Kufijte e artit dhe realiteti

Kufijtë e artit dhe realiteti
“Darka” e Kadaresë nuk ka ndodhur

Gjirokastër – A mund të akuzohet një shkrimtar për deformim të së vërtetë për ngjarje dhe njerëz realë prej të cilëve ka marrë shkas të ngrihet me fantazinë në një fluturim të lartë në qiell dhe të thellë në kohë?

Në një gjoja qorrsokak të tillë është përfshirë Ismail Kadare me romanin e tij më të fundit ku shpaloset një fantazi e begatë e ushqyer nga një histori me gjasë në vendlindjen e tij, Gjirokastër. Kirurgu i mirënjohur Vasil Laboviti është personazhi kryesor i romanit në fjalë. “Darka e gabuar” i paraqitur vetëm pak ditë më parë në Gjirokastër nga vetë shkrimtari ka në qendër të subjektit një histori të vjetër, të ndodhur në fillimin e muajit shtator të vitit të largët 1943.

“Darka e gabuar” ka të bëjë me një ngjarje reale, disi të çuditshme, të cilën një pjesë e mirë e gjirokastritëve që duhet ta mbajnë mend. Bëhet fjalë për një ngjarje në vjeshtën e viti 1943, kur Gjirokastra u pushtua nga gjermanët dhe të gjithë prisnin me ankth hakmarrjen për një sulm që u ishte bërë në xhade.

Por, çuditërish gjermanët, komandanti i tyre atë natë u prit nga kirugu më I njohur I gjithë jugut dhe një ndër më të njohurit në vend, Vasil Laboviti, shtëpia e të cilit ndodhej pranë times dhe unë në atë kohë kam qenë 7 vjeç. Një darkë kjo, e cila u hetua dhe u gjykua për një kohë të gjatë në forma të ndryshme, por mençuria gjirokastrite nuk e gjykoi asnjëherë doctor Labovitin.

Në fakt në atë darkë ai u shpëtoi jetën 80 robërve. Këtë darkë, njëkohësisht të habitshme dhe mikpritëse, unë e kam shfrytëzuar për pjesën e parë, dnësra në pjesën e dytë zënë vend edhe imagjinata dhe mendimet e mia”. Kjo ka qenë me pak fjalë përmbledhja e romanit nga Kadare në takimin me bashkëqytetarët e tij.

Por, trashëgimtarët e kirurgut të famshëm kundërshtojnë faktin se në mbrëmjen e datës 9 apo 10 shtator të vitit 1943, Vasil Laboviti ka pritur për darkë një komandant gjerman. Nipi i të ashtuquajturit në roman doktor Gurameto, djali i vajzës së tij të vetme, Llazi Duka, në emër të familjes, shprehet për “Shekullin” se gjyshi i tij nuk ka pritur asnjë oficer të ushtrisë gjermane. “Dëshiroj të falenderoj zotin Kadare që ka marrë spunto nga veprimtaria e gjyshit tim për këtë roman.

Për këtë ngjarje ekzistojnë disa variante dhe varet se cilën ka zgjedhur shkrimtari. Thuhet se është shtruar një darkë nga gjyshi im për komandantin e gjermanëve për të bërë një kompromis për lirimin e 80 pengjeve. Për mendimin tim, edhe kështu ngjarja është pozitive, pasi në kohë konfliktesh të mëdha, ka edhe kompromise të mëdha.

Por ngjarja e vërtetë është se doktor Laboviti jo që nuk priti ndonjë komandant gjerman në shtëpinë e tij, por ishte midis rreth 300 të arrestuarve, të rreshtuar në sheshin “Çerçiz Topulli” dhe falë aftësive të tij komunikuese në gjuhën gjermane hyri në kontakt dhe i sqaroi se ishte një popullsi paqësore.

Rrjedhimisht, meqë ngjarja e vërtetë është kjo dhe ajo tjetra nuk ka sesi të ketë patur hetime dhe mençuri e vërtetë e popullit gjirokastrit në këtë rast është vlerësimi që I bëri figurës së doctor Vasil Labovitit. Gjatë luftës ka mjekuar në të njëjtën dhomë kur ishte drejtor spitali, edhe gjermanë edhe partizanë të plagosur dhe e ka justifikuar praninë e partizanëve me ritin e gjakmarrjes në Shqipëri.

E ftojmë që në ardhjen e radhës në Gjirokastër të vijë për një vizitë në shtëpinë tonë, meqë kanë qenë fqinj dhe në të njëjtën klasë me nënën time, sigurisht jo për të përsëritur darkën e gabuar”, ka theksuar Llazi Duka.

“Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Ddoktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schëabe, mbajtës i Kruqit të Thyer. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazitë në qytetin e jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës, dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit, emri i vërtetë i të cili është nderuar pas vdekjes me titujt “Medalja e kujtimit” dhe “Medalja e trimërisë” akorduar doktor Labovitit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Po ashtu është edhe “Qytetar nderi” i Gjirokastrës.

Kadare e ka shkruar në verë dimrin 2007-2008 në përfundim të të cilit shënon se dosja e doktor Gurametos, i përndjekur me përdhunë nga ai regjim, u hap përsëri në pranverën e vitit 2007 kur Bashkimi Europian i kërkoi Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit.


Gazeta: Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama