TIRANË 9 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ - Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot propozimin për Presidentin e Republikës që të dekretojë emërimin e z. Ylli Manjani në krye të dikasterit të drejtësisë.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë njofton se, Kryeministri Rama pranoi sot dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, zotit Nasip Naço, duke e falenderuar atë për kontirbutin e dhënë në ekipin qeverisës.
Më pas Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim konsultativ me bashkëkryetarin e "Aleancës për Shqipërinë Europiane", Ilir Meta, ku kanë vlerësuar punën e ministrit Naço dhe kanë diskutuar për zëvendësimin e tij.
Duke vlerësuar se kandidatura e Ylli Manjanit është më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit, Kryeministri ka diskutuar më pas me zotin Manjani përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar. Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit.
Kryeministri e ka falenderuar Ylli Manjanin për gatishmërinë për të kryer me përgjegjshmëri dhe efikasitet detyrën e lartë dhe ka firmosur propozimin për Presidentin e Republikës që të dekretojë emërimin e tij në krye të dikasterit të drejtësisë.
/f.n/