Kriza greke dhe ambicia e humbur e Venizelosit

Kriza greke dhe ambicia e humbur e Venizelosit
Evangelos Venizelos ka kohë që ka një qëllim të vetëm në mendjen e tij: të shndërrohet në liderin e ardhshëm të vendit të tij. Që kur e emëruan si ministër të Financave të Greqisë, fati i tij politik është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me atë të Kryeministrit aktual, Papandreu, ish-rivali i tij.

Evangelos Venizelos është në një moment shumë të vështirë. Pasi ka bërë thirrje disa herë për unitet kombëtar në kuadrin e luftës ekzistenciale të vendit të tij, për shkak të krizës së borxhit, ai po qëndron edhe njëherë përballë anëtarëve të Parlamentit. Kërkon që t’i bindë për të votuar planin e ri të shtrëngimeve të shpenzimeve publike dhe për të “mos luajtur me zjarrin”. “Rrezikojmë që të djegim veten”, ka shtuar ai.

Më pas ai përkulet para podiumit në të cilin ndodhet me kokën e ulur paksa poshtë, si ai demi në prag të sulmit. Më pas merr frymë dhe vazhdon: “Ne jemi në një gjendje lufte”, u thotë anëtarëve të Parlamentit. Nuk është e qartë se e ka fjalën për luftën financiare, apo rezistencën me të cilën priten nga grekët paketat e shkurtimeve të shpenzimeve. Ai vazhdon të thotë se megjithëse situata është shumë e keqe, Greqia ende nuk është duke përjetuar as fazën më të rëndë të krizës. Sipas tij, kjo është arsyeja që të gjithë duhet që të përpiqen në këtë moment që të mos e lejojnë ardhjen e kësaj faze. Sipas tij, asgjë nuk vlen më shumë se shpëtimi i këtij momenti. Duket se ndërsa flet i ka sosur durimi dhe është shumë i irrituar. Është i lodhur së shpjeguari të gjitha telashet financiare me të cilat po përballet vendi. Sepse ka muaj e muaj të tërë që e bën një gjë të tillë. Nuk lë kurrë dyshime në lidhje me dijeninë që ka për gjithçka që ka të bëjë me financat e vendit dhe me situatën aktuale në të cilën ato ndodhen. Veçanërisht kur ndodhet në Parlament. Ai shpjegon gjithçka përmes një monologu të gjatë dhe pa skenar.

Kur përbërja e kabinetit ndryshoi në qershor, 54-vjeçari Venizelos ndryshoi rolin e tij përkundrejt Papandreut. Nga kundërshtari dhe rivali i tij i përhershëm dhe ministri i izoluar i Mbrojtjes në partnerin dhe njeriun e afërt të Kryeministrit, duke marrë postin e ministrit të Financave dhe atë të zëvendëskryeministrit. Kurrë më parë nuk e ka parë veten kaq pranë qëllimit dhe ambicies së tij të madhe për të qenë në krye të vendit, madje as në nëntor të vitit 2007, kur zyrtarisht e sfidoi Papandreun në pozicionin e tij si lider i partisë dhe si kandidati kryesor për ta zëvendësuar përmes një referendumi me anëtarët e partisë që në fund dështoi. Grupi nacionalist i krahut të djathtë LAOS, kur e emëruan atë si numri dy të qeverisë, tha: “Tani kemi dy kryeministra, njërin për sallonet e Europës dhe tjetrin për të bërë punën e pista në shtëpi”. Ndryshimi i pjesëtarëve të kabinetit ishte në dukje përpjekja e fundit e Papandreut për të qetësuar situatën dhe për të fituar paksa kohë. Pa Venizelosin në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave, qeveria Papandreu, sipas shumë gjasave, do të kishte dështuar që këtë verë.

Ai nuk do të kishte mundur që të bindte leftistët e partisë së tij për të pranuar masat e ashpra të programeve shtrënguese. Në këtë mënyrë Kryeministri i lejoi vetes që të shpëtonte lëkurën përmes rivalit të tij më të ashpër dhe me këtë menjëherë ai poshtëroi veten. Megjithatë, për sa i përket postit të ministrit të Financave, Venizelos ishte numri dy, pasi pretendenti kryesor Lukas Papademos, ish-zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Europiane, e refuzoi postin. Venizelos e dinte një gjë të tillë dhe kjo ishte arsyeja që mezi e pranoi kërkesën e Papandreut.

Në këto momente të vështira në Greqi është krijuar një grup njerëzish që në kushte të tjera nuk do të ishin bërë dot bashkë. Nga njëra anë është Kryeministri intelektual që është i mirë me fjalët dhe një nga pasardhësit e familjes së fuqishme, i lindur në SHBA dhe gjithmonë i parë si një i huaj nga grekët. Nga ana tjetër, është Venizelos njeriu që pretendon se i di të gjitha dhe gjithçka që ka pasur thuajse të gjitha postet ministeriale në kabinetin grek, por që si profesor i të drejtës kushtetuese nuk mund të bëjë shumë për të zgjidhur problemet ekonomike dhe financiare të Greqisë. Tashmë fati i këtij njeriu që ka qenë gjithmonë ai i një kundërshtari të Papandreut, është i lidhur me atë të Papandreut.
 
Ndërkohë mbështetja e Papandreut në popull ka rënë ndjeshëm, por, nga ana tjetër, edhe Venizelos e di se nëse bie Papandreu edhe ai është i marrë fund dhe se ëndrra për t’u bërë Kryeministër është duke u shndërruar në një ambicie gjithnjë e më të largët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama