Rubrika e së dielës, “EstOvest” në Rai3, kushtuar Europës në zgjerim, vendeve fqinje të Italisë dhe marrëdhënieve më ta, u hap me një reportazh për Shqipërinë në ndryshim. Rezultati i zgjedhjeve, thuhet në reportazh, i jep fund një periudhe të gjatë pasigurish dhe tensionesh politike, që e patën kulmin në incidentet e rënda të janarit të vitit 2011, që shkaktuan katër viktima. Lidhja mes dy vendeve përcaktohet me pak fjalë domethënëse, të kryeministrit Edi Rama, i cili e quan Italinë si një fqinj, që jeton në një oborr, dhe shpreh mirënjohjen për të. “Italia është Shqipëria e veshur me ‘Versace’. Ne jemi praktikisht shumë të ngjashëm dhe Shqipëria është Italia e kohës së gjyshërve tuaj. Italia ka bërë, nëpërmjet të gjitha qeverive të saj, detyrën e një fqinji që jeton në një oborr. Ne i jemi shumë mirënjohës Italisë”, është shprehur Edi Rama.
Shqipëria, tanimë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, konsiderohet si një prej partnerëve kryesorë të Italisë. Aq më shumë tani, me projektin e gazsjellësit TAP, që do të sjellë gazin nga Azerbajxhani. Ndërsa në Itali ka ndonjë kundërshtim të mbrojtësve të mjedisit, në intervistën e tij, kryeministri shqiptar deklaron se është i bindur, që gazsjellësi do të realizohet. Reformat e përmendura në intervistë, nga përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, përbëjnë përparësi edhe për qeverinë e Edi Ramës. “Ne duam të bëjmë pjesë në familjen europiane dhe ecja jonë vazhdon. Por, sipas meje, ka qenë, është dhe do të jetë një ecje drejt vetvetes, si europianë që, duhet dhe mundemi të jemi pjesë e kësaj familjeje”, theksoi Rama.