Kryeministri Rama ka vendosur në mënyrë arbitrare të fusë edukimin fetar në shkollat publike 9-vjeçare.
Me urdhër të tij, prej disa muajsh Instituti i Zhvillimit Arsimor dhe Ministria e Arsimit kanë filluar punën për hartimin e një programi për mësimin e fesë në shkollat publike dhe të përmbajtjes lëndësore.
Ndërkohë që mes specialistëve që po merren me këtë detyrë ka shumë paqartësi dhe pasiguri, nuk është vendosur nëse mësimi rreth fesë do të jetë një lëndë më vetë apo modul i veçantë në lëndën e edukimit qytetar. Sipas tyre, me shumë gjasa kjo çështje do të vendoset nga Kryeministri në ditët e ardhshme.
Vendimi i Kryeministrit vë në pikëpyetje serioze laicitetin e sistemit arsimor. Ndërkohë, zbatimi i tij krijon një sërë problemesh të mprehta, duke patur parasysh vështirësinë e mësimit të fesë në një vend që njeh zyrtarisht katër besime fetare.
Por Kryeministri duket i patrazuar nga këto ndjeshmëri. Në një koncert të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, ai deklaroi:
Projekti i futjes së mësimit të fesë në shkolla është projekti i rradhës në serinë e një sërë projektesh me fokus tek feja që Kryeministri Rama ka vendosur të ndërmarrë.
Një tjetër projekt është ndërtimi para Piramidës, në qendër të Tiranës, i të ashtuquajturit Parku i Besimit, një sipërfaqe e mbjellë me të gjitha llojet e pemëve dhe bimëve që përmenden në librat fetare, përfshi Biblën, Kuranin dhe Torën. Puna ndërtimore pritet të nisë shtatorin e ardhshëm.
Ndërkohë në Parkun e Liqenit në Tiranë është parashikuar ndërtimi i një shëtitoreje të re, të quajtur Shëtitorja e Besimit.
Që pas ardhjes së tij në pushtet, Kryeministri Rama e shndërroi çështjen e fesë dhe harmonisë fetare të vendit në një nga temat kryesore të diskutimit të tij publik, kryesisht diskursit politik me të huajt.
Pak kohë pasi u bë Kryeministër, Zoti Rama njoftoi publikun se ai ishte rilindur si kristian, ndërkohë që familja e tij ka përkatësi të shumëllojshme fetare, por që nuk i pengon ata të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.
Kryeministri propagandoi dhe përdori për një kohë të gjatë vizitën në Shqipëri, në shtator 2014, të Papa Françeskut dhe, në përgjithësi, figurën dhe thëniet e Papës si frymëzim të tij dhe të mbarë vendit.
Në mënyrë të përsëritur, ai ka shfrytëzuar aktet terroriste në vende të ndryshme të Europës, të ushtruara nën pretekste fetare, për të propaganduar harmoninë fetare të Shqipërisë, duke e shpallur atë si një shembull për t'u marrë nga e gjithë bota.
Në disa raste të tjera ai ka luajtur me anën e kundërt duke paralajmëruar ekstremizmin fetar si një rrezik që i kanoset Shqipërisë dhe Ballkanit nëse ata nuk integrohen në Europë.
Në të gjitha këto përpjekje, Zoti Rama e ka portretizuar apo nënkuptuar veten e tij si përfaqësuesi i kësaj harmonie dhe i shembullit që duhet të marrë bota në këtë drejtim. Ai është përpjekur të sillet si profet i harmonisë fetare duke predikuar kudo vlerat e tolererancës dhe harmoninë fetare.
Kjo qasje e Kryeministrit është parë nga komentatorë të ndryshëm si përdorim i fesë për të mbuluar dështimet e qeverisjes së tij apo si një tjetër abuzim i fesë për forcimin e pushtetit personal.