Më datën 5 shtator 2013, Presidenti Bujar Nishani dekretoi Myzafer Korkutin si kryetar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më parë Korkuti ka qenë zv/kryetar i kësaj Akademie. Ai njihet si arkeolog, studiues, sidomos i periudhës para-historike. Mirëpo siç raporton e përditshmja Dita, rezulton se numri 1 i Akademisë Shqiptare të Shkencave, ka qenë një prej persekutorëve më aktivë të një prej figurave më elitare të vendit, Eqrem Çabejt.
Historia zë fill në prill të vitit 1967, kur ndaj Çabejt nisën fletërrufetë, që i kërkonin atij të bënte autokritikë për mendimet që kishte dhënë sa i takon sidomos çështjeve që ceknin studime ku përfshihej një grup arkeologësh.
Historia e fletërrufeve zgjati thuajse një vit rresht, dhe një vit pas këtij sulmi, Çabej u tërhoq nga jeta aktive në universitet.
Për çështjen e fletërrufeve ka shkruar jo shumë kohë më parë Auron Tare.
Sipas Tares, Korkuti e kishte personal problemin me profesor Çabejn.
“Korkuti botoi për herë të parë shënimet e tij për pikturat shkëmbore të Trenit në 1969 në botimin “Studimet Historike”. Ky botim u prit me interes në atë kohë pasi arkeologu Korkuti pretendonte se zbulimi i tij sillte një risi në historinë e popullatave prehistorike në Ballkan, por ajo që ishte më e rëndësishme, Korkuti mendonte se ky art shkëmbor i përkiste popullsive ilire të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit. Ky mendim, i cili në fakt kishte pak vite që artikulohej nga arkeologu Korkuti, ishte kundërshtuar nga një personalitet i rëndësishëm i studimeve albanologjike si Çabej, i cili mendonte se përfundimet e nxituara të Korkutit me shokë mbi çështjet parailire kishin sfond politik dhe jo shkencor. I sapokthyer nga Kina dhe i frymëzuar nga Revolucioni Kulturor kinez, Myzafer Korkuti atë kohë ishte një prej persekutorëve më të zellshëm të profesorit të nderuar, Eqerem Çabej”, thotë Tare.