Kryebashkiakut Elvis Rroshi nuk i kujtohet nese eshte denuar apo jo ne Gjermani

Kryebashkiakut Elvis Rroshi nuk i kujtohet nëse është dënuar apo jo në Gjermani

Elvis Rroshi, kryebashkiaku i Kavajës, është hetuar dhe gjykuar për një vepër penale në Gjermani përpara viti 2002. Këtë gjë ai e ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit, plotësuar disa ditë më parë, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit të sapo hyrë në fuqi

Por, në mënyrë të çuditshme, Zoti Rroshi ka deklaruar në formular se atij se nuk i kujtohet krimi për të cilin është gjykuar dhe as nëse është dënuar apo jo nga Gjykata e Mynihut.

Pas publikimit në media të këtij fakti, Zoti Rroshi ka sqaruar sot se nuk bëhet fjalë për krim serioz por për dëbim nga Gjermania si emigrant i paligjshëm edhe pse nuk i mban mend detajet e sakta të akuzës.

Ai u shpreh se avokatët e tij janë duke marrë informacion të saktë për akuzën e saktë dhe vendimin e gjykatës gjermane dhe do ta bëjnë atë publike së shpejti.

Zoti Rroshi është akuzuar vazhdimisht nga opozita për veprimtari kriminale në emigracion, në mënyrë të veçantë për përfshirje në trafikun e kokainës në Itali ku, sipas Partisë Demokratike, ai është dënuar. Sipas opozitës, Zoti Rroshi ka ndryshuar identitetin e tij për të mbuluar gjurmët e aktivitetit të tij kriminal dhe dënimet gjatë qëndriemt në emigrim .

Zoti Rroshi i ka mohuar akuzat duke pranuar se ai ka qenë emigrant ilegal në Itali dhe Gjermani, por ka punuar ndershëm në punë të rënda për të siguruar jetesën dhe pastaj është kthyer në atdhe për të kontribuar për qytetin e tij, Kavajën.

Ai ka patur mbështetjen e vazhdueshme të Kryeministrit Rama, i cili gjithashtu është shprehur se Zoti Rroshi nuk ka asgjë në të shkuarën e tij që mund të jetë objekt i ligjit të dekriminalizimit.

Madje për Zotin Rama, Zoti Rroshi është modeli që duhet të merret nga të gjithë drejtuesit socialistë për rilindjen e Shqipërisë.

Një muaj më parë, Kryeministri Rama iu drejtua grupit parlamentar të Partisë Socialiste me fjalët:

"Elvis Rroshi është shembulli i përpikmërisë së realizimit të projekteve të Rilindjes Urbane."

Pavarësisht rëndësisë së Zotit Rroshi në "rilindjen e vendit", sipas ligjit të dekriminalizimit, ai duhet të lërë mandatin e tij nëse vertetohet së është dënuar nga Gjykata e Mynihut apo ndonjë gjykatë tjetër gjermane apo italiane ku ai ka jetuar si emigrant.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama