Pas më shumë se 20 vitesh nga ai moment, John Blondell nuk është më një regjisor i ri që kërkon të eksperimentojë me Shekspirin, por një regjisor me një karrierë të suksesshme pikërisht me veprat e Shekspirit. Të gjithë ata që duan të vënë në skenë një vepër të këtij dramaturgu të madh, e kanë më të lehtë ta bëjnë pasi shohin një teatër të Blondell. Prej më shumë se një muaji, John është në Tiranë, ku po u jep fund provave për të ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë “Ëndrra e një nate vere” nga Shekspiri. Teksa komunikon me aktorët për një pauzë, John thotë se me të ndodh e njëjta gjë, sa herë është para premierës.
Duke kërkuar më të mirën, ai është në eksperiment me pjesën deri ditën para premierës. “Jam i entuziazmuar dhe shumë optimist për pjesën, pavarësisht se kam ende pak punë për ta sjellë shfaqjen aty ku unë dua. Puna me aktorët ka shkuar shumë mirë, ndaj na mbetet vetëm pak për të bërë”, thotë ai. Por si do të jetë “Shekspiri shqiptar”? “Do të jetë një shfaqje moderne, ku do të flitet në gjuhë të ndryshme, e do të ketë më tepër dinamikë. Nuk do të mungojnë as lëvizjet e ndryshme koreografike që do të jenë po aq të rëndësishme sa fjala. E gjithë shfaqja është një ansambël personazhesh e unë nuk mund të them dot se cili është më i mirë se tjetri. Por janë dy yjet që do të veçoja, veprën dhe ansamblin e aktorëve”, thotë Blondell.
Në rolin e Oberonit dhe Tezeut do të interpretojë Ervin Bejleri, në rolin e Hipolitës dhe Tiranias, Klea Konomi. Helidon Fino do të jetë Filostrati dhe Foku, Vasjan Lami do të jetë Egjeu dhe Fundi. Në role të tjera janë Eriona Kakeli, Holta Dako, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Valbona Imami, etj. Pavarësisht koncepteve moderne që regjisori do të sjellë në këtë vepër, në thelb pjesa do të përshkohet nga ndjenja e dashurisë dhe e ëndrrës që është dhe mesazhi i veprës. “E gjithë komedia kërkon të tregojë për ëndrrat dhe dashurinë”, thotë Blondell, i cili beson se këto dy elementë janë ato që e kanë udhëhequr në karrierën e tij të gjatë në teatër.
“Gjithnjë e kam parë punën time si një ëndërr, dhe jam përpjekur ta ndjek atë. Gjithë jetën time kam bërë ëndrrën e teatrit”, thotë ai. Tema e dashurisë është e njohur në veprat e Shekspirit, por ajo që i bën ato aktuale dhe sot është perspektiva që mbartin. “Tek ëndrra e një nate vere” nuk e gjejmë dashurinë vetëm në një dimension, por ajo shfaqet me gjithë kompleksitetin e saj, me xhelozinë, konfuzionin, çmendurinë, pasionin… Blondell do të tregojë se “dashuria aq shpejt sa vjen aq edhe mund të ikë…”. Në këto kohë krize që po kalon teatri kudo në botë, John e sheh temën që Shekspiri sjell me këtë komedi, si një ftesë për t’i parë gjërat me syrin e dashurisë. “Teatri sot po kalon një periudhë krize, e kjo nuk është vetëm këtu në Tiranë.
Shumë teatro në botë përballen me mungesën e fondeve, por unë besoj se njerëzit me mendje të hapur vijnë e bëjnë diçka për teatrin”, thotë ai. E shkruar në vitin 1595 ose 1596, “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit. Ndryshe nga pjesa më e madhe e veprave të tij (duke përfshirë të gjitha komeditë), në krijimin e kësaj historie Shekspiri nuk u mbështet drejtpërdrejt në ndonjë pjesë ekzistuese, poezi narrative, kronikë historike apo në ndonjë burim tjetër, por krijoi një pjesë vërtet origjinale. John Blondell është profesor i teatrit në Westmont College. Ai është drejtor dhe themelues artistik i kompanisë teatrore “Lit Moon”, dhe drejtor i Festivalit Botëror të Shekspirit.
Ai është diplomuar në një master për artin dramatik në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe është kryetar i Departamentit të Arteve të Teatrit në Westmont College. Ai është fitues i gjashtë çmimeve në teatër. Një vit më parë ai ishte në Bitola të Maqedonisë, si pjesë e një projekti teatror për të vënë në skenë “Henri VI” në tri gjuhë, serbisht, shqip dhe maqedonisht, në prag të Lojërave Olimpike që u mbajtën në Londër. “Ëndrra e një nate vere” do të vijë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar më 31 maj, ndërsa për publikun, më datat 1 dhe 2 qershor. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Blagoj Micevski dhe muzika nga Trimor Dhomi.