Tiranë, 26 Tetor/ATSH/ - Shqipëria është e gatshme të përmbushë rolin e saj si vend kandidat i BE-së, në raport me krizën e refugjatëve me të cilën po përballet së fundmi Evropa, e në veçanti Ballkani.
Këtë gatishmëri e shprehu Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të krerëve të shteteve përgjatë rrugës migratore të Ballkanit Perëndimor, të thirrur nga Presidenti i Komisionit Europian, Junker, me qëllim dakordësimin për disa masa operative të menjëhershme për menaxhimin e situatës së krijuar në rajon me flukset e pakontrolluara të refugjatëve nga Lindja e Mesme.
Kryeministri Rama mori pjesë në këtë takim përkrah lidervë të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Suedisë.
Siç informon zyra për shtyp e Kryeministrisë, në këtë takim është miratuar një deklaratë e përbashkët që përmban 17 pika operative duke filluar nga detyrimi i shkëmbimit të informacionit në mënyrë të rregullt për flukset dhe nevojat, detyrimi për informimin paraprak për lëvizjen e refugjatëve në kufijtë e vendit fqinj, sigurimin e strehëve përgjatë rrugës ballkanike për refugjatët në lëvizje, menaxhimin efiçent të flukseve nëpërmjet regjistrimit, kthimeve dhe shtimit të bashkëpunimit për zbatimin e marrëveshjeve të ripranimit me vendet e treta, si dhe menaxhimin efektiv të kufijve.
Kryeministri Rama shprehu gatishmërinë për zbatimin nga Shqipëria të masave operative të dakordësuara brenda një plani të përbashkët veprimi të BE-së për menaxhimin e krizës së refugjatëve.
/b.k/ /a.g/