Kujdes!

Kujdes!
Është burimi njerëzor më i pakët dhe më me vlerë, sidomos sot, në moshën e hutimit. Ndërprerjet ia humbasin vlerën. Kujdesi na ndihmon të zgjedhim gjëra të rëndësishme, prandaj duhet ushtruar që në fëmijëri. Deri para 15 vjetësh tringëllonte vetëm telefoni, që ishte mbi një tavolinë ose mur, në shtëpi ose zyrë. Pastaj u shpik celulari dhe zilja filloi të ishte e pranishme në restorante, supermarkete, kinema, shkollë. Më vonë filluan të qarkullonin “smartphone”-t: tani nuk do të kishte më vetëm telefonata, por edhe mesazhe, foto, e-mail (personale dhe të punës), video, rrjete sociale, si dhe lajmërime takimesh pune të regjistruara në axhendë ose kalendar. Sot, himnet ndërkombëtare, këngët popullore, dridhjet ose zilet janë tingujt që tërheqin vëmendjen për informacionet që janë duke ardhur.

Kujdesi sipërfaqësor

Jemi gjithnjë e më të bombarduar nga informacionet, por njëkohësisht vazhdojnë të rriten diagnozat e “hutimit patologjik”, te fëmijët ose humbja e aftësisë për të fiksuar të rriturit, gjë që shpesh lind nga kujdesi sipërfaqësor. Për të fituar përqendrimin e humbur, njerëzit janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë, përfshi këtu edhe marrjen e ilaçeve. Sot gjithçka mbizotërohet nga hutimi. Ky i fundit shkaktohet nga informacionet e shumta. Por çfarë është përqendrimi? A mund të ushtrohet? Në ç’moshë fillojnë ushtrimet? Sa të kujdesshëm jemi ne si individë? Si mund të mbrohemi nga çorientimi?

Zhurma të papritura, burime drite, aroma ose parfume, të gjitha na tërheqin vëmendjen. Gjithçka që ngacmon papritur shqisat tona, tërheq vëmendjen e quajtur “automatike”. Por cila është arsyeja? Kjo tërheqje e vëmendjes sjell një lajm të mirë apo të keq? Për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim ose kënaqje, ndërpritet puna që po kryhej në atë moment, verifikohet situata që na tërhoqi vëmendjen, për të filluar më pas aty ku u ndërpre filli. Duket sikur janë ndërprerje pa pasoja, por nuk është kështu. Teknologjitë e reja janë burimi kryesor i hutimit dhe logjikisht kjo ka një kosto, madje edhe ekonomike. “Basex”, një kompani kërkimesh për teknologjitë e reja dhe shkëmbimin e informacioneve në formatin dixhital (i ashtuquajturi “information technology”) ka studiuar 1000 subjekte, nga menaxherët e mëdhenj deri te punëtorët e thjeshtë, duke vërtetuar se copëzimi, ose ndarja dhe tërheqja e vazhdueshme e vëmendjes, harxhojnë më shumë se dy orë punë në ditë, ose 28% të ditës së punës. Me një kosto mesatare prej 21 dollarësh këto hutime ose shpërqendrime, i kanë shkaktuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës një humbje vjetore prej 588 miliardë dollarësh. Për të shmangur këtë gjë, ka nga ata që nuk ngurrojnë të ndreqin gabimet e tyre. Leo Babauta, bloger profesionist, në “eBook”-un e tij, i mëson të rinjtë si të përqendrohen dhe u jep këshilla të vlefshme si të jenë produktivë. Sipas tij, dy orë në ditë mjaftojnë për të lundruar në internet, por edhe për të hapur dy-tri herë postën elektronike.

Ju duket e tepruar? Nuk është aspak. Në disa kompani amerikane për të shmangur ndërprerjet e kota të punës, po përhapet përdorimi i beretave të gjelbra ose të kuqe: e gjelbra përdoret kur ka ndërprerje të kota në punë, ndërsa e kuqja kur punonjësit ndiejnë mërzitje.

Shpërqendruesit

Në vitin 1971 (atëherë interneti ishte ende një embrion) Herbert Simon, fituesi i çmimit “Nobel” për ekonominë më 1978-n, kishte shpjeguar të gjitha vështirësitë për shkak të prurjes së madhe të informacionit. “Informacioni konsumon vëmendjen e marrësve të tij. Bollëku i informacionit krijon shpërqendrim dhe për të mos shpërdorur këtë të fundit duhet të përzgjedhësh mes bollëkut”. Më pas, vite të tëra studime, kanë treguar se kujdesi është burimi ynë më i pakët dhe më me vlerë. Mihaly Csikszentmihalyi, psikolog i universitetit “Graduate” në Claremont, Kaliforni, ka llogaritur se truri ynë mund të përpunojë vetëm 110 bit informacione në sekondë. Çfarë do të thotë kjo? “Për të bërë një bisedë normale përdoren 60 bit në sekondë. Ja përse nuk mund të bëhen dy biseda njëkohësisht”, shpjegon psikologu. Kjo është edhe arsyeja që kur jemi të përqendruar në diçka, na shpëtojnë gjërat e tjera. Një gjë e tillë është vërtetuar edhe nga “eksperimenti i gorillës”, ku në një ndeshje basketbolli, gjysma e spektatorëve ishin urdhëruar të mbanin shënim rezultatin dhe kur gorilla hyri në fushë dhe doli, ata nuk e vunë re aspak.

Kur gjërat përfundojnë mirë

Është logjike që nuk mund t’u kushtosh vëmendje të gjitha gjërave. Një njeri është i aftë të përpunojë 173 miliardë bit në ditë, duke filluar që me larjen e dhëmbëve tek e ngrëna, përgjigjja e mesazheve dhe shmangia e aksidenteve kur po nget makinën. Me fjalë të tjera: 288 mijë bit në orë janë vërtet pak dhe nëse jeni vërtet të përqendruar te një çështje që kërkon shumë angazhim, nuk ndjeni as uri, as etje dhe as nevojën për të dalë jashtë.

Efikasitet i tepërt

Kujdesi, ose vëmendja, nevojiten pikërisht për këtë gjë: për të injoruar çdo lloj zhurme. “Vëmendja na nevojitet për të përzgjedhur. Kemi nevojë për vëmendje, sepse sistemi ynë ndijor është shumë efikas”, shpjegon një studiues amerikan. Një bakteri i duhet thjesht të dijë se ku është ushqimi, por njeriu merr shumë informacione dhe është e pamundur që t’i përpunojë të gjitha. “Vëmendja automatike është filtri që përzgjedh informacionet më të rëndësishme”, vazhdon më tej studiuesi. Një shembull është fenomeni i verbërisë që ngacmon subjektin në fjalë kur hyn në një galeri. “I verbëri del nga errësira, pastaj përqendrohet te ngjarja e pazakontë. Errësira zhduket, ai përshtatet dhe fillon sërish të shikojë. Ndryshe nga kjo vëmendja është diçka krejt tjetër: nuk e ndjen sipërfaqen mbi të cilën ulesh, por një mizë që të vjen rreth e rrotull e të bezdis, sigurisht që nuk të shpëton pa e parë”.

Vëmendja e vullnetshme

Ekziston edhe një formë tjetër vëmendjeje, që e quajmë të vullnetshme. Është ajo kur ne kthejmë me vetëdije faqen e librit. Një studiues tjetër nga Universiteti i Uashingtonit ka treguar se kjo lloj vëmendjeje aktivizon koren parafrontale, të njëjtën zonë që përfshihet në gjestet e vullnetshme dhe ul aktivitetin në zona të tjera. Ky aktivizim i aftë për të drejtuar trurin në drejtimin e dëshiruar, e shndërron gjitarin në homo sapiens, sepse mund të përjashtojë vëmendjen automatike. “Kemi bërë disa eksperimente me fëmijët që luajnë futboll”, thotë një psikologe nga Universiteti i Nju Jorkut. “Prindërit pas krahëve të tyre bërtasin, por fëmijët nuk dëgjojnë asgjë: në ndeshje ekziston vetëm fusha”.

Ushtrimi

Vëmendja, ashtu si muskujt, mund të ushtrohet. “Ka detyra që zhvillojnë sistemin e vëmendjes”, thotë psikologia. “Të lexosh, të mësosh t’i biesh një vegle muzikore, të ndërtosh një pazëll, apo të formosh figura me kuba, është një mënyrë për të ushtruar vëmendjen e vullnetshme. Në fillim përqendrimi nuk do të zgjasë shumë dhe sërish hutimi do të mbizotërojë. Por nëse ushtrimet “shoqërohen” me një atmosferë pozitive dhe të dobishme, do të mësoheni që të mos shpërqendroheni edhe në situata të mërzitshme”. Në moshë të rritur përqendrimi mund të zhvillohet me ndihmën e meditimit, gjë që na ndihmon të kapin edhe momentet që na shpëtojnë. Richard Davidson, nga Universiteti Uiskonsin, në Medison ka treguar se mjaftojnë tre muaj ushtrime përqendrimi medituese për të ulur kohëzgjatjen e “attentional blink”: zbrazëtia perceptuese që të ndalon të shohësh një stimul të dytë të dhënë brenda 500 milisekondave nga stimuli i parë.

Sot njeriu ka më shumë nevojë për vëmendje se sa në të kaluarën. Nëse dikur i duhej të përballej vetëm me gjarpërinjtë dhe luanët, dhe vëmendja automatike bënte një pjesë të madhe të punës, sot bota kërkon shumë përqendrim, si në shkollë ashtu edhe punë. Në fakt, sot më shumë se kurrë do të na ndihmonte rritja e aftësisë së përqendrimit. Megjithatë duke u bazuar te mendimi i shkencëtarëve është e vështirë që të arrihet diçka e tillë. Thuhet se gazetarët, kirurgët, lojtarët e pokerit, studiuesit dhe ushtarët marrin ilaçe për të rritur përqendrimin. Në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë e vërtetë që 31 dhjetorin e vitit të kaluar, një artikull i “New York Times” shkruante se “FDA” (Food and Drug Administration) enti që kontrollon ushqimet dhe ilaçet, sinjalizonte mungesën e këtyre molekulave në treg, për shkak të abuzimeve. Joshua Foer gazetar i “Slate” provoi për disa ditë një prej këtyre ilaçeve. “Ndihesha shumë energjik. Munda në pingpong vëllain tim dhe punoja me orë të tejzgjatura dhe as ndieja lodhje”, tregon ai. Megjithatë e gjithë kjo kishte një çmim.

Kujdes kimik

“Eliminojnë krijimtarinë, të bëjnë të palodhur, të ngurtë, në disa raste shkaktojnë kriza psikotike dhe tri orë pas pirjes, efekti pozitiv zhduket. Ajo që mbetet është pagjumësia, ndjesia e tërbimit në kokë dhe ditën tjetër ndihesh i lodhur, idiot dhe i stresuar”. Foer nuk e përsëriti më eksperimentin, sepse pas gjithë kësaj gjendje, as që ia vlente t’ia merrje mundimin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama