Kriza greke e pesuan me shume shqiptaret

Kriza greke, e pesuan me shume shqiptaret
Intervistë  me pedagogun dhe publicistin Panajot Barka. Si e shikon ai krizën greke dhe marrëdhëniet ‘e reja’ ndërmjet dy vendeve. Si do të ndikojë kriza dhe roli shumë ambiguid i minoritetit grek në Shqipëri përmes strukturave të saj politike...

Është i qartë në të gjithë argumentin e tij. Jemi fqinjë dhe nga një trung i njëjtë. Kemi jetuar dhe vuajtur në shekuj njësoj dhe ka shumë të ngjarë që të vazhdojmë njësoj dhe në të ardhmen...Kriza? Faji i politikanëve grekë. Pësimi? Populli grek prej naivitetit dhe shqiptarët, prej fatit të keq të tyre...
 
Zgjedhjet e fundit në Greqi kanë treguar se fqinjët tanë u treguan shumë të matur dhe të dëshiruar për të ardhmen evropiane. Mendoni se pjesa më e keqe e skenarit jashtë euros të Greqisë është kaluar?

“Personalisht nuk kam besuar e as besoj se çështja ‘kriza greke’ lidhet thjesht dhe vetëm  me  problemin e qëndrimit ose jo të saj në Eurozonë. Ajo është pjesa më e prekshme dhe me pasoja të dukshme në sektorin jetik të ekonomisë. Por nuk është thelbi. Thelbin e përbëjnë disa faktorë të tjerë që lidhen me Greqinë, por nuk janë thjeshtë greke. Pjesa greke lidhet me faktin se klasa politike e Greqisë së pas juntës ushtarake dobësoi shtetin në progresion aritmetik. E bëri këtë për interesa të ngushta partiake. Në shërbim të tyre pasuroi në mënyrë informale shtetasin grek. Në këtë pasurim pjesën e progresionit gjeometrik e kishte vet politikani dhe përfaqësuesi i shtetit. E gjithë kjo u arrit duke abuzuar maksimalisht me donacionet e Evropës, por me dijeninë e saj të qëllimshme.

U arrit duke shmangur dhe mënjanuar shpirtin e shoqërisë civile greke, shtresën e intelektualëve. Fatkeqësisht, me shpërthimin e krizës, ky shtet gati në gjunjëzim tentoi të mirrte me vete qytetarin e thjeshtë, nëpunësin që shiti votën për një vend pune, bujkun që besoi në mrekullinë e pafund të donacioneve, (duke i besuar kësaj ëndrre ai preu mbi një milion ullinj-qëllimi të fitojnë të tjerë t’i shesin vaj ulliri Greqisë), pronarin e vogël e të mesëm, por jo shtresën e pasur. Përsa i përket pjesës jo greke nuk duhet harruar se brenda Bashkimit Evropian Gjermania, apo edhe ndonjë shtet tjetër, tenton një kontroll absolut ekonomik të vendeve të BE-s. Në rastin e Greqisë u shfaq si përpjekje për ta blerë atë pasi më parë t’i ketë çvlerësuar aksionet.

Por, pozicioni gjeostrategjik i Greqisë në raport me hartën politike të BE është i tillë që nuk lejon ekuivoke se ajo mund të goditet nga vet Bashkimi Evropian. Largimi i Greqisë presupozon një zgjerim të vrimës gjeostrategjike në kufirin e Evropës së Bashkuar që do të thotë kërcënim për vet atë. Greqia zotëron tri dete dhe zemrën e Mesdheut.  Më thjesht, kur BE-ja, kërkon të bëj pjesë të vet politike vende të tilla si Serbia, Shkupi, Mali i Zi, Kosova, kuptohet në krye të tyre Shqipërinë, nuk mund të lëshojë në humnerë Greqinë. Aq me tepër kur ekulibret në rajon kanë ndryshuar. Fuqia e Rusisë është rritur dhe tregon praktikisht se rasti i Greqisë është një preferencë e dorës së parë. Nga ana tjetër Moska nuk mund të pranojë lehtësisht zgjerimin politik të Evropës dhe të NATO-s si sfidë të dyfisht në oborrin e saj.

Në këtë këndvështrim, me këto zgjedhje, duket se loja greke arriti kulmin e vet dhe tani duhet të fillojë, zbatica,  lëvizja në kahun e duhur. Greqia rezistoi dhe rezistoi përsëri në emër të ekulibrave me të qenësishme të rajonit me të gjerë dhe të vet ekzistencës politike të BE-së”.
 
Duke  e pranuar analizën tuaj, ju besoni se kjo është meritë e popullit grek apo e klasës s tij politike.

“Unë besoj se populli grek, i cili ra nga parajsa kallpe në një shtrëngim rripi të paparë, më në fund u zgjua. Ngjarjet treguan se kishte nevojë për një orientim patriotik. Intuita e tij diakronike me burim të panderprerë që nga lashtësia e artë, kërkonte të bënte pjesë të patriotizmit të tij një ideologji të qartë e adekuate me nevojën e shpëtimit të Greqisë.
Por, kur pas kllapisë hapi sytë, u vu përballë me dritat verbuese të një nacionalizmi të rremë. Një pjesë e konsiderueshme e tij u drejtua kah forcave që ose abuzojnë me patriotizmin grek, ose programi i tyre politik nuk shquhet për një ideologji që të shpreh patriotizmin e njohur grek nëpër shekuj dhe njëkohësisht t’u përgjigjej kushteve konkrete greke. Si.Ri.Za u përkrah pas premtimit se nuk do të njihte kushtet evropiane që vërtet sfilitën popullin grek. Por, deklaroi se kurrsesi nuk pranon të bëhej qeveri. Pra, se nuk kishte zgjidhje shpëtimi qeverisëse për popullin grek.

Agimi i Artë, poli tjetër që lojti me nacionalizmin ka shpesh trajta vulgare, por e ka të lehtë të fitojë mbështetës midis shtresës së provokuar e të zhgënjyer keqas nga politika zyrtare.  Etikimi si parti naziste u bë thjeshtë për të minimizuar peshën politike. Ajo nuk është parti naziste se ka për simbol Kryqin e Thyer. Nga ana tjetër klasa politike greke që zotëroi pushtetin gjysëmshekullin e fundit tregoi se nuk ishte e gatshme të shkeputej nga babezia që nështroi shtetin. Nga oxhaqet dhe trashëgimia politike familjare. Në këto zgjedhje këtë mëkat u mundua ta mbulonte duke  manifestuar  profil pro evropian, por pa fshehur frikën e peshës populiste të ekstremit të majtë. Këtë unë e quaj meritë të popullit grek. Tani topi i mbeti serish politikës e cila duhet t’i mesojë vetës përgjegjesi jo politike por patriotike.

Pra, në aspektin e brendshëm, kaq e thjeshtë është zgjidhja e krizës greke. 

Si e shikoni të ardhmen (theksi mbetet tek emigrantët tanë) e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, kur duket se Greqia do të matet mirë në veprimet e saj me fqinjët e saj, që këtej e tutje?

“Më duhet të them që në fillim se është shumë e vërtetë që në krizën greke goditjen e rëndë e pësuan emigrantët dhe në radhë të parë shqiptarët.

Integriteti politik i Greqisë me fqinjët besoj se nuk ka arsye pse të ndryshojë.  Kursesi nuk duhet menduar se Greqia pësoi për shkak të krizës një rudhje që do ta imponojë të ridimensionojë raportet e saj me fqinjët, apo të nxjerrë nga sirtari ndonjë kut tjetër marrëdhëniesh. Përkundrazi fqinjët humbën nga kriza e saj. Sido që të jetë, në planin politik, të stabilitetit në rajon, madje edhe në aspektin ekonomik, Greqia përbënte për Ballkanin një fuqi Evropiane, pavarësisht se politikanët e saj nuk arritën të justifikojnë kenaqshëm aspiratën e popujve të Ballkanit.

Në këtë kontekst, besoj se Greqia nuk mund të ndryshojë qendrimin e vet me Shqipërinë. Do vazhdojë ta përkrahë të integrohet në Bashkimin Evropian, të vazhdojë të zhvillohet, të krijojë kushtet e një fqinjesie paradigmatike.  Në këtë linjë duhet parë edhe qëndrimi i Greqisë ndaj emigrantëve shqiptarë atje. Nuk besoj kurrsesi se ky është problem i Greqisë se sa i vet emigranteve. Ata shkuan atje me dhunë e sakrifica për një jetë më të mirë. Greqia në një kohë që nuk donte t’i pranonte, kursesi nuk mundi t’i zbonte. Tani më shumë do të vendosin vet emigrantet se çfarë do të bëjnë ata me Greqinë se sa Greqia me ta.  Kam përshtypjen se pjesa e emigranteve që u mbështet në krahun e vet të punës dhe kjo është pjesa dermuese, do të detyrohet të largohet duke importuar në Shqipëri një problem social. Kjo për arsye se vendi ynë nuk ka të ngritur një infrastrukturë pritese për ta e as aftësi thithëse në mënyrë efektive të kapitalit të tyre financiar. Në Greqi do të mbeten ata që janë integruar plotësisht nga ana ekonmike dhe pjesa kriminale. Për të parët rruga do të vazhdojë të jetë e shtruar. Të dytët do te kenë probleme se do të nxjerrin probleme”.
 
Pse është kaq i përçarë minoriteti i sotëm grek në Shqipëri. Arsyeja duhet të kërkohet në Greqi apo në Shqipëri?

“Arsyeja e parë duhet kërkuar tek vet minoritarët dhe më së shumti tek lidershipi politik i PBDNJ-së dhe i OMONIA-s. Ky lidership identifikoi të drejtat e minoritetit etnik grek me  interesat e veta personale. Mandej identifikoi këto interesa me identitetin etnik të çdo pjesëtari të minoriteti grek, që sipas konceptit të këtij lidershipi do të thotë se është grek vetëm ai që përkrah interesat e tij. Ky lidership për interesat e veta i nënshtroi interesat e minoritetit etnik interesave të natyrave të ndryshme në Tiranë dhe Athinë. Për pasojë, po të shtojmë këtu edhe interesat që rrjedhin nga roli i minoritetit etnik grek  në ruajtjen e ekulibrave të ndryshme në marrëdhëniet ndershtetërore e nderetnike, kuptohet qartë kush janë faktorët që e duan atë të jetë i përçarë dhe i pafuqishëm”.
 
A mendoni se edhe Shqipëria s’është treguar e drejtë në disa raste me Greqinë. Juve keni bërë një akuzë kur u hartua Enciklopedia shqiptare në lidhje me trajtimin që ajo i kishte bërë minoritetit grek në Shqipëri?

“ Besoj se qëndrime të kësaj natyre janë evidente, por në fund të fundit ato i kanë bërë më shumë keq vet Shqipërisë se sa Greqisë. Vazhdoj të këmbëngul se sa më shumë të vazhdohet  që për interesa të caktuara politike, ose më sakt për përfitim politik të grupit apo të çastit, do të vazhdohet që marrëdhëniet me Greqinë të jenë të paragjykuara, dëmi më i madh do t’i mbetet palës shqiptare. Kam shkruar edhe herë të tjera. Në Shqipëri për vite me radhë, për konsum të brendshëm politik e nacionalist, u bë zhurmë e madhe  për korridorin 8. Nderkohë, Shqipëria humbiste kohë të artë për ndërtimin e korridorit Jug-Veri, që i siguronte asaj jo vetem integritet ekonomik kombëtar por edhe rol të qenësishëm për integrimin me Evropën Qendrore e Lindore. Është e vërtetë, Greqia kurrë nuk ka bërë lojën e tjetër kujt në dëm të Shqipërisë. Ajo historikisht, jo vetëm me Shqipërinë, por në përgjithësi ka treguar se është e çliruar nga paragjykimet. Po ashtu, politika zyrtare dhe opinioni publik në Shqipëri nuk ka pse të shikojnë me frikë, paragjykim dhe inferioritet marrëdhëniet me Greqinë. Këtu buron gjithë e keqja.

Në këtë këndvështrim duhet parë edhe qëndrimi im në lidhje me fjalorin enciklopedik. Vërejtjet e mia lidhen me faktin se Akademia e Shkencave dhe çdo institucion tjetër , por aq me tepër ajo, kulturën historinë dhe realitetin e minoritetit etnik grek duhet ta trajtojnë si pjesë e terrësisë së realitetit shqiptar, pa e demotivuar apo shtrembëruar atë. Së dyti, duhet të çlirohen nga mentaliteti i historisë së fabrikuar nga sistemi komunist dhe të mbajë një qëndrim akademik në çështje historike në lidhje me këtë minoritet, apo edhe në marrëdhëniet me Greqinë”.
 
Juve pretendoni se minoriteti ka probleme me tekstet shkollore. E quani të qëllimshme këtë apo thjesht pamundësi të shtetit shqiptar të trajtimit të minoriteteve të tij?
“Për mua faji në radhë të parë është i strukturave politike përfaqësuese të minoritetit etnik grek. Unë nuk mund të akuzojë qeverinë shqiptare për një mangesi të tillë, kur ajo aprovon  një buxhet për këtë qellim, kur strukturat politike të minoritetit, OMONIA nëpërmjet PBDNj-shit, janë në kualicion qeverisës dhe libra nuk ka. Nuk ka, për faktin se  për vite me radhë këto para përfundonin në gropën e korrupsionit. Sot ka probleme se prap po ky lidership politik i minoritetit etnik grek, në emër të interesave të individëve të caktuar brenda saj pengojnë prodhimin e tyre. Nuk ka libra për shkak se ky lidership për arsye nga më të ndryshme kërkon të promovojë  institucione shkollore private në dem të atyre publike. Kjo nuk do të thotë se shteti shqiptar nuk ka përgjegjesitë e veta. Ka dhe shumë të mëdha. ”.
 
Si studiues i njohur, a mendon se mes dy vendeve, në të ardhmen, do të ketë më shumë pika takimi apo pika ndarje?

“Të guxosh të vesh në dyshim të ardhmën e marrëdhënieve shqiptaro – greke do të thotë  t’i kundërvihesh historisë së gjatë të marrëdhënieve të  tyre. Në lashtësi Civilizmi Grek i trajtonte Ilirët  pjesë të vet. Në mitologjinë greke themeluesi i ilirëve është i biri i fundit i Kadmos. Me të njëjtën mënyrë u trajtuan edhe zëvendësuesit e Ilirëve, shqiptarët. Rilindja Kombëtare Shqiptare në elementët bazë frymëzohet nga ideologjia re e Greqisë së revolucionit të 1821-shit. Shumë shqiptarë luftuan në këtë revolucion se e konsideronin Greqinë Atdheun e përbashkët.

Shumë burra të shquar shqiptarë të kësaj periudhe ishin të gatshëm të krijonin shtetin federatë greko-shqiptare.   Dua të  theksoj se në Shqipëri duhet të shkëputemi nga indokrinimi komunist ideologjia e unitetit kombëtar i të cilit kërkonte të realizohej nga ballafaqimi permanent i popullit shqiptar me fqinjët.  Po ashtu, është shumë i dëmshëm abuzimi që bëhet duke paraqitur në opinionin publik shqiptar,  si politikë zyrtare greke, qëndrimet e shoqatave, artikujve të gazetave, individëve të veçantë etj. Merreni me mend ç’mund të ndodhte nëse në Greqi veprohej njësoj. Dmth, të mirreshin si politikë e Tiranës  zyrtare qendrimet  antigreke të Kreshnik Spahisë, apo  grupimeve të tjera ekstremiste nacionaliste shqiptare... 

 Po ashtu, në Shqipëri krijohet shpesh bindja se kriza e tanishme e çoi Greqinë në fund të rreshtit dhe pa nguruar ferkohen duart e dashakeqësisë. Nuk është hera e parë që Greqisë i ndodhin situata të tilla. (Në parantezë, shpesh kërkojmë dhe themi që grekët e sotëm  nuk kanë lidhje me grekët e lashtë se nuk mund të bëjnë sërish Parthenonën, Delfin, të nxjerrin Aleksandrin e madh, etj. Eshtë njësoj sikur t’u kërkojmë egjyptianëve të ndërtojnë piramida. ) Pra, midis vendeve e popujve tanë në dhjetëvjeçarët e fundit u shtuan me dhjetëra fije të tjera lidhjesh të fuqishme. Mjafton që ne të mos humbasin pyllin pas pemës, mjafton që të shikojmë drejt historinë për të ecur me shpejt përpara. Çdo prapësi tjetër vetëm sa do të  vonojë  rigjetjen  e rivendosjen e kondakteve të qenësishme bashkëpunuese e përparuese, por kursesi nuk do t’i pengojë”.
 
Si e keni parë insistimin e palës greke për kufirin detar të Jugut dhe reagimin gjysmak të qeverisë shqiptare?

 “Brenda logjikës që përshkrova më lart. Prishja e marrëveshjes u konsiderua si fitore e Shqipërisë mbi Greqinë. Unë e quaj një humbje në radhë të parë të Shqipërisë dhe pastaj të Greqisë. Ajo marrëveshje përkon me një bashkëpunim dypalësh ekonomik dhe gjeostrategjik. Vini re! Gjykata kushtetuese nuk rrëzoi thelbin  dhe përmbajtjen e marrëveshjes, por vetëm procedurat. Faktin që komisioni negociues duhej aprovuar nga  Presidenti i Republikës.

Pra kërkohej një sebep dhe u gjet një problem teknik. Pastaj u fut ne veprim mitomania  e mentalitetit komunist që fqinjët ndaj Shqipërisë kanë qëllim permanent  copëtimin e ‘Atdheut’ dhe në rastin konkret ‘u gllabëruan nga Greqia 300 kilometra katrore det!!!’. U ngritën këngë, u shpallen heronj, u forcua antigreqizmi. Ishte aq i madh presioni saqë vertet qeveria nuk ishte në gjendje të mbronte atë që kishte bërë mirë. 

Dhe u harrua ajo që është e domosdoshme. Kjo marrëveshje përcaktonte bazat e  përfitimit të përbashkët si rrugë kalimi  strategjik ndërkombëtar dhe shfrytëzim të nëndetit. Mendoj se  Greqia dhe Shqipëria kanë shumë fusha të rëndësishme bashkëpunimi që bashkërisht dhe reciprokisht mund të përfitojnë, si në aspektin ekonomik dhe atë gjeostrategjik. Në këtë këndvështrim ngërçet e vjetra nacionaliste dhe loja për interesa të të treteve po kthehen në pengesë serioze”.
 
Greqia do fillojë një proces rimëkëmbje të vështirë. A mendoni se Shqipëria mund ta ndihmojë në ndonjë fare mënyre Greqinë?

“Sigurisht që po. Ridimesionimi i klimës së bashkëpunimit në bazë të traditës historikës dhe të frymës Evropiane,  larg paragjykimeve dhe nacionalizmave arkaike, që sapo përshkruam është kontributi më i mirë dypalësh”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama