Thellë thellë atyre u pëlqen të vetëkonsiderohen nga pak të çmendur, ndryshe nuk do të aspironin të ishin aktorë, regjisorë, muzikantë, piktorë, skulptorë, artistë të ardhshëm. E kanë marrë parasysh këtë kategori “paragjykimi”, si një dozë risku e cila i intrigoi kur zgjodhën t’i shkonin pas pasionit të tyre. Janë fare pa komplekse, ndaj nuk është e vështirë t’u afrohesh e t’i pyesësh. Mes tyre nuk gjen nga ata që do kishin dashur të bëheshin mjek, inxhinierë, ekonomistë apo juristë të ardhshëm. Nuk kanë pasur dilema zgjedhjesh ndaj dhe nuk mbartin pendesa.
E megjithatë u lexohet qartë një hije zhgënjimi e pesimizmi bashkë kur i pyet se çfarë do të bëjnë pasi të diplomohen. “Se di... Ç’të dali...”, - thotë Albana, Andi, Fiona, Gazi, Selda, të gjithë studentë në vitin e katërt për skenografi e pikturë. Paralelisht me studimet ata kanë më shumë se një vit që ndjekin kurse private për përvetësimin e programeve të posaçme kompjuterike në fushën e tyre, si “Photoshop”, “3ds MAX”, “Pagemaker”, “Auto CAD”, “Archi CAD” etj. Nga eksperienca e brezave të mëparshëm kanë mësuar se janë aleatët e vetëm që do t’i ndihmojnë të çajnë në tregun e sotëm të punës.
Në mos në Teatrin Kombëtar, Pallatin e Kulturës apo TVSH, shumë sipërmarrje private kërkojnë vazhdimisht dizajner, faqosës apo arredues. Kjo ndoshta nuk të bën të ndihesh një piktor, skenograf apo kostumograf në karrierë, por ama mbetesh gjithsesi brenda profilit. Siç mbeti Suela dhe Niku, që u diplomuan për pikturë shtatë vjet më parë.
Ata kanë po kaq vjet që nuk kanë prekur penel me dorë. Ajo punon si dizajner reklamash në një kompani private, ka stiluar gjithë etiketat e gazozave e pijeve të saj energjike, ka një rrogë të mirë dhe ka kohë që është familjarizuar me idenë se sikur të bashkëjetonte me bojërat e penelat nuk do të fitonte as sa për të paguar qiranë e shtëpisë. Nikun, pedagogët e shihnin si talent të veçantë në pikturë.
Ai vinte nga një qytet i Shqipërisë së mesme e të kthehej në vendlindje pas diplomimit i dukej absurde. Tani, pas shtatë vitesh ai merret me zbukurimin e ambienteve festive e ngjit letra adezivi nëpër sipërfaqe që me mendje do të donte t’i pikturonte. “Peneli e bojërat më janë kthyer në fobi. Por kjo që bëj më pëlqen, është punë në lëvizje dhe ka brenda plot vend për kreativitet. Ajo që dua të arrij është të hap një agjenci timen dekorimesh, mbase aty mund të shes dhe piktura pastaj”, thotë ai.
Por ndodh që rryma dhe nevoja e ngutshme për të filluar një punë, sidomos kur familja është larg dhe mundësitë janë të pakta, të të degdisë në drejtime që s’kanë asnjë lidhje me ato pasionet bohemiane prej studenti të Akademisë së Arteve. Kështu i ndodhi Nirvanës. Ajo nisi studimet për skulpturë në tetor të vitit 1999. Vinte nga një qytet i largët verior, shoqëruar nga pritshmëritë e një talenti të lindur.
Në ato katër vjet studimesh kujton vetëm momente të bukura, përjashto vështirësitë financiare që krijoheshin kur i duhej të blinte materialet mësimore. Asokohe ajo e shihte veten si bashkëpunëtore në një studio arkitektonike, ku çdo ndërtese në perspektivë t’i puthiste pas fasadës një vepër arti në skulpturë. Ëndërronte të bëhej aq e suksesshme sa kur njerëzit të ecnin bulevardeve të mund të dallonin dorën e saj të lakuar bukur. Sepse “deri atëherë shijet artistike të shqiptarëve do të jenë skalitur mirë, apo jo...”. Në fakt nuk ndodhi asgjë e ngjashme, megjithëse asaj s’i mungonte guximi.
Mundësia më e përafërt ishte punësimi si ndihmëse në një studio qeramike, por pagesa ishte shumë e vogël, e papërfillshme për të jetuar në kryeqytet. Pas një pauze të shkurtër që më shumë se sa për reflektim i vlejti për të rikuperuar durimin, ajo filloi punë si agjente shitjesh në një kompani prodhimi asortimentesh ushqimore.
Që atëherë kanë kaluar gjashtë vjet. Ish studentja e Akademisë së Arteve të Bukura u bë menaxhere shitjesh në kompaninë në fjalë. Ka një rrogë më të mirë dhe më në fund me kursimet ka mundur të blejë një makinë të vogël. Verën e ardhshme ajo do të martohet me një pronar marketi të cilin e njohu gjatë furnizimeve që bënte në punë.
Ndërkaq, ajo që ndodh me Fakultetin e Muzikës është disi më ndryshe. Edhe pse e dinë fort mirë se jo të gjithë, por me kokrra, do të jenë ata që do të kenë fatin të bëjnë karrierë duke interpretuar kryeveprat e muzikës botërore, studentët e Muzikës ndihen më optimistë. Shpesh ata formojnë midis tyre grupe të vogla muzikore dhe qysh pa mbaruar studimet fillojnë të dalin në skenat modeste të lokaleve të kryeqytetit e jo vetëm. Xhovani Dimo është një prej tyre.
Ai është student i vitit të tretë për klarinetë dhe prej afro dy vjetësh ka krijuar bandën “Black Rose” bashkë me katër bashkëmoshatarë të tjerë. Ai ndoqi dëshirën e tij por edhe stimulin e të atit, i cili në rini të vetë kishte studiuar në lice për obojë. “Klarineta është vegël shumë e bukur bab. Po e bëre tënden, do bëhesh i famshëm në tërë zonën e do këndosh nëpër dasma, e do fitosh mirë”. Kështu i kishte thënë i ati kur e shoqëroi për në dyert e Liceut Artistik.
Por, kjo puna e të kënduarit nëpër dasma, qëlloi që Xhovanit të mos i pëlqente dhe aq. Në bandën e “Trëndafilave të Zinj” ai i bie baterisë dhe çdo të shtunë niset drejt Fierit, qytetit të tij të lindjes ku luajnë “live” në një prej restoranteve më të mëdha të qytetit e ku paguhen secili me nga 5 mijë lekë nata. “Nuk është shumë, po nuk është as pak. Bëhet fjalë për një qytet si Fieri, ku jeta e natës nuk krahasohet me Tiranën.
Por edhe këtu kemi pasur plot mundësi. Me bandën ne kemi luajtur në disa prej lokaleve. Unë vetë pastaj jam ftuar edhe në koncerte të vogla që janë organizuar këtu, por edhe Ulqin e Shkup. Ka raste që dhe nga Ansambli i Ushtrisë ftojnë studentë të fakultetit tonë të marrin pjesë në koncerte.
Kam qenë në një të tillë ku luajta në klarinetë”, tregon 22 vjeçari. Por Xhovani, me gjithë keqardhjen që kjo mund t’i shkaktojë profesorit të tij, nuk e sheh klarinetën si instrumentin që do t’i fali sadisfaksionin e muzikantit të ardhshëm. Mundësitë për të performuar me baterinë nëpër lokalet e natës me bandën e tij janë më të mëdha se sa shansi që një ditë të jetë pjesë e bandës së qytetit, Teatrit të Operës, Orkestrës së RTVSH-së, apo Ansamblit të Ushtrisë.
Artet e Bukura, para dhe pas ’90
Para viteve 90’, kërkesat për të studiuar në Fakultetin e Artit skenik kanë qenë tejet të larta. Bërthamën e përbënin ata të rinj të talentuar që e shihnin artin si pasionin e tyre të vetëm dhe pa këtë pasion nuk mund të bënin dot. Këta të rinj idealistë, edhe pse shpesh herë nuk përbënin shumicën, diktonin cilësinë e shkollës dhe i jepnin asaj kuptim e dinamikë.
Por, për një gjë ishin të sigurt të gjithë: Vendi i punës ishte i garantuar. Si aktor apo regjisor në një teatër profesionist, si aktor dhe regjisor në Radio apo Televizion. Si asistent regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re. Të mos harrojmë që në Kinostudio erdhën dhe u prodhuan deri në 14 filma në vit.
Pas viteve 90’ kërkesat për të studiuar në Fakultetin e Artit Dramatik kanë ardhur duke rënë dhe duket se edhe statusi social ekonomik dhe kulturor i artistit të teatrit ka ndryshuar. Lind pyetja, pse? Çfarë është përmbysur bashkë me përmbysjen e sistemeve që ka ndikuar kaq në mënyrë drastike në dinamikën e zhvillimit të Artit Skenik? Përgjigjja e parë që të vjen në është se raporti midis idealizmit dhe pragmatizmit në vendimmarrjen personale për të zgjedhur të ardhmen ka ndryshuar në favor të këtij të fundit.