TIRANË, 6 Nentor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është takuar mesditën e sotme me kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, aleat i mazhorancës qeverisëse.
Në përfundim të këtij takimi, i zhvilluar në ambjentet e Hotel Rogner, kryeparlamentari Meta iu përgjigj interesimit të gazetarëve për takimin e zhvilluar sot më herët me kryeministrin Edi Rama, ku në fokus ishte cështja e projektbuxhetit 2016, që pritet të shkojë për miratim në parlament.
"Buxheti ende nuk është paraqitur si projekt dhe vetëm pasi të paraqitet do të fillojnë diskutimet dhe debatet me grupet e interesit. Në takimin e sotëm ne dëgjuam një ekspoze të përfaqësuesve të qeverisë dhe shkëmbyem mendime. Jemi në vijimësi të procesit dhe me dëshirën që të paraqitet sa më shpejt, në menyre që të kenë kohë komisionet dhe grupet e interesit të shprehin mendimet e tyre. Ka shqetësime që do t'i dëgjojmë dhe në mënyrën më të kulturuar do të përpiqemi t'i reflektojmë maksimalisht, brenda mundësive dhe objektivave makroekonomike. Kjo, pasi është domosdoshmëri të përmirësohet çdo ditë klima ndaj biznesit, ashtu siç është domosdoshmëri të vazhdojë formalizimi i ekonomisë", u shpreh Meta për gazetarët, pas takimit me kreun e PDIU-së, Idrizi.
Idrizi:PDIU kundër burgosjes së biznesit
Ndërsa Shpëtim Idrizi në komentet e tij pas takimit me kreun e Kuvendit tha se në fokus ishin reformat e rëndësishme, ku ai veçoi nevojën absolute që palët të gjejnë konsensusin për reformën në drejtësi, por dhe për procesin e dekriminalizimit, për të cilin ai propozoi që paketes t'i bashkohet dhe dekomunistizimi.
Kryetari i PDIU-së paralajmëroi se do të votojë në Kuvend kundër ndryshimeve në Kodin Penal që penalizojnë biznesin me dënimin me burg, në rastet e moslëshimit të kuponit tatimor.
"PDIU është kundër burgosjes së biznesit. Administrata tatimore ka të drejtë të bëjë vlerësim tatimor mbi deklarimin e biznesit, por në këtë rast barra e provës qëndron mbi administratat fiskale. Ndryshimet në Kodin Penal që kanë të bëjnë me burgosjen e biznesit nuk do të votohen. Sistemi fiskal është sistem vetëdeklarativ dhe barra e provës bie mbi administratën fiskale. Ky ishte një ndër shqetësimet që ngritëm sot në takim, që është një diskutim normal jo vetëm mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, por dhe PDIU-së dhe LSI-së", tha Idrizi. /f.n/