cilat vijnë si rezultat i zhvillimeve të vazhdueshme të lëndës së folklorit në terren dhe i nevojës së disiplinës për përparim të vazhdueshëm të metodave dhe qasjeve, folklorin e definojnë si njohuria jozyrtare që e kemi fituar në mënyrë joshkollore për botën, veten tonë, për komunikimin tonë, besimet tona, kulturat dhe traditat tona, dhe që e shprehim në mënyrë kreative nëpërmjet fjalëve, muzikës, zakoneve, veprimeve, sjelljeve dhe kulturës materiale. Është gjithashtu një proces krijues interaktiv dhe dinamik i komunikimit dhe paraqitjes së këtyre njohurive tona në raport me të tjerët, te ne shqiptarë një koncept i këtillë nuk ekziston, as si teori e as si praktikë.

 

…mundësitë për përparimin e saj

Duke pasur mundësinë që të përcjellim hapat dhe trendet e zhvillimeve të folkloristikave joshqiptare, në rajon, por edhe më gjerë, sot nëpërmjet internetit, por edhe nëpërmjet mundësive të studimeve në institucionet jashtë vendit, nëpërmjet pjesëmarrjes në konferenca, nëpërmjet përdorimit të literaturës që botohet jashtë, por edhe nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me kolegët joshqiptarë, mundësi këto që janë tërësisht të ndryshme nga ato të para pesëdhjetë viteve në Folkloristikën shqiptare, pse ne hezitojmë të jemi të ndryshëm nga brezat para nesh? Pse vazhdojmë të mjaftohemi me ato që janë bërë në Folkloristikën shqiptare? Pse madje shkojmë edhe më prapa tyre, në vend se të shkojmë hapa përpara, duke e reduktuar mundësinë e kësaj disipline në hapësirën akademike? Pse jemi kaq dorështrënguar, por edhe të pavullnetshëm, në zhvillimin e saj (Folkloristikës), përderisa vazhdojmë ta prodhojmë këtë materie (folklorin) çdo herë e më shumë në përditshmërinë tonë? Ideja për një takim profesional të studiuesve të folklorit nga të gjitha institucionet akademike shqiptare, ku do të debatoheshin çështjet terminologjike, konceptuale e strukturore të kësaj disipline ndër ne, por edhe ku do të merrte kah dhe orientim sistemi i hulumtimeve dhe studimeve të ardhshme të kësaj disipline, është urgjente. Takimi ose disa takime të këtilla, me profesionistë të nivelit akademik, do të mundësonin koordinimin e shkollave shqiptare të Folkloristikës, duke u dhënë kështu rast studimeve sistematike dhe të harmonizuara mes vete, por edhe me trendet në rajon e më gjerë. Koordinimi i programeve të studimeve në nivelet akademike, qoftë edhe duke i dhënë veçanti cilësore njërës shkollë nga tjetra, me qëllim pasurimi të shkollave dhe metodave, do të ndikonte në aftësimin e drejtë dhe të saktë të profesionistëve, të këtyre fushave. P.sh., shkolla e Tiranës mund ta vërë theksin në studimet e bazuara në materialet arkivore, për shkak të lëndës së pasur që ka në arkiva, përderisa shkolla e Prishtinës, mund të vërë theksin te studimet e performancës, për faktin se terreni në Kosovë ende ofron mundësinë e regjistrimit të performancës së gjallë, siç është rasti me këngët epike apo edhe nga materiali i pasur, trende këto, që do të mundësonin mjaft për ta modernizuar vetë konceptin për Folkloristikën shqiptare. Kuptohet që e tërë kjo kërkon vullnet e punë serioze dhe strategji të nivelit akademik shqiptar, të cilat në rastin e zhvillimit të disiplinës së studimit të folklorit shqiptar, kësaj “mitre të kulturës sonë kombëtare”, nuk i kemi në masën e duhur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama