Kryediplomati turk Kemi pasur 28 kryeministra e 36 ministra shqiptare

Kryediplomati turk: Kemi pasur 28 kryeministra e 36 ministra shqiptare
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, në një intervistë për revistën Shenja ka deklaruar se Perandoria Osmane ka pasur 28 kryeministra me origjinë shqiptare. Davotuglu është i njohur për pikëpamjet e tij, që synojnë shtrirjen e ndikimit të Turqisë në Ballkan. “Populli shqiptar ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme në jetën administrative, kulturore dhe sociale turko-osmane. Në historinë tonë të përbashkët kanë lënë gjurmë qeveritarë, ushtarakë, njerëz të letrave, intelektualë dhe artistë shumë të vyer me origjinë shqiptare.

Në Perandorinë Osmane ka pasur 28 sadrezamë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare. Mehmet Akifi, autori i himnit tonë kombëtar, si dhe Sami Frashëri, autori i fjalorit të parë turk, që në të njëjtën kohë konsiderohet një nga njerëzit më të shquar të letrave në Shqipëri, janë të dy me origjinë shqiptare,” thotë Davutoglu. “Midis Turqisë dhe Shqipërisë ekziston një miqësi e fuqishme, rrënjët e të cilës shtrihen në thellësitë e historisë tonë të përbashkët. Kjo lidhje midis popujve tanë na jep edhe përgjegjësinë për ta zhvilluar në çdo fushë solidaritetin dhe bashkëpunimin midis Turqisë dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet tona dypalëshe po zhvillohen në çdo fushë duke nisur nga fusha politike, ekonomike, ushtarake, kulturore dhe ajo arsimore, në përshtatje me miqësinë historike dhe unitetin kulturor midis popujve tanë”.

Kryediplomati megjithatë thotë se prania gjithnjë e më e madhe e Turqisë në rajonin e Ballkanit nuk ka të bëjë me ndonjë strategji të veçantë, por është e lidhur me zhvillimin ekonomik të këtij vendi. “Zhvillimi i fuqisë ekonomike dhe politike të Turqisë, e cila është dhe ekonomia e gjashtëmbëdhjetë më e madhe e botës dhe ekonomia e gjashtë më e madhe e Evropës, po i rrit aftësitë e saj globale dhe po i mundëson vendit tonë që t’i shpjerë përpara marrëdhëniet e saj politike, ekonomike, kulturore dhe humane me të gjithë botën. Prandaj, veprimtaria në rritje e Turqisë nuk është një zhvillim specifik vetëm për Ballkanin”, thotë ai. Ministri i Jashtëm turk nga ana tjetër pranon se “Ballkani konsiderohet për ne një rajon primar” për shkak të “lidhjeve të ngushta gjeografike, historike dhe kulturore”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama