Kriza e idealit estetik
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Situata e sotme është jo vetëm e ndërlikuar, por edhe e turbullt, madje konfuze, e ngarkuar edhe me optimizëm të trëndafiltë, por edhe me zhgënjime të zymta për artin, aq sa është e vështirë të zgjedhësh, midis opinioneve të shumllojta, të ndryshme e të kundërta që qarkullojnë, ndonjë paradigmë orientuese që të përcillte qartësi e siguri dhe të ishte estetikisht produktive, duke nxitur brenda kontekstit të lirisë së mendimit, pluralizmit konceptual dhe demokracisë, talentet, mjeshtëri të përsosur dhe individualitete krijuese të çdo fushe të arteve, veç e veç e në tërësi. Të shprehemi në një mënyrë më konkrete: artistë dhe amatorë të artit e kanë humbur sigurinë në zgjedhjen e shijeve dhe parapëlqimeve estetike, kanë me të drejtë shqetësime të shumta e duan të dinë: Nga do të ishte më mirë të anonin, nga drejtimet estetike e artistike të tipit klasik, neorealist, nga ato moderniste e postmoderniste apo nga modele përtej tyre, që vërshojnë sot dhe që shpresohet se do të qarrkullojnë në botën e qytetërimit të pritëm?
Nuk bën që estetika metateorike bashkëkohore t’i shmangë të tilla pyetje, prandaj në Vëllimin e tretë të “Universit estetik”, ne jemi përpjekur të dallojmë përtej konfuzionit ekzistues tre prirje kryesore: së pari, opinionin e atyre që shprehen entusiaztë përparadigmën nonklasike të modernizmit e postmodernizmit; së dyti, paradigmën e ithtarëve të artit e të estetikës klasike dhe, së treti, prirjen për të ecur drejt një estetike integrale, që përthith vlerat pozitive bashkëkohore të të dy këtyre drejtimeve kryesore, duke e argumentuar me karakterin e vetmjaftueshëm estetik të kulturës artistike bashkëkohore, ashtu siç është, e pranueshme me të mirat e kufizimet historike të saj. Ne e kuptojmë se sa e vështirë është të pozicionohesh në këtë situatë dhe të ofrosh qoftë edhe një koncept relativ ose eklektik, të pranueshëm nga të gjithë.
Prandaj, qysh në krye të këtij libri, duam ta konkretizojmë qëndrimin që do të mbajmë, duke e shqyrtuar artin nga pikpamja e estetikës metateorike, një problem kyç ky për të ardhmen e artit. Pa përsëritur ato që kemi thënë për mendimet e Hegelit, Niçes e ndonjë tjetri të atyre kohëve, mund të përmendim se konfuzioni i pikëpamjeve të sotme për artin, vjen edhe nga propagandimi i tezës që paralajmëron “vdekjen e artit”, duke e lidhur me një situatë krize të artit bashkëkohor, me zikzake e ulje-ngritje të përkohëshme, por të vazhdueshme të tij. Nuk janë të paktë studiuesit që, për mirë apo për keq, i besojnë kësaj pikpamjeje, të cilën edhe ne në punimet e viteve të fundit e kemi pranuar, madje jo thjesht si një situatë specifike të periudhës së transicionit “tonë” (tashmë 18-vjeçar, të paktën) të braktisjes së “socrealizmit” dhe të kopjimit të metodave “moderniste” e “postmoderniste”, por krizën e arteve e kuptojmë të shtrirë edhe më gjerë, madje guxojmë të themi në shkallë botërore, po të kemi parasysh sidomos proceset e globalizimit, që godasin traditat e mëparshme të çdo lloji dhe afirmojnë tipare të një kulture kozmopolite, ndryshe, ndërkombëtare (internacionale). Edhe më fort bëhet i besueshëm varianti i krizës së idealit estetik dhe i vdekjes së artit në atmosferën e sotme të hipotezave katastrofike ekologjike, klimatike të pritshme.
Duke u ndarë prej këtij faktori të fundit, ne e kemi pranuar prej kohësh për ta diskutuar shprehjen e vdekjes së artit dhe të krizës së arteve moderne; këto ide nuk janë absurde ose banalitete, që po e përcjellin pas njerëzimin tash një shekull e gjysmë, por ne mendojmë se gjatë përsëritjes së këtyre sintagmave nuk është futur dhe nuk futet as tani një kuptim i vetëm; ato ne i kemi konsideruar e i konsiderojmë si shprehje të zhvillimeve tejet kontradiktore të kulturës artistike mbarënjerëzore. Kur paralajmëronte Hegeli mbi “vdekjen e artit” drejt së ardhmes, ai nuk desh të thotë se arti do të zhduket, se po të ishte kështu do të rrëzohej edhe skema e tij e treshes të Frymës Absolute: Arti – Feja – Filozofia, që mbyll zhvillimin e idesë absolute dhe sistemin e tij filozofik; nuk do të kishte qenë ai që pat thënë: “Unë jam i bindur se akti më i lartë i arsyes, që pushton gjithë idetë, është akt estetik dhe e vërteta dhe mirësia bashkohen me shpërgaj amëtarie te bukuria. Filozofi, ashtu si poeti, duhet të zotërojë dhunti estetike. Filozofia e frymës është filozofia estetike”. Hegeli mendonte se në shek. XIX në jetën e shoqërisë do të rritej pesha e mendimit shkencor, filozofik, e racionalizmit dhe do të zbehej roli i artit, aq më tepër kur ai e pa të rritur skajshëm frymën e subjektivizmit të romantizmit gjerman. Por “plakut” të mençur gjerman, nuk i shpëtoi zbulimi i disa rrethanave ekstraartistike, sociale, që e zbehnin rolin e artit në kohët moderne; ai mendonte se me zhvillimin e “shoqërisë civile, të mbështetur në pronën private borgjeze” nuk mund të mos mbizotëronin individualizmi dhe etja për fitim, dhe me to edhe komercializmi, që e ngre në rangun e një ligji sundues ligjin e shkëmbimit të mallrave, i cili i tërheq në vorbullën e tij edhe artete brishta, që shtyhen drejt subjektivizmit e individualizmit. Në këtë situatë, sipas Hegelit, ndodh procesi i zhvillimit të pabarabartë të arteve, që gjymton artet e idealin estetik. Ky konstatim i Hegelit ishte një zbulim i madh shkencor dhe, njëkohësisht, edhe një paralajmërim i hidhët drejt së ardhmes, kur shkëmbimi i mallrave u bë më i plotfuqishëm, sundues.
Prandaj, ne mendojmë se edhe në shek. XX janë futur dhe vazhdojnë të futen kuptime të ndryshme në shprehjen “vdekja e artit”. A qëndron kjo shprehje për atë çka po ndodh në këtë kohë? Ne mendojmë se kjo shprehje për një pjesë njerëzish, të mësuar ekskluzivisht me klasikën, ka përcjellë shqetësimin e tyre për vdekjen reale të artit, kur vinin re idetë e avangardistëve, eksperimentet ekstravagante të tyre, kur shihnin shishen e Boçionit ose pisuarin e Dyshanit, “pikturën” me fotografinë e një fytyre të përsëritur dhjetëra herë brenda një pllakati, vizatimin e një diagrame gjeometrike të nxjerrë nga teksti i fizikës, bishtkalin e Hartungut, poezinë e O.Homringerit: (Ping-pong/-ping-pong-ping/pong-ping-pong/ping-pong) osevariacione poetike ( -!-!-!-!-! / -0-0-0-0-0 /-/-/-/-/-/) etj. E vetmja cilësi e tyre është befasia e jashtëzakonshme. Të tilla keqkuptime nuk mbajnë për shikuesin e zakonshëm asnjë lloj cilësie artistike, nëqoftëse nuk përdoren me sens ironik për të përqeshur shikuesit amatorë e snobë me vepra supermoderniste; por gjithsesi, me të tilla mallra të shitshme në treg, studiues dhe amatorë të arsimuar nuk mund të mos arrinin në përfundimin se arti është duke vdekur, por të tjerë, “modernë”, i kanë vlerësuar si “art tronditës, që i zgjon të përgjumurit nga qetësia e klasikës”. Të përdoret në poezi fjala pa kuptim apo me kuptim, vetëm tinguj të beftë të alfabetit apo t’i imponohet asaj fuqi pikture për mbarë, estetikisht apo për kot, për ekstravagancë?
Estetika metateorike nuk mund të kënaqet me një kritikë thjesht refuzuese; ajo shkon më tej, për të shpjeguar edhe burimin e tyre. Dhe për të mos patur keqkuptime, po përmend një kritik perëndimor të marksizmit, Mishel Dyfren, i cili jep këtë shpjegim: “Ka njerëz që duan t’ia përshtatin artit të pazakonshmen, e cila u dhuron kënaqësi. Dansi udhëheq ligjërimin e tyre. Veç kësaj, është komercializmi kapitalist, që i kthen ato në vlera këmbimi; vepra matet me vlerën e një malli ose me prestigjin, që i vishet zotëruesit, blerësit dhe llafazanit që i mburr me fjalë. Por theksojmë edhe një herë se kjo krizë tregtie nuk është thjesht krizë prodhimi. Nga që të tilla sajesa lindin keqkuptime, indiferencë ose mbulesa të mërzisë,por prej saj nuk rrjedh se ka shterur fuqia krijuese e artit”, domethënë se arti ka vdekur. Ai na habit me ripërtëritjen e gjallësinë e vet të papritur.(M. Dufrenne - Esthétique et philosophie. T.2, Paris,1976,P.157).
Ne mendojmë se po t’i lemë mënjanë shembujt e tejskajshëm moderniste, në shek. XX ka patur edhe një varg të tërë krijimesh eksperimentale të modernizmit e postmodernizmit, të sajuara larg parimeve të klasikës artistike dhe të kundërta me to, që nuk bën të vlerësohen në mënyrë kategorike me kuptim univok, thjesht pozitiv ose negativ. Ne po e pranojmë si hipotezë punese ka krizë në art; dhe kjo mund të pranohej kur shenjat e saj duken jo në ndonjë ose disa vepra të veçanta artistike, por në gjithë llojet e sotme të arteve. Ne e kuptojmë këtë krizë jo vetëm të artit, por edhe si krizë gjykimi, vlerësimesh estetike, që përcillet edhe me kritikë, por edhe me autokritikë...
Shumë kollaj tërësia e këtyre prirjeve universale e të tjera si këto, mund të prezantohen si shenja krize, madje edhe si paralajmërime të vdekjes jo vetëm të klasikës, por edhe të artit në përgjithësi, madje si ngadhnjim total i nonklasikës. Por ne mendojmë se mund të ketë interpretime të tjera alternative jo më pak të besueshme.
Ka produkte të këtyre prirjeve që rrojnë dhe formojnë pjesën klasike të modernizmit e postmodernizmit, siç ka edhe mjaft syresh që zhduken, që s’lenë as nam as nishan, ndoshta ngaqë u kanë munguar, s’kanë patur shumë nga ato cilësi estetike, sidomos atë përsosmëri, që sjellin në art bukuri të pavdekshme. Me miliona romane e përmbledhje poezish botohen përvit në botë, me orientime nga më të ndryshme ideore e artistike, klasike e nonklasike, por treten, humbin, shuhen jo vetëm për miliarda lexues, por edhe për një ushtëri të tërë historianëshe kritikësh, specialistësh të artit. Kurse kyproces mund të shihet, ndryshe, do të thoshim, si një vdekje e natyrshme, siç ndodh në botën e gjallë në natyrë, një zëvendësim gjeneratash. Kjo do të thotë se arti vdes, që të ringjallet me fat të ri. Në vitet e para të transicionit në vendin tonë shumëkush priste i dëshpëruar një vdekje të vërtetë të artit, i cili mori goditje të rënda, por së bashku me to pushuan së qeni “socrealizmi” dhe gjithë faktorët e mekanizmat që e kishin mbajtur gjallë, shoqëria në krizëpërhapi krizën edhe në kulturën artistike, por gjithsesi, mund të themi, se arti nuk vdiq; tregu i librit, i arteve, sidomos spektakolare dhe i diskutimeve për artin kanë filluar të rriten e të shtrihen në ato përmasa e sinore, që janë karakteristike për shoqërinë bashkëkohore, qoftë përmes imitimesh të modeleve të “kohës së humbur”, prej së cilës do dalin edhe leshterikë, edhe filiza të rinj talentesh. Edhe në rrethana të disfavorshme, janë të gjallë Orfeu dhe Narcisi, Erosi e Thanatosi, ambicia për art, që ushqehen nga genet dhe vitaliteti i “racës sonë”.
Eshtë provuar tashmë se shqetësimet e frika për krizën e vdekjen e artit jo vetëm tek ne, në vendin tonë, por edhe kudo në botë, kanë jetuar e ndeshur në kohët e reja nën kupolat e ideologjive dhe Pushtetit shtetëror, ekonomik e kulutror, që sillnin deformime të rënda në atmosferën krijuese të artit, nënshtrim ndaj politikës, vartësi ekonomike, kufizim lirie, ndotje antiestetike, servilizëm oborrtar. Në këto rrethana nuk mund të mos lindnin shqetësime e dëshpërim për fatin e artit e shpresave të tjera. Të shumta kanë qenë pengesat, sidomos në vendin tone, ku zgjati shumë autokracia diktatoriale me ngjyra të ndryshme; haraçe të rënda pagoi edhe arti, ndonse të paaftët e mediokrit e gjenin veten mirë, duke u shërbyer regjimeve autoritare. Megjithkëtë, në atmosferën asfikuese të “mbretërisë socrealiste”, të talentuarit, që mbyteshin, vdisnin po të heshtnin, gjenin shtigje sado të ngushtë t’u rrëshqitnin presioneve ideologjike dhe direktivave partiako-shtetërore dhe, duke e kuptuar ose pa e kuptuar mirë, shmangnin “gërdecet”, gjenin e shfrytëzonin jo vetëm shtigjet, poredhe ligjet estetike dhe sillnin oksigjen në jetën shpirtërore me vepra të shquara.
Tashmë është provuar se arti nuk vdes në qoftë se nuk ec në rrugën e privilegjeve, e nënshtrimit ndaj pushtetit e ideologjizimeve të ngjyrosura, rreziqeve që nuk mungojnë. Në kaosin e sotëm ideologjik e politik, në krizën estetike ekzistojnë mundësi edhe për mirë, edhe për keq, që mund të përballohen me ndjenja të larta qytetarie, përgjegjësie, sakrifice dhe guximi për të mos e shndërruar talentin artistik në mall tregu, që shitet e blihet. Situatën e shek. XX Zhak Mariteni e vlerëson në mënyrë të dyanëshme, duke evidentuar edhe mundësitë e shumta për krijimtari të lirë, por edhe rreziqet. “Unë kam parasysh,-shkruan Mariten, - se artisti bashkëkohës është i fituar nga koha e tij me privilegjin e vetëm, që i dhuron progresin në vetdijen,i cili është realizuar këtë shekull;ai e di se procesi poetik dhe vepra artistike janë rrëfim i Unit krijues; dhe prandaj gëzon një liri të pakufizuar. Por ky privilegj dhe kjo liri përbëjnë edhe një rrezik dhe risk për të. Sepsenë kthesën drejtthelbit të vet dhe për të zotëruar e shprehursubjektivitetin e vet, ai mund të gjendet i shkëputur nga sendet dhe i burgosur, i ngujuarnë kullën e vetvetes; ai mund të humbë njëkohësisht shkëndijën poetike të krijimit, nëqoftëse harron që Uni krijues mund të shfaqet vetëm në unitet me realitetin”.
Prirjet e dukuritë e “kohës së humbur”, që i përmendëm më sipër, janë shfaqur edhe tek ne në kohën e sotme me dyfytyrësinë e tyre, me natyrën e tyre alternative, me rreziqe që e çojnë talentin drejt vdekjes dhe me mundësitë për të aktualizuar gjithë fuqinë, energjitë e brendshme të talentit. I vetmi qëndrim estetikisht produktiv ndaj tyre është qëndrimi përzgjedhës, i kujdesshëm për të ndarë shapin nga sheqeri, për të mos përsëritur gabimet, humbjet e përvojat e hidhura të të tjerëve, që dikur patën rrëshqitur nga shiu në breshër.Ka në historinë e kulturës artistike të shek. XX një fakt tragjik për shumë krijues: duke besuar se i kundërqendronin Pushtetit e komercializmit, iu dorëzuan aventurës avangardiste, që hidhte poshtë gjithë rrugën e klasikës, e përsosmërisë, e idealit të trinitetit të shenjtë – Bukurisë, Mirësisë dhe Dashurisë; dhe e pësuan; pati midis tyre që u ndanë nga kjo rrugë me kohë, që përqafuan mundësitë për të ecur përpara, duke krijuar klasikën e nonklasikès, kryemjeshtra të modernizmit e postmodernizmit. Këta i shpëtoi besnikëria ndaj idealit të bukurisë.
Kjo përvojë është instruktive edhe për ditët e sotme, edhe për vendin tonë. Jeta e sotme dhe atmosfera shpirtërore e saj është, gjithashtu, dyfytyrëshe, nga njëra anë, thanatosi, “Gërdeci” dhe, nga ana tjetër, mundësi të shumta të lulëzimit të arteve. Rreziqe ka: imitimi i verbër, duke ngjyer në lëngun e lëngut të lavdisë të të tjerëve. Por rreziku më i madh, sipas M. Dyfrenne, është lufta kundër bukurisë së artit: “Vdekja e artit, -ka shkruar ai,- vjen nga lidhja e lëvizjet spontane në proces të krijimtarisë, dhe pikërisht aty ku ky proces shkatërron “formën e bukur” dhe sjell ndërprerjen e lidhjeve, izolim dhe kaos, me fjalë të tjera, sjell atë shëmtim, i cili edhe në vepra klasike përndjek, godet me këmbëngulje bukurinë”.
Një tjetër rrezik: të ushqehesh e të prodhosh pilula të pashme, por të zbrazëta, si disa ilaçe të skaduar. Këtë e dëshmon edhe ndryshimi i fjalëve, i termave. Në vlerësimin e veprave, krijimeve e shfaqjeve artistike askush nuk guxon sot të përdorë fjalën e vjetër démodé të Bukurisë, që është zëvendësuar nga fjala moderne: Performanca. Bukuria ka mbetur pronë e salloneve të “Estetikës” së floktoreve, që realizojnë zbukurimin kozmetik të fytyrës, një pamje feksëse, befasuese, e jashtëzakonshme, pra, performance të pëlqyeshme. Por kjo kozmetikë shtrihet rrezikshëm në fushat e artit, ku kërkohet e jashtëzakonshmja, pamja e jashtme, trupi sa më i gjithllojshëm, i zhveshur lakuriq, pudra, buzëkuqe e kremra, maska të modës, që fshehin fytyrën e vërtetë. Nuk kam asgjë kundër prezantueseve e folëseve të qëndrave televizive, por flas për shtrirjen e performancës, e këtij makiazhi edhe në gjithë llojet e tjera të arteve, ku fitohet me anë të përdorimit aktiv të shëmtimit, deri edhe të fjalëve të ndyra, si kripa në gjellë, dhe harrohet përpjekja për të krijuar bukuri të vërtetë, për të hyrë në thellësitë e botës shpirtërore të njeriut, harrohen ligjet e krijimit sipas të bukurës, ideali estetik.
Gazeta: Shekulli