Kryetari i Akademise se Kosoves Te rishkruhet historia shqiptare

Kryetari i Akademise se Kosoves: Te rishkruhet historia shqiptare
“100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe jubileu i 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë edhe një moment për rishqyrtimin e historisë. Me këtë rast ngjarjet dhe personalitetet historike do të interpretoheshin dhe vlerësoheshin nga këndvështrimi objektiv shkencor”, ka thënë kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami, gjatë konferencës dyditore të mbajtur në Prishtinë, “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas”.

Akademikë, historianë e studiues të fushave të ndryshme janë bërë bashkë në Prishtinë në konferencën shkencore për të diskutuar rreth zhvillimeve të ndodhura në Shqipëri dhe Kosovë në këta 100 vjet.

Sipas Islamit, mjerisht, kaloi një shekull dhe shumë çështje dhe zhvillime të kësaj periudhe mbetën pa u ndriçuar shkencërisht në shkallën e nevojshme. “Të tilla janë proceset që i paraprinë aktit madhor të pavarësisë së Shqipërisë, përfshirë kryengritjet e shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera etnike në tërë kompleksitetin e tyre si ngjarje të cilat i hapën rrugë dhe e përshpejtuan pavarësinë e Shqipërisë.

Nuk u ndriçuan sa duhet as proceset, dhuna dhe plojat në trojet e mbetura jashtë Shqipërisë që pasuan pas vitit 1912, sikundër nuk u studiua sa duhet as qëndrimi i fuqive të mëdha ndaj çështjes shqiptare para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë”, citojnë mediat kosovare kreun e ASHAK-ut. Sipas “Koha Ditore”, përveç akademik Hivzi Islamit, kërkesën për rishqyrtimin e historisë shqiptare nuk e ka përmendur në fjalën e tij as kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, e as drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, Jusuf Bajraktari.

Sipas kryeakademikut të Kosovës, këto dy jubile janë gjithashtu një rast që gjakftohtë, pa emocione e patetikë, të nxirren mësime nga pikat e dështimeve dhe qeverisjeve në të dy anët e kufirit dhe të reflektojnë për një qeverisje racionale e produktive dhe perspektivë të sigurt euroatlantike. Jusuf Bajraktari ka fokusuar fjalën e tij më shumë në përfshirjen e Kosovës në procesin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Sipas tij, me gjithë rrethanat dramatike që po zhvilloheshin ato kohë në Kosovë, përfaqësimi i saj dhe roli që luajti Kosova dhe kosovarët në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë pasqyrohet jo vetëm me pjesëmarrje të delegatëve, por në veçanti duhet vlerësuar besnikëria e luftëtarëve kosovarë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama