Saranda, “kamerdarja” ime
Dhimitri Kacikadais është nga grekët e parë që ka dashur t’i ikë krizës, duke i ikur edhe Greqisë. Ka qenë muaji shtator i këtij viti kur ai vendosi ta lerë qytetin e Patrës, qytetin e lindjes dhe të biznesit të tij për Sarandën. Emri i tij, Dhimitri, i konvertuar në Xhimi (Jim), në një trajtë më perëndimore, zë vend tani në tabelën e një lokali që ka vetëm një muaj i hapur mbi shëtitoren e këtij qyteti. "Jim & Lori" quhet psistarjaja e hapur së fundmi, ku nuk gjen vend të ulesh, sidomos darkave. Lokali mban emrin e tij dhe të Lorit, partneres së tij sarandjote.
“Kjo është arsyeja e dytë që më solli këtu", - thotë plot humor dhe çiltërsi Dhimitri, ndërkohë që i hedh vështrime dashurore Lorit, me të cilën kanë krijuar familje dhe kanë ngritur këtë biznes në qytetin më jugor shqiptar. Kur e pyesin se cila është arsyeja e parë, ai thotë menjëherë e si pa u menduar fare: "kriza greke". Ajo ishte e para që më bëri "refugjat" tek ju, thotë Dhimitri, dhe Saranda u bë "kamerdarja" ime për t’u shpëtuar kthetrave të krizës.
“Kisha të njëjtin biznes si ky edhe në Patra, një psistarja të kohës dhe me klientelë të ngritur. Ende nuk ka vajtur puna tek buka, bukë hanim e prapë mund të hanim, po puna ka rënë tmerrësisht. Papunësia ka bërë që grekët dhe të emigruarit në Greqi të kursejnë njëlloj dhe të mos ia japin gjithmonë vetes as atë që ua kërkon stomaku. Nuk ka më grekë që prishin euron pa iu dhimbsur nëpër buzukë e kazino. Bashkë me pakësimin e burimeve të euros që vinte pa djersë, me marifete të marrjes nga shteti, fondacione e shoqata, pakësohen edhe njerëzit që shpenzojnë shuma të mëdha. Punët kanë nisur të mbyllen dhe e nesërmja nuk dihet çfarë të rejash të papëlqyera do të sjellë. Unë iu tremba kësaj dhe i ika”, - thotë Dhimitri. Ai parashikon se, “në 2011-n kriza tregoi vetëm buzët, në 2012-n që presim të vijë punët do të jenë edhe më keq se kaq, ajo do të tregojë dhëmbët”.
I themi se duket si aventurë edhe kjo që ka bërë, duke ngritur një biznes nga e para në një vend të huaj, në një qytet ku askush nuk e njeh e mbase nuk gjen arsye për të ardhur në psistarjanë e tij. “Kjo është një përshtypje, por jo e gjithë e vërteta, shprehet Dhimitri. E para, se në Shqipëri dhe në Sarandë jeta është në ndërtim e në lëvizje, dhe jo në prapaktheu.
Gjykoj se është shumë e rëndësishme edhe ana psikologjike. Në Greqi, përveçse kriza ka pamjen e saj ekonomike, është edhe psikologjike. Nga ministrat deri tek sipërmarrësit e tek punëtori me ditë pune, fjalën më të lakuar kanë fjalën ‘krizë’. Ndërsa tek ju kam dëgjuar të flisni për ndërtime, për projekte, për investime të reja e biznese të reja. Ju mund të kini më pak të ardhura si nivel, por njeriu do hajë dhe kërkon të hajë mirë, duke paguar po aq sa paguan në çdo lokal në Sarandë”. Dhimtri thotë se shumë nga produktet që serviren në lokalin e tij "Jim & Lori", i kalon vetë nga dora e tij dhe në lokalin e tij gatuhet sikur çdo gjë të konsumohej vetë. Në filozofinë e tij, kur klienti e shikon se për të njëjtën pagesë, ushqehet më cilësisht dhe merr shijen e gatimeve greke, nuk ka arsye përse të mos i llogarisë sarandjotët dhe vizitorët e turistët si klientë të lokalit të tij. Kësaj i shton edhe faktorin grua. "Lori, gruaja ime sarandjote, është shumë e njohur, njeri publik prej vitesh në këtë qytet me klimë dhe njerëz të ngrohtë, dhe kjo më bën të besoj se nuk e kam ngritur si në rërë biznesin tim, por në një terren të gatshëm".
Me humor ai shton se, "tani jam unë emigrant grek në Shqipëri". Kur akrepat e orës ecin mbrapsht, ai që di të orientohet saktë, e mat kohën me diellin e jo me orën, shprehet ai, duke treguar se njeh mirë edhe filozofinë e jetës, së bashku me ligjet e biznesit.