Kualifikimi i kombetares Rama Shqiperia arriti te ngihet ne momente mjaft te veshtira

Suksesi historik i kombëtares, Kryeministri Rama, De Biasi, Cana, të ftuar në "Procesin Sportiv"

1444686530rama2TIRANË, 12 Tetor/ATSH/ -Kryeministri Edi Rama, trajneri i kombëtares Gianni De Biasi dhe kapiteni Lorik Cana folën mbremjen e se henes te ftuar ne "Procesin Sportiv" ne Top Channel, për suksesin e Kombëtares që kualifikohet për herë të parë në Europian 2015.

Kryeministri tregoi projektin e stadiumit të ri "Arenës së Kombëtares", bisedat me lojtarët dhe si po e bind De Biasi-n të qëndrojë në Shqipëri, aspiratat e një vendi të vogël drejt ëndrrës së madhe. Kapiteni dhe trajneri treguan gjithashtu emocionet e tyre pas një kualifikimi historik.

Kryeministri e nisi me suksesin në Armeni, për të cilin tha se kombëtarja gjendej në një situatë të vështirë pas humbjes me Serbinë dhe u bëri një ngritje, e cila do të ishte e vështirë edhe për kombëtare të mëdha dhe me përvojë.

"Kombëtarja arriti të ngrihet në momente mjaft të vështira, pas një humbje me Serbinë që ishte e rëndë. Ekipe shumë më të forta dhe me përvojë do ta kishin të vështirë të ngriheshin pas atij momenti", tha Rama.

Më pas, Kryeministri u pyet për tensionin e madh të krijuar para ndeshjes me Serbinë. Ai tha e gjitha kjo ka ardhur si pasojë e asaj që ndodhi në Beograd.

"Pati një presion të madh në Federatën e Futbollit nga UEFA dhe nga të gjitha organizmat e tjerë për të garantuar që ndeshja të mos ishte një përsëritje e asaj që ndodhi në Serbi. Nuk duhej të cenohej ndeshja, pasi cenohej kombëtarja. Përfytyroni nëse do të kishte ndodhur vetëm diçka e vogël...Një gur u hodh nga një adoleshent dhe u krijua gjithë ai tension. Nga sa mbaj mend unë nuk ka pasur ndonjëherë spektakël më të madh tifozërie se në atë ditë", tha Kryeministri.

Rama tha se nuk është e vërtetë se tifozëria u pengua në atë ditë dhe se nuk pati ekzagjerime nga ana e policisë. "Ju siguroj se masat e marra në atë ndeshje janë normale në të tilla takime. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj momenti për t'i bërë qefin dikujt, përveçse të ruanim imazhin në atë takim. E kishin të qartë se fusha nuk duhet të ngatërrohej me ato që ndodhin në shkallët e stadiumit. Tensioni ishte aq i madh sa të gjitha vendet e botës folën për këtë ndeshje. Por në fund të saj të gjithë folën pozitivisht", shtoi Kryeministri.

Trajneri De Biasi u pyet për pësimin e golave në minutat e fundit me Serbinë. Ai u shpreh se ekipi duhet të kishte qenë më i kujdesshëm në fazën mbrojtëse.

"Nëse do të kishim qenë më të zgjuar do të mund t'i ndalnim golat. Këtë duhet ta bënim në mënyrë më inteligjente", tha trajneri italian i kombëtares sonë.

Ndërsa për pësimin e golave në fund me Serbinë foli edhe kapiteni Cana, i cili tha se ato dy gola nuk kanë lidhje me të shkuarën tonë kur pësonin gola në fundin e takimit, pasi sipas tij, atëherë ishin të ngjeshur të gjithë mbrapa, nëse në këtë rast lojtarët ishin hedhur në sulm për të shënuar dhe u kapëm pa përgatitur në mbrojtje.

I pyetur në lidhje me mos ardhjen e Kryeministrit të Serbisë në takimin e 8 Tetorit në "Elbasan Arena", Kryeministri Rama tha se ardhje e homologut të tij u kalua në një çështje politike. "Pas bisedës së fundit që pata me të i thash që më mirë t'ia linim skenën futbollit dhe kështu ramë dakord", tha Rama.

Për sa i përket fjalëve të hapura për shitje të ndeshjes me Serbinë, kapiteni Cana nuk preferoi të flasë për këtë gjë.

"Është humbje kohe t'i japësh përgjigje budallenjve. Nuk ja vlen të flasim për to. Le të mendojnë çfarë të duan ata; janë të varfër në shpirt", tha Cana.

/gj.m/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama