TIRANË, 25 Tetor/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në samitin për krizën e refugjatëve, ku po diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj fluksit masiv të refugjatëve, të larguar kryesisht për shkak të luftës në Siri, të cilët kalojnë tranzit në vendet e Ballkanit.
Samiti ka mbledhur në një tryezë bisedimesh dhjetë vendet e Bashkimit Evropian si dhe liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Në një prononcim për mediat para fillimit të punimeve të samitit, Kryeministri Rama u shpreh se "besohet që me ardhjen e dimrit ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt vendeve tona".
"Ky takim është një domosdoshmëri për t'u koordinuar në nivelin rajonal dhe europian dhe padyshim edhe Shqipëria ka vendin e vetë në këtë moment kaq delikat dhe të rëndësishëm për atë që jemi dhe atë që do të jemi nesër si europianë", tha Rama./m.m/