Pas izolimit politik, vendi iu kish hequr brezave të artistëve shqiptarë të drejtën dhemundësinë për ta prezantuar veprën e tyre në publik, ndërsa artistët e rinj sot poballafaqojnë realitetin e jetës së tyre me vetëbesim duke kërkuar shkëmbim idesh në një nivel ndërkombëtar. Veprat e tyre janë realiste, por vëmendjen e kanë përqendruar drejtpërdrejt tek transformimi në shekullin e njëzet e një të shoqërisë shqiptare.
Kjo ishte "Tirana transfer", me pak fjalë panorama e prezantimit në korrik 2006, në Karlsruhe, Gjermani, i të rinjve të artit vizual që sapo kishin mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, nën drejtimin e pedagogut, Edi Hila. Duke pasur edhe rastin të japë mësim në Akademinë e Arteve, Hila vazhdon të mbetet nga ata artistë që i orienton studentët që të fokusojnë në pikturën e tyre gjendjen e sotme të Shqipërisë. Të njëjtën gjë bën dhe ai vetë në pikturën e tij ku motive janë ndërtesa paradoksale që duken herë si rrënoja e herë si projekte në ndërtim, skena figurative në hapësirat e brendshme ose urbane që kanë karakteristikë shenjat e kësaj kohe. Pra edhe Hila u paraqit në Karlsruhe në linjën e studentëve të tij, me këto kërkime në Tiranën e sotme mbi të cilat u ndërtua dhe projekti "Tirana transfer" si shkëmbim përvojash ndërmjet shkollës së dizajnit në Universitetin e Karlsruhes, ndërmjet studentëve gjermanë të drejtuar nga pedagogu Mischa Kuball, dhe studentëve të Akademisë së Arteve të Tiranës. Gati një vit më pas, duke marrë shkas nga javët e kulturës të "Tetorit gjerman" që po mbahen në Shqipëri, si festë kulturore për të përkujtuar 20 vjet marrëdhënie diplomatike ndërmjet vendit tonë dhe Gjermanisë, të dy akademitë prezantohen sonte në një ekspozitë të përbashkët në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në orën 18.00.
Realiteti individual dhe urban i Tiranës është sërish në fokus të ekspozitës që është kuruar nga pedagogët Edi Hila dhe Mischa Kuball. Studentët shqiptarë të Akademisë së Arteve dhe studentët gjermanë të Shkollës së Artit-Karlsruhe, mes dhe tyre dhe të rinj që kanë nisur të angazhohen në aktivitet e mëdha të arteve vizuale, paraqesin punë në pikturë, fotografi, instalacion dhe video-art. Është ndoshta hera e parë që akademia jonë e arteve vendos një bashkëpunim si ky me akademitë e huaja të artit që mbështet në projekte afatgjata.
Në ekspozitë marrin pjesë edhe pedagogë, Hila dhe Kuball, profesor arti dhe artist i njohur bashkëkohor, sidomos i instalacioneve që luajnë me efektet e dritës.
Artistët e rinj dhe punët e tyre janë: Alexandra Neuss - "Coca Cola" (foto), Manfred Reniner - "Jeta homoseksuale e padukshme në Shqipëri", (mix-media), Achim Nauman - "Turist-Akropolis /Skënderbeg", video; Adela Demetja (foto), Irgin Sena (video), Nikolin Bujari (video", Dritan Hysenaj (video).
Ekspozita që përurohet sot dhe mbyllet më 18 tetor, dhe i gjithë ky bashkëpunim njëvjeçar ndërmjet Karlsruhes dhe Tiranës, janë në kuadër të projektit gjerman Crosskick, Universiteti Evropian i Artit.
Jeta homoseksuale e padukshme në Shqipëri
Puna e Manfred Rennerit, student në Departamentin e Media Artit në HFG-Karlsruhe,trajton komunitetin e homoseksualeve. Në fokus të saj është "intoleranca dogmatike" e botës perëndimore kundrejt jetës homoseksuale në publik. Renneri fotografoi një
homoseksual në hapësira publike të Tiranës dhe i eliminoi në mënyre dixhitale nga fotografia me qëllim që të sillte për diskutim intolerancën ndaj këtij grupi të margjinalizuar në Shqipëri. Veç kësaj, në punën (mix media) e tij gjen edhe disa intervista me të rinj homoseksualë rreth jetës së tyre.
Turist - Akropolis/Skënderbe
Achim Naumann d'Alnoncourt është student i Departamentit të Skenografisë në HFG-Karlsruhe. Ai prezantohet sot në GKA me "Tourist - Akropolis/Skënderbe" ka në fokus imazhet e vendeve dhe imazhet mendore - realitetin që marrin me vete nga Greqia dhe Shqipëria turistët. Janë dy video të sinkronizuara. E para një imazh që shfaq Akropolin në Athinë e filmuar nga një turist. E dyta shfaq "Sheshin Skënderbe", filmuar nga Naumann në referencë me filmimin e Akropolit. Të dy këto imazhe ndjekin të njëjtën lëvizje, por vende kulturore të ndryshme të një rëndësie të lartë.
Marre nga : Gazeta Shekulli