Kryqi e shamia ne shkolla ligji i paqarte

Kryqi e shamia ne shkolla, ligji i paqarte
Komisionerja kundër diskriminimit, Irena Baraku, kërkon që ligji për arsimin të jetë më tolerant për simbolet fetare në shkolla: Të rishikohet mundësia e ndryshimeve dhe e përcaktimeve më të qarta në këtë ligj për sa i takon simboleve fetare. Komisionerja kundër diskriminimit, Irena Baraku, ka komentuar dje ligjin për arsimin duke kërkuar që shteti të jetë më tolerant ndaj feve. Duke mos dashur ta përkufizojë të gjithë debatin vetëm tek fakti nëse duhet lejuar apo jo shamia myslimane, Baraku ka kërkuar që të hartohet një listë e qartë e simboleve që përkufizohen si fetare.

Zonja Baraku, MASH është duke kryer një reformë për arsimin parauniversitar. Sa respektohet ligji kundër diskriminimit?

Para një viti është miratuar ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, i cili synon realizimin e zbatimit të parimit të barazisë dhe të mosdiskriminimit dhe garanton nëpërmjet procedurave, por edhe të institucionit, siç është ai i Komisionerit të Mbrojtjes nga çdo sjellje diskriminuese që nxit diskriminimin.

Ky ligj është miratuar në përputhje me të gjitha standardet europiane dhe parashikon mbrojtjen për shkaqe të ndryshme të përcaktuara në një listë joshteruese, në të cilat parashikohen shkaqe të tilla, siç është përkatësia gjinore, përkatësia etnike, mosha etj. Ndër këto, edhe përkatësia fetare. Në fakt, unë e vlerësoj shumë mundësinë që është krijuar nga institucioni, pra Ministria e Arsimit për debatin dhe diskutimet për projektligjin e ri për arsimin parauniversitar dhe në këtë kuadër do të doja të shprehja një sugjerim dhe rekomandim për institucionin në fjalë dhe grupin e punës së këtij ligji, që të rishikonte dhe besoj se do ta marrin parasysh një kërkesë, të rishikohet mundësia e ndryshimeve dhe e përcaktimeve më të qarta në këtë ligj, për sa i takon simboleve fetare.

Unë, në fakt, e vlerësoj debatin për çështjen dhe besoj se ky projektligj duhet të shihet edhe në frymën që sjell.

Ju mendoni se në shkolla duhet të lejohen persona që mbajnë shami ose simbole të tjera si kryqi?

Unë, në fakt, ndoshta edhe për institucionin që përfaqësoj, kam idenë e mosngushtimit të kuotimit të koncepteve dhe mendoj se ligji ka nevojë për një sërë saktësimesh për konceptet. Nga ana tjetër, mendoj se duhet të merret parasysh për opinionin dhe kjo po bëhet, por them se edhe ky ligj për mosdiskriminimet duhet të merret parasysh në momentin e hartimit të një projektligji si ai i arsimit.

E them këtë edhe për faktin se ligji për mbrojtjen e diskriminimit parashikon si institucione me detyrime precize, jo vetëm komisionerin që konsiderohet garant ndaj sjelljes, por edhe institucione të tjera dhe i parashikon ata shprehimisht si Ministria e Arsimit apo Ministria e Punës, Çështjes dhe Shanseve të Barabarta. Në këtë aspekt, detyrimet janë jo vetëm për të mos lejuar sjellje mosdiskriminuese, por të nxisë parimin e barazisë.

Pra, ju jeni pro shamisë?

Nuk do ta barazoja me pro shamisë apo kundër shamisë. Simbolet fetare duhet të përcaktohen mirë se çfarë është simbol fetar në shkollë. Kush do të konsiderohet dhe kjo besoj se është totalisht e qartë aty. Nuk besoj se duhet parë aq ngushtë. Unë vij në një zonë ku ka një bashkëjetesë fetare mes tre komuniteteve dhe historikisht jam rritur. Nuk besoj se duhet parë aq ngushtë.

SHËNIMI

Komisionerja kundër diskriminimit, Irena Baraku, kundërshton projektligjin e qeverisë për sistemin parauniversitar, sipas të cilit ndalohen simbolet fetare. Komisionerja kërkoi një përcaktim më të qartë të simboleve fetare që do të lejohen në ambientet e arsimit.


Baraku: Do të doja të shprehja një sugjerim dhe rekomandim për institucionin e MASH dhe grupin e punës së këtij ligji që të rishikonte dhe besoj se do ta marrin parasysh një kërkesë, të rishikohet mundësia e ndryshimeve dhe e përcaktimeve më të qarta në këtë ligj, për sa i takon simboleve fetare. Në projektligjin për arsimin ndalohet përdorimi i simboleve fetare në institucionet arsimore. Ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore lejohet vetëm në shkollat ku mësohen lëndë fetare.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama