Eqrem Bej Vlora/ Prehja e eshtrave të Eqrem Bej Vlorës në atdhe është fundi i një shtegtimi të gjatë i një prej dashnorëve më të mëdhenj të shqipes, që e bëri kthimin ashtu si në librat që kishte lexuar. Ky moment është një moment reflektimi mbi historinë tonë, mbi personazhe dhe figura që koha i ka mbështjellë me heshtje dhe që zgjimi i tyre nuk është vetëm një rivlerësim për kontributin e tyre të çmuar, por dhe një vlerësim ndaj historisë sonë.
Ndërsa Roma shtrihej përtej dritares, si një tablo e vjetër klasicizmi, Eqrem Bej Vlora vijonte të hidhte në letër jetën e tij. Dukej sikur afërsia gjeografike me Shqipërinë, ia sillte në tryezën e punës vendin, duke i ndjerë kujtimet më afër. Ishte viti 1963 dhe ky aristokrat i vjetër shqiptar, tashmë në ekzil kishte nisur të shkruante një libër me kujtime. Nuk kishte asgjë përveç kujtimeve, të një jete të mbushur plot ngjarje. Jeta e tij ishte dhe historia e Shqipërisë në ecejaket e saj të mundimshme drejt pavarësisë, e një kaste borgjezie fati i të cilës ishte më i trishti në Europën Juglindore. Në mendjen e tij, tashmë 78 vjeç ishte gjithë tabloja e historisë së një vendi, që qe gjithnjë në qendër të kaosit dhe interesave të fqinjëve dhe ku lobingjet në kancelaritë europiane kishin mbetur të panjohura pas vendosjes së komunizmit. Gjithë koleksioni me histori të shkurtra që kishte shkruar në periudhën 1912-1936, dorëshkrimi i vyer i të atit, humbën në dhjetor të vitit 1844 kur komunistët i konfiskuan bibliotekën në Vlorë. Një bibliotekë e cila tashmë gjendet e shpërndarë në bibliotekat shtetërore dhe vetëm një punë titanike do të nxirrte prej saj një tablo të kohës. Por, edhe pa këto dorëshkrime, Eqrem Bej Vlora, ishte i bindur ta çonte deri në fund punën e nisur. Si njeri i letrave dhe një pasionant i madh i librave, ai e dinte se kujtimet, pavarësisht kontestimeve që mund të hasnin për mënyrën sesi ai kishte përshkruar personazhe të rëndësishëm të asaj periudhe, mes të cilëve dhe Ismail Qemalin, do të mbeteshin një dritare përmes së cilëve historianët do të mbështeteshin kur të shkruanin historinë e kësaj periudhe. Ishte vetëm. Malli për të bijat dhe bashkëshorten, që kishin mbetur në qytetin që lagej nga deti, sikur e grishnin të vazhdonte të shkruante. Dhe sikur këto kujtime të mos vlenin për asgjë, ato do të vlenin për tri gratë e dashura të jetës së tij, të cilët do të njihnin jetën e atit dhe bashkëshortit pas ndarjes së dhembshme që u bëri komunizmi.
“Gjatë gjithë jetës më ka shoqëruar një frikë e pashpjegueshme, një brengë e brendshme, thuajse një makth. Të ketë qenë frikë? Por unë nuk u jam trembur kurrë as njerëzve, as kafshëve, as sendeve. Kryeneç dhe i mbyllur, në të gjitha situatat e vështira të jetës jam futur në kafkullin tim dhe çdo goditje të fatit e kam përballuar jo vetëm pa u trembur, por sidomos edhe pa u emocionuar. E megjithatë, ky makth i pashpjegueshëm më ka përndjekur pareshtur, madje më tepër kur kam qenë i lumtur sesa kur kam qenë fatkeq, deri ditën që, duke humbur idealet dhe pasuritë e mia tokësore, më kaloi edhe ky ngushtim i brendshëm i pashpjegueshëm.
Tani jam bërë krejtësisht i qetë dhe shpërfillës, sepse nuk kam më asgjë dhe sepse nuk dëshiroj më asgjë. Të ketë qenë pra ky shqetësim shpirtëror vetëm një parandjenjë e asaj, që do të më pllakoste më vonë? Por më i besueshëm më duket hamendësimi se ai e pasqyronte atë ndryshe nga ajo që përjetova unë në fëmijëri…”, shkruan Eqrem Bej Vlora në fillim të kujtimeve të tij. Tepër i sinqertë, ai pohon se “nuk do të ishte asnjëherë i lumtur”. Pakkush mund ta besonte se burri që duket i veshur me aq kujdes në fotot që ka lënë pas dhe që kalonte kohën në ambientet e njohura vjeneze, shoqërohej nga baronesha “nuk e kishte hapur më zemrën”. Në mendjen e tij deri në fund të jetës kujtimet e çonin në rrugën e Skelës në Vlorë, ku në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë rrethuar me mure të larta tetë metrosh dhe me dy porta në të, kishte qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe, me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Kurse populli këtë kompleks e quante thjesht “sarajet e beut”. Në këtë hapësirë, më 1 dhjetor të vitit 1885 do të lindte Eqrem Bej Vlora i biri i Syrja Bej Vlorës dhe Mihri Hanëm Toptanit.
Ashtu si nëna i thoshte shpesh ai “kishte lindur më këmishë”. “Kjo besëtytni popullore më ka sjellë vërtet fat në jetë, por i lumtur nuk kam qenë kurrë”, shkruan ai. Çlirimi prej sundimit otoman do të sillte shumë ëndrra për të rinjtë shqiptarë të shkolluar në Europë, një prej të cilëve ishte dhe Eqrem Bej Vlora i cili udhëtoi drejt Shqipërisë në vitin historik 1912. “Unë i shijova plotësisht kënaqësitë, por edhe hidhërimet e shumta që na solli ky sukses i papritur, por jam gjithashtu i bindur se, hiq qëndrimin tim të përkohshëm, sa vullnetar aq edhe të detyruar në Shqipërinë e lirë të viteve të para nuk do të kisha jetuar dot gjatë atje. Fërkimet e të gjitha llojit, mungesa e rendit dhe intrigat e keqkuptimet edhe për gjërat më të thjeshta ishin për Shqipërinë e asaj kohe dukuri bashkëshoqëruese normale për çdo këmbim mendimesh dhe për çdo veprimtari. Ato ishin pasojë e papjekurisë shpirtërore e shoqërore ekonomike dhe politike të vendit, por në radhë të parë i zvetënimit moral të shtresave të larta dhe të mesme që me kërkesat dhe mëtimet e tyre të pathemelta ia rënduan aq shumë jetën shtetit të ri sa vështirë që ai do të rritej dhe do të zhvillohej i shëndetshëm”, shkruan Bej Vlora. Kujtimet e tij, janë pasqyra më e detajuar që i bëhet Shqipërisë pas kohës së perandorisë turke. Pjesë e punës së tij, ka qenë dhe botimi i studimit në gjermanisht mbi perandorinë otomane në Shqipëri “Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri” të cilën e shkroi me mikeshën e tij baroneshën Amely Von Godin.
Eqrem Bej Vlora ka qenë një vëzhgues i kujdesshëm i kohës, dhe një protagonist i rëndësishëm i saj, jo vetëm në letra, por edhe në diplomaci. Rrëfimi i tij sjell një nga periudhat më interesante në historinë e Shqipërisë, nga shpallja e pavarësisë deri në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore, nga ku Shqipëria do të shkonte drejt izolimit total. “Pas shumë zhgënjimesh, rryma e ngjarjeve më hodhi nga stuhia e Luftës së Dytë Botërore në shtrëngatën e rrëmbimit të pushtetit nga komunistët. Së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë dallgët e saj të harbuara më flakën edhe mua në brigje vendesh të huaja. Filloi atëherë dhe për mua një luftë e re, por tashmë një luftë për mbijetesë. Kjo është një luftë e vështirë, shumë më e vështirë sesa ajo që na u desh të bënim në vendin amtar. Ndonëse një ngushëllim më mbeti: dashuria për vendin.
Ajo nuk humbi, vetëm sa ndryshoi trajtë. Përvoja që kisha fituar në përplasje me realitetin më kishte kushtuar shtrenjtë, forca e qëndresës sime ishte rritur. Unë u zgjova nga ëndërrimet, mbase si vonë dhe zbrita në tokë: u çlirova nga dashuria ime e tepruar, por edhe nga urrejtja tjetërsuese, kundrejt gjithçkaje dështake. Sot unë i kuptoj gjërat më mirë dhe gjykoj më drejt. Tani mbase edhe mund të shkruaj”, shkruan ai. Pavarësisht kujdesit për librin, Eqrem Bej Vlora nuk mundi ta shihte atë të botuar, pasi u nda nga jeta vetëm një vit pasi e kishte përfunduar në Mynhen. Por, falë këtyre kujtimeve pasionante, ne kemi sot një këndvështrim tjetër për atë periudhë të trazuar të Shqipërisë dhe një tablo kaq të detajuar të jetës së një prej familjeve më të mëdha shqiptare. Ish-ministër për Kosovën, Dibrën dhe Plavën e Gucinë, në qeverinë e Mustafa Krujës, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, mik i burrave të njohur si Kemal Ataturk, Eqrem Bej Vlora, është padyshim një prej personazheve më të rëndësishme të historisë sonë. Gati 50 vjet pas vdekjes së tij më 1964 në Vjenë, trupi i tij udhëtoi nga varrezat e Neustift am Walde drejt Kaninës në Vlorë për të gjetur paqen e përjetshme. Me një arkitekturë të Artan Shkrelit, që ka njohur shpirtin e tij fluturak, tashmë zemra e Eqrem Bej Vlorës, pulson me sytë nga deti, atje ku vështrimi nuk ka fund, ashtu si shpirti i tij.
Prehja e eshtrave të Eqrem Bej Vlorës në atdhe, është fundi i një shtegtimi të gjatë i një prej dashnorëve më të mëdhenj të shqipes, që e bëri kthimin ashtu si në librat që kishte lexuar. Ky moment, është një moment reflektimi mbi historinë tonë, mbi personazhe dhe figura që koha i ka mbështjellë me heshtje, dhe që zgjimi i tyre nuk është vetëm një rivlerësim për kontributin e tyre të çmuar, por dhe një vlerësim ndaj historisë sonë.
Marrëdhëniet e tensionuara të Zogut me Kosovën*
Në mars të vitit 1922, kur unë erdha në Tiranë, Zogu ishte përsëri ministër i Brendshëm, por tani shumica e rrymave politike në Parlament dhe në vend ishin kundër tij. Madje dhe klika e tij jepte shenja përçarjeje, duke e akuzuar atë për prirje dhe vetësundim. Për më tepër që ai nuk i kishte përligjur as shpresat e demokratëve për t’i zhvendosur bejlerët. Një ditë të bukur (8 mars 1922) ne u zgjuam nga gjumi me ndijimin e frikshëm se në qytet po kërcasin pushkët. Dhe vërtet nuk zgjati shumë e aty nga mesdita vjen lajmi se në afërsi të Valiasit, çifligut të Abdi Bej Toptanit, një repart i trupave qeveritare, nën komandën e kapiten Meleq Frashërit, ishte sulmuar dhe shpërndarë nga një çetë rebelësh dibranë (500 vetë), të udhëhequr nga Elez Isufi (bajraktar nga Dibra e Madhe). Meleq Frashëri ishte vrarë në këtë përpjekje dhe qyteti, me një garnizon prej njëqind ushtarësh kishte mbetur në mëshirë të rebelëve dhe të kryetarëve të tyre. Po cilët ishin këta kryetarë? Kemi folur për “Lidhjen e Shenjtë”. Themelues të saj ishin atdhetarë të shquar dhe të ndershëm të vjetër e të rinj si Hasan Bej Prishtina, Hoxhë Kadria, Bajram Curri më tej Mustafa Merlika Kruja dhe ish-oficeri agjitatori i Turqve të Rinj, Zija dibra.
Vinin pastaj shumë persona të tjerë privatë, nëpunës dhe deputetë. Dashuria e tyre për atdheun dhe qëllimet e tyre të mira nuk mund të vihen në dyshim. Ata organizuan një grusht shteti në Tiranë dhe e kërcënuan kryeministrin e atëhershëm, babaxhan dhe paqësor, Pandeli Vangjelin, për aq kohë deri sa e detyruan të jepte dorëheqjen. Më 7 dhjetor 1921, Hasan Bej Prishtina zë vendin e tij. Kjo mënyrë veprimi për marrjen e qeverisë u përgjigjej koncepteve të Hasan Prishtinës, por nuk gjeti miratimin e duhur as brenda dhe as jashtë vendit. Jo sepse shqiptarët ishin qibarë të mëdhenj, në çështjet juridike dhe konstitucionale, por për arsye se veprime të tilla fshihnin në vetvete rrezikun që ato t’u shërbenin armiqve të Shqipërisë si shkak për të ndërhyrë në punët e saj të brendshme. Një rast i tillë ishte simptomatik e në pranverë të vitit 1920 në Fiume u takuan përfaqësuesit e pakicave kombëtare në Jugosllavinë e sapoformuar. Elementi shqiptar përfaqësohej nga atdhetari i vjetër Beqir Vokshi, i komitetit të kosovarëve në Shkodër. Ndër planet e shumta fantastike të kësaj mbledhjeje, i vetmi që premtonte sukses, ishte një sulm i kosovarëve që banonin në Shqipëri. Pikënisja e sulmit do të ishte Kukësi.
D’Anucio kishte premtuar para dhe armë dhe hollësitë ishin diskutuar me Hasan bej Prishtinën dhe Bajram Currin. Brenda Kosovës, lëvizja do të përqendrohej rreth rebelit Azem Bejtja nga Galica. Dhe me të vërtetë, D’Anuncio dërgoi dy torpediniera me armë dhe material luftarak në Shëngjin, të cilat do të merreshin në dorëzim nga koloneli kosovar Dervish Mitrovica. Vetëkuptohet që një aksion i tillë do të thoshte luftë midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe kështu do të vihej në lojë ekzistenca e Shqipërisë së rilindur me aq mund e vështirësi në Konferencën e Versajës. Qeveria e atëhershme në Tiranë (Sulejman Delvina) nën trysninë e përfaqësuesve francezë dhe italianë, vendosi t’u jepte fund këtyre përpjekjeve, jo sepse për të ishte i huaj mendimi i çlirimit të kosovarëve, por se ajo e çmonte realisht rrezikun. Ishte edhe kjo kundërti midis mënyrës së veprimit të një qeverie të përgjegjshme dhe të një komiteti revolucionar (pa diskutim atdhetar, por njëherësh dhe aventuresk), që i keqësoi marrëdhëniet e kosovarëve me Ahmet Zogun. Dhe këtu secila palë përpiqej me sa mund ta nxinte tjetrën. Kështu në shumë qytete të Shqipërisë, por kryesisht në Tiranë u inskenuan manifestime protestë kundër Hasan Prishtinës.
Në të shumtën nga përkrahës të Ahmet Zogut. Përballë kësaj trysnie të gjithanshme Hasan beu dha dorëheqje. Këshilli i Regjencës kishte mbetur ndërkohë me dy anëtarë, sepse Aqif Pashë Biçaku dhe peshkop Bumçi që me sa dukej simpatizonin “Lidhjen e Shenjtë”, kishin hequr dorë nga posti…Kjo regjencë e cunguar emëroi një ministri direktoriale të përbërë nga sekretarët e përgjithshëm, e cila për dy javë rresht u përpoq ta drejtonte anijen tepër të rrezikuar të shtetit përmes detit të pasioneve të shfrenuara politike. Në themel të gjithë këtyre zhvillimeve qëndron fundi i fundit, karakteri i shqiptarëve. Ato duhen kërkuar dhe në kërkesat gjithnjë e më të paturpshme të “Lidhjes së Shenjtë”, në ngulmimet e së ashtuquajturës parti popullore demokratike dhe së fundi edhe në rritjen e ndikimit të Ahmet Bej Zogut. Në një pikë të gjitha, grupet dhe partitë bashkoheshin. Sado të ndaheshin e të përçaheshin ato herë pas here, të hidheshin në grupime apo drejtime të tjera, të kalonin nga plani politik në atë personal, të zvetënoheshin në shfaqjen apo vetëveprimtarinë e tyre, ideja themelore mbetej e patundur: të mos lejohej në asnjë mënyrë vendosja e diktaturës së një oligarkie apo një personi.
*Nga Kujtimet e Eqrem Bej Vlorës