TIRANË, 23 Nëntor /ATSH- I. Vata/ - Partia Demokratike vazhdon përzgjedhjen e krereve të të rinjve mes kandidatve të Forumit Rinor të PD-së, ku sot është ndalur në Krujë.
Në Konventën e FRPD se Krujës ka marrë pjesë edhe deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, i cili në fjalën e tij vlerësoi rolin e të rinjve dhe garën e ideve për drejtimin e këtij forumi, ndërsa theksoi frymën e bashkëpunimit mes kandidatëve dhe të rinjve të tjerë në Partinë Demokratike.
Bumçi kërkoi që të rinjtë shqiptarë të angazhohen në politikë për të garantuar ndryshimin në vend duke i ftuar ata në Partinë Demokratike.
Tre kandidatët në garë, Belind Këlliçi, Ervin Salianji dhe Orjela Nebijaj, kanë debatuar sot mbi mundësitë dhe punën që duhet të bëjë Forumi Rinor i Partisë Demokratike për të qënë më aktiv pranë të rinjve, në çdo problematikë apo kauzë të tyre.
Nesër konventa e debatit të të rinjve zhvendoset në Korçë, ku një tjetër temë debati i pret 3 kandidatët në garë teksa ajo po afron drejt gjysmës së saj, thuhet ne deklaratën e PD-së shpërndare për mediat pasditen e së hënës. /a.ke/