Krize fondesh per blerjen e objekteve te reja muzeore

Krize fondesh per blerjen e objekteve te reja muzeore

Muzeu Historik Kombëtar bën analizën e punës gjatë vitit 2014 dhe kërkon më shumë pavarësi ekonomike të institucionit

Muzeu Historik Kombëtar po shkon drejt një koncepti të ri menaxherial. Drejtori i tij, Melsi Labi, duke analizuar punën e bërë në këtë institucion gjatë vitit 2014 e quajti kthimin e muzeut sipas standardeve europiane një sfidë që duhet realizuar. Por mungesa e fondeve bën që muzeu të jetë i mbyllur ndaj prurjeve të reja. “Në pesë vitet e fundit asnjë objekt apo relikte nuk është vlerë për shkak të mungesës së fondeve. Ndërsa objektet e rralla që koleksionistët posedojnë rrezikojnë të shiten jashtë kufijve, pasi institucionet kulturore nuk ofrohen për t’i blerë”, tha Labi. Është e nevojshme sipas tij të pasurohet fondi i Muzeut përmes blerjes së objekteve muzeore apo koleksioneve të reja.

“Blerje librash, pasurim i koleksionit të bibliotekës së muzeut, gjë që ndihmon në hulumtime të mëtejshme të stafit në muze”, tha Labi. Një tjetër nevojë urgjente sipas tij lidhet me restaurimin e objekteve të ekspozuara dhe të magazinuara. Hapja e një fushate për të mbledhur objekte e materiale nga personalitete e njerëz të shquar të Shqipërisë, si dhe të huaj do të pasuronte fondin e muzeut. Sipas Labit, një sërë projektesh të iniciuara gjatë vitit që shkoi nuk kanë mundur të realizohen për shkak të një buxheti shumë të vogël. “Duke qenë se këto projekte kanë pasur një kosto mbi buxhetin e vendosur u pa e arsyeshme që t’i lihen vitit pasardhës”, tha Labi.

Ndër projektet e parealizuara janë hyrja me kartë në muze, sistemimi i ajrimit në pavijone, video guida, audio guida, ndërtimi i serverit për menaxhimin e të dhënave, mbledhja e informacioneve mbi vizionin, përmbajtjen dhe misionin e muzeve rajonale e ndërkombëtare etj. Labi quajti të rëndësishme pjesëmarrjen në evente ndërkombëtare siç është dhe konferenca e vitit 2015 që do të mbahet në Novi Sad çka i hap udhën komunikimit me muze të ndryshme ndërkombëtare.

“Brenda nëntorit të këtij viti do të realizohet dhe një ekspozitë virtuale e përbashkët me gjithë muzetë anëtarë të rrjetit Ballkanik të Muzeve ku bën pjesë dhe Shqipëria. Titulli i ekspozitës do të jetë: Njerëz që jetojnë historinë, zërat e Ballkanit”. Mendohet të intervistohen vizitorë të muzeut e të pyeten se me cilin objekt e lidhin veten ata brenda një muzeu për të na dhënë një linjë më të qartë për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë të përbashkët”, tha Labi.

Menaxhimi që i është bërë muzeut gjatë vitit që shkoi ka bërë që të rriten shifrat e të ardhurave nga biletat. Labi kërkoi më shumë pavarësi ekonomike, pasi të ardhurat e biletave shkojnë 100% në buxhetin e shtetit. “Nga të ardhurat sekondare 70% shkojnë në Buxhetin e Shtetit, ndërsa pjesa tjetër për shpenzimet e  Muzeut Historik Kombëtar”, tha Labi, duke shtuar se po punohet për ndryshimin e ligjeve apo VKM-ve për një zbatim sa më të lirshëm të buxhetit që të bëhet që 90% e të ardhurave t’i kalojnë muzeut dhe 10% buxhetit të shtetit.

Një pikë e rëndësishme mbi të cilën po vazhdohet të punohet në muze janë dhe linjat muzeore. Në to ka një rikonceptim duke u parë në një tjetër kontekst historik, të zhveshur nga ndikimet politike. Realizimi dhe i një këndi që paraqet periudhën e tranzicionit në Shqipëri pas viteve ’90 është një tjetër ide që pritet të konkretizohet këtë vit. Ndërsa projekti i pavijonit të periudhës së Luftës së Ftohtë do të aplikohet në bodrumin e muzeut. Labi foli dhe për një projekt që synon kursimin e energjisë elektrike dhe ndriçimin e plotë të pjesëve të jashtme dhe të brendshme të muzeut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama