Për Prilepcin shumë studiues të kësaj periudhe mendojnë se duhet kërkuar në rrethin e Gjilanit e pikërisht në fshatin Perlepnicë.
Prizreni, Petrizeni me këtë emër e ndeshim për herë të parë në shek.VI në veprën De aedifificiis (mbi ndërtimet) të kronistit dhe historianit bizantin Prokopit. Prizreni në periudhën bizantine është quajtur Prisdriana që përmendet në fillim të shekullit XI. Ky emërtim gjendet në krisobulen e vitit 1019 të perandorit bizantin Vasilisë II arqipeshkvit të Ohrit. Shenime për Prizrenin gjatë shekullit XI ndeshim te kronisti bizantin Joannes Skylitzes Continuatus, nga të dhënat e këtij kronisti ,dihet se Prizranda në vitin 1072 apo 1073 u bë qendër e kryengritjes që ishte drejtuar kundër pushtetit të perandorit Bizantin Mihajli i VII Duka (1071-1078). Në burimet mesjetare emërtimin Prizren e hasim me emërtim të njëjtë si edhe sot. Në burimet Osmane përmendet si Pirzerin, e në të shumen e rasteve si Purzerin. Në bazë të hulumtimeve të Mehmed Myjezinit në mbishkrimet e varresave të Suzi Çelebiut dhe të Nehariut në Prizren, shihet se qyteti është quajtur Zerrin.[2]
Prizreni i sotëm ka një bukuri dhe kalanë që i kanë lakminë shumë qytete në Ballkan. Shtrohet pytja se a është Prizreni i sotëm, Petrizeni në shekullin VI të erës së re, dhe Prizrenci mesjetar?, është vështirë të besohet. Mendoj se studiuesit e cekur më lartë për ubikimin e qytetit të Petrizenit dhe Prizrencit me qytetin e sotëm të Prizrenit, kanë sjellurë shumë pak fakte bindëse për çka me plotë të drejtë mundë të dyshohet.
Tregtarët Raguzan nga Prizreni kërkuan që të emërohej një konsull në këtë qytet. Këshilli i madh me propozim të senatit të datës 18.02.1332 duhej të caktonte pesë kshillëtar, që kishin për detyrë të përcillnin gjendjen tregtare të Raguzës në Prizren. Qeveria Raguzane me 30 tetor të vitit 1330 emron konsuj tre bujarë të vet për rregullimin e çështjes së një dëmi të tregtarëve raguzan në Prizren. Nga kjo kohë çështjet juridike tregtare duhej ti zgjidhte konsulli i përgjithshëm. Me 08.02.1332 u aprovua vendimi për zgjedhjen e një konzulli në Prizren. Me kërkesë të tregtarëve Raguzën në Prizren këshilli i madh aprovoi në prill të vitit 1332 dispozitën e parë mbi konzujt raguzan. Parimet e kësaj dispozite janë pranuar edhe për konsujt e tjerë në Gadishullin Ilirik. Sipas dispozitës në fjalë, qendra e konsullit raguzan ishte Prizreni. Në kohën kur Prizreni pësoi rënje, në aspektin ekonomik primatin e morën qendrat xehtare të Kosovës, konsullatat kaloi në Artanë. Që këtej, këshilli i madh Raguzan solli më 17.12.1387 edhe dispozitën e re mbi konsullatat në Kosovë e më gjerë. Qeveria raguzane, sidomos pas betejës së Kosovës me 16.08.1396 (për shkak të situatës së krijuar në rrethana të reja), mori vendim për emërimin e nga një konsulli dhe gjykatësi për Artanë, Prishtinë dhe rrethet e tyre. Ky vendim i qeverisë raguzane kishte për qëllim të mbronte tregtarët e vet nga sulmet e ndryshme që bëheshin në këto anë.[3]
Dëshmitë xehtare në rrethinën e Artanës, por dhe të dhënat e autorëve të kohës dëshmojnë për një rajon xehetar të zhvilluar në mesjetë dhe më herët. Nga vetë shkrimet e kronistëve të kohës dëshmohet për ekzistimin e një qyteti me emrin Prizrenc në rrethinën e Artanës. Nga kjo kuptohet se primatin ekonomik dhe juridik të Prizrencit në mesjetë, nuk e ka pasur Prizreni i sotëm në periudhën e kohës antike dhe mesjetare, por vëmendja duhet të përqendrohet në hulumtimin e lokalitetit të Prizrencit mesjetar afër Artanës për këto arsye: Besohet se Prizrenci afër Artanës në shekullin XII dhe gjysmën e parë të shekullit XIII kishte një zhvillim të hovshëm në krahasim me qytetet tjera për rreth. Poashtu sukseset e vet Osmanlinjve në lindje, dhe kalimi i tyre në Gadishullin Ilirik, e sidomos pas betejës së Maricës, popullata në rrethinën e Artanës zgjoi interesimin për shkaqe sigurie që të bëjë zhvendosjen dhe përqendrimin e qendrës së konsullatës raguzane nga Prizrenci në Artanë. Të dhënat e terrenit shtyjnë të mendohet për qytetin e Marecit në të cilin ka gjurmë të qytetrimit antik dhe mesjetar dhe kur tani është vertetuar se fillet e qytetërimit të Artanës burojnë nga Gradishta e këtij fshati, shumë afër gjytetit të Marecit. Pas rindërtimit të kështjellës së Artanës dhe katedrales së Artanës në shekullin XIV, kuptohet se qendra administrative dhe kishtare kalojnë në këtë qytet.
Në defterin e gjetur në arkivin e kryeministrisë së Turqisë në vitin 1986, që mendohet se defteri duhet të jetë shkruar në vitet tetëdhjeta të shekullit XV i cili përfshinte arealin e Artanës mesjetare, dhe ka vlera të mëdha për studim të mirëfilltë shkencor. Si dokument arkivor dhe si burim historik na ofron të dhëna për strukturën etnike, onomastike, konfesionale dhe për gjendjen e rrethinës së Artanës në mesjetë, ku vrehen kjartë elemente dhe forma të gjuhës popullore shqipe të përdorura për emërtimin e toponimeve, mikrotoponimeve, që natyrisht pjesa dermuese të kalkuluara dhe të sllavizuara nga administrata dhe kisha sllave gjatë shekujve XIII-XIV.[4]
Edhe në këtë defter në fund të shekullit XV e hasim të regjistruar Petrizanën si katun në rrethinën e Artanës. Nga kjo e dhënë vimë në përfundimin e cekur më lartë se Prizrenci para pushtimit definitive të kalasë së Artanës ishte shkatërruar si qytet (popullata ishte dëbuar) dhe se në fundë të shekullit të XV jetonte një numër i vogël banorësh, që tash Petrizana trajtohej si katun, prandajtë gjitha shkrimet në mesjetën e hershme e deri në shekullin XV, përkatësisht për kalanë Petrizen dhe Prizrencin mesjetar nuk duhet kuptuar se kanë të bëjnë me Prizrenin e sotëm.
Nëse A. Urosheviq dhe arkitekti S. Zdravkoviq nga të dhënat e Ashik pasha Zades janë orientuar që këto dy qytete ti kërkojnë në rrjedhën e Lumit të lakuar (Krivareka) atëherë mendoj se edhe përkundër dëshmive arkeologjike të zbuluara kohëve të fundit në Dardanë edhe pse dëshmojnë gjurmë të periudhës antike, vëmendja duhet të përqendrohet te gjyteti i Gllogovicës dhe gjyteti i Marecit pasi që të dyja këto qytete kala janë në rrjedhën e lumit të lakuar, dhe dëshmojnë tërësinë e një qyteti të madh në lashtësi i cili shtrihej në territorin e sotëm të fshatrave: Marec, Gllogovicë, Krilevë dhe Prapashticë, në largësi prej Artanës prej vetëm rreth 10 km.
Sido që të jetë kjo çështje do studim më të hollësishëm për të arrit deri te rezultatet bindëse për ubikimin dhe rëndësinë e Prizrencit mesjetar afër Artanës.
Poshtë gjytetit të Gllogovicës në anën veri-lindore shtrihet rrafshi i Llapsides vend i shumë takimeve dhe kuvendeve në të kaluarën për banorët e kësaj ane.