Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka shtuar dozat e tensionit pas dhunës dhe incidenteve të ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku valëvitja e një flamuri të Shqipërisë etnike, solli acarimin e tifozëve vendas dhe ndërprerjen e ndeshjes, e vlefshme për eliminatoret e grupit I të Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Pas deklaratës së ashpër të Ministrit të Punëve të Jashtme Ivica Daçiç, i cili i konsideroi incidentet si “provokim politik” të bërë nga shqiptarët, kreu i qeverisë serbe nuk kursen akuzat ndaj shqiptarëve, duke i etiketuar si një “bandë zyrtarësh” ata që ndodheshin në tribunën “VIP” të stadiumit të Beogradit.
“Ata donin të dëmtonin nderin tonë, – ka thënë kryeministri serb. – Ekstremistët shqiptarë fyen qytetarët serbë me atë veprim. Shqiptarët e ardhur në stadium, ishin një bandë zyrtarësh falsë në tribunën “VIP”. Qëllimi ynë ishte ta tregonim Serbinë si një vend tolerant”.
Pastaj Daçiç tregon se ka njoftuar disa orë para ndeshjes BE-në për incidente të mundshme: “Paralajmërova BE-në për incidentet 3 orë para ndeshjes. Shqiptarët u përpoqën të poshtëronin qytetarët tanë. Ngjarja ishte e organizuar nga shqiptarët. Donin të na preknin krenarinë, por ne shpëtuam fytyrën tonë”.
Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç: Provokim politik. Serbia nuk mban përgjegjësi
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i ka dalë në mbrojtje tifozëve të vendit të tij, duke e cilësuar ngjarjen një “provokim politik”.
“Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në një ndeshje futbolli dhe gjithçka ka qenë e parapërgatitur, – u shpreh ish-kryeministri serb për një televizion vendas. – Për mua është një çështje kryesore, se si do të reagojë Bashkimi Evropian dhe UEFA, pasi nëse Serbia do të shpaloste flamurin e Serbisë së Madhe në Tiranë apo Prishtinë, kjo do të ishte një çështje e rendit të ditës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në këtë incident këtu, po thuhet se e ka bërë vëllai i kryeministrit Edi Rama, – aludon Daçiç, – i cili duhej të ishte tek ne si mik. E gjithë kjo ngjarje ka dimensione politike dhe se ky është një provokim politik. Serbia nuk mban asnjë përgjegjësi për ndërprerjen e ndeshjes, – përfundoi Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Ndërkohë, zëdhënësja e baroneshës Kehtrin Ashton, mendon se policia Serbe u tregua profesioniste gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.
Në një deklaratë për mediet, Maja Koçijançic, thekson se është e zhgënjyer për ndërprerjen e ndeshjes. “Policia serbe u tregua profesioniste. Jam e zhgënjyer për ndërprerjen e ndeshjes pasi ngjarjet sportive nuk duhet të ngatërrohen me politikën. Bashkimi Evropian nuk ka lidhje me incidentin”.