Avioni i linjës “Air Bosnia” , me të cilin udhëtoi kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionin shqiptar, mbërriti në orën 10:00 në kryeqytetin e Serbisë. Rama u prit në aeroport nga ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç dhe i shoqëruar nga 6 roje sigurie. Ai do të takohet me homologun e tij Aleksandër Vuçiç në orën 11:00, ku pas kësaj, do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 12:15. Por në agjendë, nuk është parashikuar asnjë takim mes Ramës dhe Presidentit Tomisllav Nikoliç.
Ceremonia zyrtare do të jetë në orën 11:00 dhe më pas do të vazhdohet në takimin kokë më kokë mes dy kryeministrave. Ata do të bisedojnë për rreth 20 minuta dhe më pas do të nënshkruajnë disa marrëveshje ndërshtetërore.
Kreu i qeverisë shqiptare la aeroportin “Nënë Tereza” në orën 08:40, për të udhëtuar drejt kryeqytetit serb, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Gjithashtu në avion ndodhen dhe shumë gazetarë shqiptarë.
Në orët e mbrëmjes kryeministri Rama pritet të vizitojë Bashkinë e Beogradit, ku do të takohet me kryebashkiakun Sinisha Mali, me të cilin do të ketë një bisedë joformale.
Ndërsa e marta do të nisë herët për kreun e qeverisë shqiptare, i cili së bashku me delegacionin që e shoqëron do të drejtohet për në Preshevë. Konfirmimi për vizitën në Preshevë, është bërë tashmë dhe nga qeveria serbe.
Rama kokë më kokë me Vuçiç
Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç do mirëpresë sot në Beograd homologun e tij shqiptar, Edi Rama. Kjo është vizita e parë zyrtare e nivelit më të lartë, që një kryeministër shqiptar kryen pas 68 vjetësh, që nga vizita e Enver Hoxhës.
Sipas zyrës së qeverisë serbe për marrëdhëniet me mediat, programi i vizitës parashikon një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave, më pas nënshkrim të marrëveshjeve, të cilat ende nuk janë specifikuar, dhe në fund deklarata për mediet.
Vuçiç dhe Rama ranë dakord më 19 tetor, në një intervistë telefonike, që vizita zyrtare e kryeministrit shqiptar që ishte planifikuar fillimisht për në 22 tetor, të shtyhet për në 10 nëntor. Për shtyrjen e kësaj vizite, u bë shkak një incident në ndeshjen mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë, më 15 shtator në Beograd. Përmes deklaratave, të dy kryeministrat u shprehën të pakënaqur, për incidentin në stadium gjatë ndeshjes.
"Ka mosmarrëveshje të qarta në lidhje me mënyrën se si ka ndodhur incidenti, por ne nuk duhet, dhe nuk do të humbasim mundësinë për t’u takuar dhe punuar për ruajtjen e stabilitetit rajonal", theksuan homologët. "Është koha për të kthyer një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Serbisë dhe Shqipërisë”, theksojnë kryeministrat.