Kriza i ben shqiptaret te kequshqyer

Kriza i ben shqiptaret te kequshqyer
Rritja e ndjeshme e çmimeve prej vitit 2008 heq nga tryezat mishin, frutat e perimet Kriza ekonomike ka rritur jo vetëm varfërinë në një pjesë të madhe të vendit, por ka ulur ndjeshëm cilësinë e të ushqyerit.Studimi më i fundit i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, i cili u shtri në 6 qytete, në Tiranën urbane, në Kukës, Has, Tropojë, Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe ka treguar se nga viti 2008 e deri më tani çmimet e ushqimeve kanë pësuar rritje në atë masë, sa kanë detyruar qytetarët të mos sigurojnë dot as ushqimin e nevojshëm.

Pjesa më e madhe e të ardhurave familjare në Shqipëri, rreth 70-75 për qind shkojnë për blerjen e artikujve ushqimorë, një pjesë e mirë e të cilave janë zëvendësuar tashmë me alternativa më të lira. Të intervistuarit pohojnë se në menynë e tyre javore, mishi i viçit është zëvendësuar me atë të pulës, frutat, perimet dhe ëmbëlsirat janë hequr nga lista e ushqimeve që ata mund të përballojnë me të ardhurat e tyre.

Të vetmit artikuj që ata vijojnë të blejnë, pavarësisht rritjes së çmimit, janë vaji për gatim, sheqeri, buka, qumështi, patatet dhe fasulet. Një pjesë e madhe e shqiptarëve që jetojnë në zonat rurale pranë kryeqytetit, si dhe në veri të vendit, ushqehen me sasi më të vogla ushqimesh se banorët e pjesës tjetër të vendit dhe nuk kanë mundësi të blejnë produktet e rëndësishme të dietës ushqimore për fëmijët e tyre dhe për vete.

Një problem mjaft i madh mbetet edhe energjia elektrike, e cila është shumë e shtrenjtë për t’u përballuar nga të ardhurat familjare që ata kanë. Pjesa më e madhe e familjeve në zonat e studiuara ngrohen me dru dhe gatuajnë me gaz.

Por, ndërsa gjendja rëndohet, një pjesë e popullatës që jeton në zonat rurale përballet me vështirësi serioze të ekonomisë bujqësore. Ky sektor po përballet me probleme të mëdha dhe një pjesë e konsiderueshme e tokës mbetet e papunueshme, për shkak të kostos së lartë. Sipas studimit, arsyet kryesore për këtë situatë të bujqësisë mbeten investimet e ulëta në Prodhimin e Brendshëm Bujqësor, çmimi i lartë i inputeve bujqësore dhe karburantit, degradimi i tokës, si dhe pronësia e ulët e tokës te popullata.

t.ch.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama