Kriza financiare prek edhe librin shqip

Kriza financiare prek edhe librin shqip
Në stendat e Panairit të 14-të të Librit “Tirana 2011” do të ketë më shumë tituj të rinj se sa në edicionet e shkuara, ama në total, numri i botimeve të reja është përgjysmuar në vitin 2011, krahasuar me afro 2700 titujt e botuar në vitin 2010. Shkak për këtë është kriza financiare e cila nuk mund të as kursente librin. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri për të parën herë bën publike shifrat të cilat flasin për këtë përgjysmin të botimeve në vend.

“Deri në fund të muajit tetor-deklaron botuesi Ymeri, nga të dhënat që kemi marrë nga Biblioteka Kombëtare, rezulton se janë botuar 965 tituj të rinj në këto 10 muaj të 2011-ës. Pa llogaritur këtu titujt që do publikohen për herë të parë gjatë panairit, që sipas informacioneve tona do të jenë rreth 500 tituj, numri më i madh deri më tani në ndonjë panair i titujve të rinj”.

Përkundër këtyre shifrave optimiste për titujt e rinj gjatë panairit, duket se situata për botuesit është dramatike. Kriza financiare është shpjegimi i vetëm që ka ccuar botuesit shqiptarë në këtë situatë. Botuesi Ymeri deklaron se “në vitin 2010, janë botuar 2692 tituj të rinj. Kjo është një diferencë shumë e madhe dhe do thoja alarmuese për editorinë shqiptare”.E tani, botuesve të prekur nga kriza financiare globale, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të shpresojnë që kjo situatë do të përmirësohet e që ky fundvit dhe botimet e reja gjatë panairit dhe pas tij, ta përmirësojnë këtë situatë.

“Ne jemi me shpresën që deri në fund të këtij viti, numri i botimeve të reja do të rritet, ama na duhet të theksojmë se është një problem tepër i madh”-thekson kreu i Shoqatës së Botueve Shqiptarë në këtë analizë në prag të çeljes së edicionit të 14-të të Panairit të Librit, një ngjarje e rëndësishme për hapësirën mbarëshqiptare. Sa i takon këtij eventi, organizatorët bëjnë me dije se do të jenë 90 subjektet ekspozuese në këtë panair, doemos kryesisht janë shtëpi botuese por edhe librarë, universitete që do të paraqiten me botimet e tyre dhe fondacione ndërkombëtare që ndër të tjera operojnë edhe në vendin tonë.

Botuesit këtë vit premtojnë tituj dhe autorë të rëndësishëm, disa prej të cilëve vijnë për herë të parë në shqip. Panairi i 14-të i Librit “Tirana 2011” do të çelet pasditen e 9 nëntorit në Pallatin e Kongreseve me një ceremoni ku janë të ftuar të marrin pjesë personalitete të libit dhe kulturës në vend, dhe do të qëndrojë i hapur deri mbrëmjen e 13 nëntorit për të gjithë lexuesit që mund të gjejnë aty titujt e botuar përgjatë 20 viteve në vend apo edhe titujve të hershëm në shqip.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama