Dy ditë më parë, Kryeministri Rama deklaroi se i kishte kërkuar Ministrisë së Ekonomisë të anullonte tenderin për zonën e lirë ekonomike të Spitallës, për shkak të një thashethemi ku përfshihej vëllai i tij.
"Unë dëgjova një akuzë për një proçes transparent, me proçedurë ndërkombëtare, për zonën ekonomike të Spitallës dhe vetëm për faktin që im vëlla ishte shoqëruar me një shokun e tij që nga emigracioni në Amerikë, që është sipërmarrës dhe është i lidhur me kompaninë që mund të ishte fituese, unë i kërkova ministrit anullimin," deklaroi Kryeministri Rama.
Ndërkohë sot, vendimi i parë i ministres së sapoemëruar të Ekonomisë Milva Ekonomi, ishte anullimi i tenderit për zonën e lirë të Spitallës me një tjetër justifikim. Në letrat drejtuar dy kompanive pjesëmarrëse në tender, shkruhet se:
"dokumentat e dorëzuara nuk përmbushin kushtet e vendosura nga Ministria e Ekonomisë."