Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Pekin, për një vizitë zyrtare të tij në Kinë. Radioja e Jashtme e Kinës, njoftoi se kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron atë, u pritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit nga Chen Guo You, zëvendësdrejtori i Evropës në Ministrinë e Jashtme. Gjatë vizitës në Pekin, Rama pritet të drejtojë sesionin mbi ekonominë që titullohet, “Suksesi i një ekonomie të re krijuese”. Sesioni do të mbahet nga Forumi Ekonomik Botëror në Tianjin të Kinës Lindore. Përpara nisjes për në Pekin, kryeministri bëri me dije se janë hapur kanalet e komunikimit mes Shqipërisë dhe Kinës, pasi parashikohen disa projekte për vendin.
“Do të vazhdoj agjendën e parashikuar për të zhvilluar një vizitë në Kinë, ku bashkë me kryeministrin kinez do të diskutojmë mbi disa projekte për Shqipërinë”, deklaroi Rama ditën e djeshme.
Gjithashtu mësohet se pjesë e agjendës së Ramës do të jetë mbajtja e një leksioni për studentët dhe akademikët e Universitetit të Financës dhe Ekonomisë në Tianjin.
Hera e fundit kur kryeministri Rama është takuar me kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, zotin Li Keqiang, është data 26 nëntor 2013, në kuadër të takimit me krerët e qeverive të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës. Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kinës, si edhe prioritetin që qeveria i ka dhënë projekteve rajonale në fushën e transportit, infrastrukturës dhe energjisë.