Për çdo shqiptar, që ndodhej para ekranit të "France 3" kur u transmetua premiera, ishte tepër rrëqethëse të shihte vlerësimet deri edhe të ministrit francez të Kulturës, apo tentativën për ta quajtur Invën përfaqësuese të lirizmit francez. Tentativë kjo e "zakontë" në Francë sa herë një i huaj fiton famë botërore. Po kjo nuk do të ishte asgjë përpara triumfit që Inva po korr aktualisht në Opera Bastille (opera moderne e Parisit) me interpretimin magjistral të Mimit në "La Bohème" të Puçini-t. Rol, të cilin Inva e ka interpretuar me sukses në skenat më të mëdha të botës. Pata fatin e madh të asistoj në shfaqjen e tretë, më 12 nëntor dhe të mallëngjehem dy herë. Një herë nga interpretimi i saj, sidomos në aktin e tretë që është tepër prekës dhe një herë në fund, kur i tërë publiku (2700 vetë) u ngrit në këmbë për të duartrokitur për minuta të tëra Invën.
Megjithëse interpretonte përkrah një emri tepër të njohur e të dashur për publikun parizien, Natalie Dessay (që i kthehej rolit të saj të parë pucinian, Musette-s), Inva shkëlqeu aq shumë sa që elozhet qenë kryesisht për të. Jo vetëm duartrokitjet në sallë, por edhe titujt e kritikave ishin për të; "Inva Mula triomphe dans La Bohème" ("Inva Mula triumfon me La Bohème").
Kur e njeh personalisht Invën dhe ke parasysh thjeshtësinë dhe mirësinë e saj, e kupton se pse të duket aq e natyrshme e prekëse në interpretimin e një roli të tillë. Impresionuese për këdo ngelet bukuria e zërit dhe aftësia e saj për të ndjekur dhe unifikuar interpretimin me ngadalësimet dhe zgjatjet e qëllimshme që dirigjenti, Daniel Oren, i bën muzikës për të theksuar akoma më shumë forcën emocionuese të kësaj opere. Unë, si të gjithë spektatorët e tjerë në sallë, patëm fatin të asistojmë në një mbrëmje disi speciale për Invën.
Pa diskutim që si profesioniste ajo jep gjithmonë maksimumin në skenë, por siç do ta thoshte dhe ajo vetë, prezenca në sallë e Presidentit të Shqipërisë, z. Bamir Topi, me Zonjën e Parë, Teuta, si dhe e disa nga njerëzve më të dashur për Invën, i dhanë asaj një motivim më të madh. Se pavarësisht famës së saj, Inva ka ruajtur si rrallëkush lidhjet e saj me vendin dhe miqtë e saj të vjetër. Pas një mbrëmjeje të tillë, ndihesh i tejmbushur me emocione, ku kënaqësia artistike "grindet" për vendin e parë me krenarinë që ne kemi një Divë të tillë që na nderon kudo. Por "fatkeqësisht", logjika na shtyn të pranojmë atë që thotë një mik i saj i dashur: "Inva është tepër e madhe, për të qenë vetëm e jona".
Gazeta Shqip