Nëse ky projektligj do të miratohet nga bordi i shëndetësisë, atëherë nga marsi i vitit 2013, asnjë restorant, teatër, kinema, shitës ambulant në ‘Mollën e Madhe’ nuk mund të tregtojë më pije që i kalojnë sasinë prej afërsisht gjysmë litri. Ata që nuk i binden këtij vendimi, do të gjobiten me një shumë prej 200 dollarësh. Dhe duke qenë se anëtarët aktualë të bordit të shëndetit të qytetit janë të emëruar pikërisht nga Bloomberg, atëherë ligji mund të quhet që tani një realitet.
Por, menjëherë kundër kësaj nisme jo të zakontë kanë dalë disa shoqata siç është edhe Qendra për lirinë e konsumatorit, e cila ka lindur si nevojë për të lobuar në mbrojtje të interesit të industrive të fast fudeve, mishit, alkoolit, cigareve etj. Në faqen e saj në internet, kjo shoqatë pretendon se: “lufton për të drejtën e amerikanëve për të zgjedhur se si ta jetojnë jetën e tyre, çfarë të hanë dhe të pinë dhe si t’i shpenzojnë paratë e tyre apo të argëtohen”.
“Njujorkezët kanë nevojë për një kryetar bashkie, jo një dado”, – thotë reklama e kësaj shoqate, e cila kishte zënë gjithë kopertinën e ‘The New York Times’ dhe gazetave të tjera të New York ditën e djeshme, ku kryetari i bashkisë shfaqet si një dado gjigande, e shëndoshë dhe me sy të zymtë sy.
“Dadoja Bloomberg e shtyu pak më tepër seç duhet obsesionin e tij të çuditshëm për atë se çfarë hamë apo pimë ne, – vazhdon reklama në fajlë, – tani pyesim veten nëse tani ai do të vendosë edhe diametrin e një fete pice, madhësinë e një hamburgeri apo sasinë e djathit mbi bukën që do të kosumojmë.
Megjithatë, duke qenë 18 muaj larg përfundimi të mandatit të tij të tretë dhe të fundit, kryetari i bashkisë nuk duket të thyhet lehtë përballë presioneve të tilla, – raporton ‘New York Times’. – Pas betejës kundër pirjes së duhanit në vende publike dhe kryqëzimit që i bëri yndyrnave dhe kalorive të tepërta, Bloomberg mendon se duhet “të hyjë në histori si një kryetar bashkie i cili arriti të ndalojë edhe pijet super kalorike”.