Kryeministri Edi Rama Fanellen e Kombetares e dizenjova une

Kryeministri Edi Rama: Fanellën e Kombëtares e dizenjova unë

Pas fitores së Shqipërisë me Rumaninë, u bë i ditur edhe një fakt. Ideja për dizajnimin e fanellave të Kombëtares ishte dhënë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Dhe kreu i qeverisë ka reaguar vetë në lidhje me këtë çështje. Në një selfie-intervistë për "Klan Kosova", Rama ka sqaruar gjithçka në lidhje me këtë çështje.

1-332

Ideja për motivin e fanellave të Kombëtares a ishte rezultat i një përpjekjeje më të gjatë në kohë, apo shpërthim momental inspirimi?

Unë kam pasur privilegjin e madh ta vesh fanellën e Kombëtares dhe ia njoh peshën që ka mbi lëkurë bluza kuqezi, e cila me siguri rëndohet edhe më shumë sa më lart ngjitesh në të përpjetën e kompeticioneve ndërkombëtare. Jam i bindur se po të mos e kisha kaluar atë eksperiencë të pazakonshme të fanellës kuqezi, nuk do ta kuptoja dot, siç e kuptoj, presionin e patregueshëm që kanë pasur në mendje e trup çunat e kësaj Kombëtareje; që nga fitorja me Portugalinë kur u krijua ideja se mund të shkonin larg. Kjo më ka lidhur më shumë me ta dhe me De Biazin, sidomos në momentet më të vështira (pas ndeshjes në Elbasan me Serbinë) dhe me Presidentin po ashtu, me të cilin kemi krijuar një partneritet shumë të dobishëm në interes të futbollit dhe posaçërisht të Kombëtares. Idenë e shqiponjës në fanellë e kam pasur në fakt prej disa kohësh, kur i shikoja me vëmendje e nganjëherë me zili uniformat e skuadrave të tjera. Por, m'u dha rasti ta ndaj këtë ide me Armand Dukën gjatë përgatitjeve të para për në Francë. Ia shpjegova dhe vizatova kur po pinim një kafe. I pëlqeu dhe e mori t'ia jepte studios së dizajnit që punoi për uniformat. Ndërsa vizatimi që ka dalë nga arkiva e iPhone-it të tij është një skicë e mëvonshme, të cilën më kujtohet e kam bërë në makinë, kur më çoi me WhatsApp variantin e përpunuar nga studioja mbi skicën e parë të shqiponjës. Me atë skicë e me disa rreshta të shkruar, i saktësova pozicionin e dy kokave të stilizuara mbi vijën horizontale të trupit, në mënyrë që numri në gjoks të zinte vend tamam, si edhe nevojën që vijat të vinin duke u rralluar drejt fundit të bluzës. Funksionoi shumë mirë. Studioja bëri një punë të lavdërueshme për tërësinë e uniformës.

A ka pasur edhe ide të tjera për dizajnin e fanellës së Kombëtares? Sa gjasa do të kishte ideja e ndonjë artisti tjetër në konkurrencë me atë të Kryeministrit?

Edhe një herë: Unë kam dhënë thjesht një ide, po puna, autorë- sia, merita për të tre uniformat e bukura të Kombëtares është e studios që ka përzgjedhur federata. Përfitoj nga rasti t'i komplimentoj edhe publikisht sepse më parë i kam komplimentuar nëpërmjet Armandos. Dhe meqë mua muhabetet e dizajnit më tërheqin shumë, po ju tregoj edhe pak më shumë. Sepse më vjen mirë që më dëgjuan edhe për ngjyrën e kostumit zyrtar! I thashë Presidentit: Po më dëgjuat mua, bëjeni gri e jo të zi kostumin sepse është shumë më elegant për një skuadër futbolli dhe për më tepër në qershor është shumë më i përshtatshëm. Do ta kisha dashur edhe pak më të hapur në fakt, po prapë është shumë mirë! Por, aman ju lutem, mos mendoni se më ka dëgjuar për të gjitha Presidenti... Është tip më vete dhe po s'ju mbush mendja për një gjë, kot të lodhesh!

Futboll pasionant, tifozllëk shembullor, fanella të dizajnuara nga Kryeministri... A është Shqipëria fituesja më e madhe e EURO 2016 sa i përket imazhit dhe veçantisë së përfaqësimit?

Le të themi që Kombëtarja ka fituar për të gjithë ne në fushën e një beteje të dyfishtë: atë të futbollit, ku skuadra shumë më të mëdha se e jona kanë marrë valixhet apo s'po bëjnë dot akoma tri pikë, dhe atë të perceptimit publik, ku falë kësaj Kombëtareje, karakterit të saj të hekurt dhe lojtarit të saj të 12-të, tifozërisë fantastike kuqezi, shumëkush që deri dje ka pasur një perceptim të errët për vendin tonë, sot e sheh Shqipërinë nën një dritë të re. Kam marrë mesazhe admirimi për këtë Kombëtare e për Lojtarin 12 nga autoritete të larta të politikës e figura të shquara publike europiane. Njëri ndër ta, Zhak Atali, shkruante për ndeshjen me Francën: "Kjo ndeshje ka bërë më shumë sesa shumë për të apeluar që vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian!".

A është ndikuar kësisoj në luftimin e stereotipizimit negativ për shqiptarët në mediat globale? Absolutisht po!

Por jo vetëm kaq. Është ndikuar shumë edhe në raportin tonë me vetveten, por këtë të fundit do të mund ta kuptojmë pak e nga pak pas disa kohësh.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama