Kujdes Google po na pergjon!

Kujdes, 'Google' po na përgjon!
“Google” na përgjon. Ai ndjek dhe regjistron lëvizjet tona në rrjet. Sheh atë që kërkojmë, atë që lexojmë apo shohim. E di se ku jemi. I njeh interesat tona, madje edhe ato që ne duam t’i mbajmë të fshehura. Kontrollon përmbajtjen dhe destinacionin e e-mail- eve. Ndoshta pak veta e dinë, dikush dyshon dhe pothuajse të gjithë e injorojnë një fakt të tillë, por e vërteta është pikërisht kështu: “Google” na përgjon, pastaj na skedon, duke e ruajtur informacionin që na përket në një bazë të dhënash për rreth një vit e gjysmë.

 Tetë navigues në dhjetë që përdorin internetin përfundojnë në databazën e “Google”-it. Sa më shumë arrin të na njohë, aq më shumë do të jetë efikas informacioni që do të gjejmë në sajtet që vizitojmë. Për gjenitë e marketingut është thjesht “bahaviour advertising”, publicitet i personalizuar. Përkundrazi, mbrojtësit e privatësisë përdorin një tjetër term: profiling, analizimin e të dhënave të përdoruesve. Të dhëna mbledhin të gjithë operatorët më të mëdhenj të uebit, por asnjë nuk e bën në mënyrë të tillë siç e bën gjigandi i “Mountain View”. Mirëpo sa informacion arrin të grumbullojë kolosi i rrjetit?

Duart në rrjet

Sipas një kërkimi të Universitetit kalifornian të Berkley, “Google” (me 23.6 miliardë dollarë xhiro vjetore në 2009-n) është në gjendje të kontrollojë dhe përgjojë lëvizjet e atyre që përdorin internetin në masën 88.4 për qind. Këtë e bën sidomos përmes sajteve kult të tij, si motori i kërkimit, shërbimi i postës elektronike (gmail.com), “Youtube”, “Google Maps”, “Picasa”. Por këtë e bën edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, falë software-ve falas që përdoren nga miliona blogje, administratorë sajtesh apo kompanish, për shembull, “Google Analystics”, aplikacioni që na lejon të shohim “trafikun” e një portali, apo “Adsense”, shërbimi i lajmërimeve publicitare. Rezultati? Baza e të dhënave (databaza) e “Google”-it është më e madhja që mund të ekzistojë sot, por edhe ajo që përmban numrin më të madh të informacioneve për një përdorues të vetëm.

Objektivisht është e vështirë të navigosh pa përfunduar më parë në atë që për shumë njerëz është thjesht një motor kërkimi i shpejtë, intuitiv, me moton siguruese “nuk jam i keq”. Slogani u zgjodh personalisht nga dy themeluesit, ish-studentët e Stanfordit, Sergey Brin dhe Larry Page. “Google Inc” blen shoqëri, rrit shërbimet dhe duket se po na imponohet pak nga pak si sporteli i vetëm i nevojave tona online. Tani është edhe në telefona. Me “Admobile” po pushton sektorin e aplikacioneve publicitare për celularët. “Android”, sistemi i tij operativ që mundëson akses të shpejtë me internetin, përdoret një në tre telefona në SHBA. Por paratë “Google Inc” i bën gjithmonë në të njëjtën mënyrë: duke shitur publicitetin.

Gjithmonë të gjurmuar

E zëmë se navigoni për dhjetë minuta në faqen e internetit të “Repubblica”-s. Lexoni një artikull që flet për Berluskonin, pastaj një lajm për kalimin e Murinjos te Reali i Madridit, pastaj në një faqe për shitjen e makinave, një intervistë të regjisorit James Cameron, pastaj kontrolloni llogarinë tuaj bankare dhe i dërgoni një mesazh mikut tuaj në “Facebook”.

Në një tjetër kompjuter, i pajisur me një kompjuter në gjendje të bëjë “profilin”, mund të shihje çdo lëvizje që është bërë me syrin e “Google”-it. Rezultati? Numri 4344222, identifikues i browser-it (software i navigimit në këtë rast ishte Explorer) ishte i lidhur me emrin dhe mbiemrin tonë, të marrë në momentin e hyrjes sonë në “Facebook”. Pastaj një listë e plotë fjalësh: Berlusconi, Repubblica, e majta, politika, opozita, banka (dhe emri i saj), Inter, Mourinho, Real Madrid, futboll, sport, film, kinema, Avatar, 3D, Cameron, automobil (dhe emri i makinës që ne kishim klikuar më shpesh).

 Të gjitha të klasifikuara sipas rëndësisë. “‘Google’ i personalizon lajmërimet në bazë të interesave tona reale. Ja përse publiciteti nuk është më një telash, por bëhet i domosdoshëm dhe përfitues për ata që e përdorin. Për këtë arsye, një përdorues që navigon zakonisht në sajtet e internetit të makinave, do të gjejë të përhapura kudo lajmërime për shitjen e makinave, madje edhe në portalet që nuk kanë lidhje fare me këtë sektor”, tregon një ekspert i sigurisë së internetit. Kështu, teknikisht “Google” është një fabrikë gjigande publiciteti që ka arritur të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e “tragetit”, atë për të cilën breza të tërë shitësish nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje. Megjithatë, gjithçka në kurriz të privatësisë tonë.

 “Është çmimi që paguajmë për produktet e shtrenjta që ‘Google’ i shpërndan falas. Në fakt, me navigimin ofrojmë të dhëna personale dhe shumë delikate që kanë lidhje, për shembull, me orientimin tonë seksual, shëndetin, besimin, që edhe shërbimet sekrete mund të mos i dinë”. Me pak fjalë jemi të gjithë nën vëzhgim 24 orë në 24.
Mbrojtja

Kompania e “Mountain View”, shoqëria me reputacionin më të mirë në botë sipas revistës amerikane “Forbes”, nuk mendon se e meriton të quhet një “Big Brother” gjigand. “Ne nuk spiunojmë askënd. Është e vërtetë që regjistrojmë navigimin e përdoruesve për të krijuar një përzgjedhje të personalizuar të kategorive të interesit, por gjithçka bëhet në mënyrë anonime. Profilet shoqërohen me një kod numerik, jo me emër dhe mbiemër, siç tregohet në kategorinë “privacy” të sajtit tonë.

Pastaj, nëse ke dëshirë, mund të vendosësh ta çaktivizosh shërbimin me programe që shkarkohen në internet, përmes të cilave mund të bllokosh të dhënat e tua”, tregon Marco Panciri, një ekspert i “Google”-it për sigurinë. Por e gjitha kjo është në duart e përdoruesit, dhe ata që nuk janë ekspertë, do e kenë të vështirë t’i përballojnë eksperimente të tilla. Nga ana tjetër, “Google” nuk kërkon kurrë mendim për mbledhjen e të dhënave. Thjesht e bën dhe kaq. Një tjetër pikë e dobët është siguria për anonimatin. Siç u pa, të zbuloje identitetin e dikujt që gjatë navigimit hyn në postën e tij elektronike apo në “Facebook”, është shumë e thjeshtë. “Kompania jonë përpiqet vazhdimisht që profilet të qëndrojnë anonimë, të ndarë nga account-et e regjistruara. Nuk bëjmë kurrë kryqëzimin e të dhënave”, kujton Pancini. Por lind pyetja: Kush i kontrollon kontrollorët?

Dyshimet

Në internet ka shpërthyer biznesi i “ndjekjes”. Bazat e të dhënave shndërrohen në “mall të çmuar” për ata që veprojnë në sektorë të tillë si, për shembull, publiciteti online që zhvillon një xhiro vjetore prej 23 miliardë dollarësh. Një hetim i “Wall Street Journal” tregon se, duke naviguar në 50 sajtet më popullore në SHBA, e gjen veten me kompjuterin të sulmuar nga 3180 fajle specifikë për “profilin”. Mes tyre “Cookies”, “Flashcookies” dhe “Bacon:, që janë software të padukshëm, në disa raste në gjendje “të stilojnë” moshën, seksin, kodin postar, pagën, gjendjen civile, gjendjen shëndetësore të përdoruesve. Spiunë dixhitalë të përdorur mbi të gjitha nga “Google”, “Microsoft” dhe “Quantcast corporation”, por edhe nga një pafundësi kompanish të vogla që e kanë nuhatur këtë biznes dhe janë specializuar në mbledhjen dhe shitjen e sekreteve tona me një kapacitet prej 50-100 mijë profile.

Një treg ku qarkullojnë miliarda dollarë. Jo rastësisht një raport i “Privacy International” (organizata jofitimprurëse që merret me monitorimin e sulmeve ndaj privatësisë, të bëra prej kompanive dhe qeverisë), në vitin 2007 e vendoste “Google”-in në vendin e parë mes të këqijve të internetit. “Nuk kërkon autorizimin për trajtimin e të dhënave, ka akses ndaj informacioneve personale, si puna, dëshirat, numrat e telefonit. Për më tepër, nuk tregon kurrë se për sa kohë ruhen këto informacione”, shkruhej në raportin e tre viteve më parë, që “Google” nuk e përgënjeshtroi kurrë.

Edhe autoritetet ndërkombëtare po bëhen gjithmonë e më të përgjegjshme për këtë problem. Në SHBA, Komisioni Federal për Tregtinë ka propozuar t’i detyrojë hartuesit e browser-ave të fusin mekanizma bllokimi për të dhënat personale. Të thjeshtë, intuitivë dhe të lehtë për t’u aktivizuar. Në Kanada dhe Australi komisionet parlamentare për privatësinë kanë nisur hetime për “Google”-in. Në Gjermani qeveria po vlerëson nëse duhet apo jo ta bllokojë “Analytics”. Vërtet “Google” i përdor informacionet e përdoruesve vetëm për qëllime promocionale, por ç’mund të ndodhë nëse ato përfundojnë në duar të gabuara?
Lidhje të rrezikshme

“Google is in bed with CIA”, shkroi në vitin 2006 ish-spiuni Robert David Steel, duke alarmuar komunitetin e internetit. Steel sapo kishte braktisur detyrën si rekrutues klandestin për llogari të CIA-s. Akuzoi, madje akuzon edhe sot, se “Google” ndan informacione private me shërbimet sekrete amerikane. Steel jep edhe një emër: Risk Steinheiser, përgjegjës i zyrës së kërkimit dhe zhvillimit te kompania “Google”. Është pikërisht ai njeriu i lidhjes me sekretet. Ky raport “Google”-CIA, sipas asaj që thotë Steele, ka lindur në vitin 1998. “Google” sapo ishte krijuar dhe duke qenë se ishte në vështirësi ekonomike, kishte marrë financime nga CIA. Por shkëmbimet nuk përfundojnë këtu. Në 2004-n Rob Painter, drejtor i repartit të teknologjive INQ-Tel, një komani që zhvillon teknologji për llogari të CIA-s, u bë në një mënyrë të çuditshme menaxher i përgjithshëm i “Google”.

“Na përgjon të gjithëve, pavarësisht reputacionit të mirë që ka marrë opinioni publik. Për fat të keq, nuk do të gjeni asnjë tjetër që të flasë për këtë. Gjithçka që do të gjeni, do të jenë pyetje pa përgjigje”, thotë ai. E në fakt pyetje të çuditshme të vijnë menjëherë ndër mend: Përse “Google” i ka shitur kohët e fundit disa servera CIA-s dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë? Për më tepër, përse u ka dhënë shërbimeve sekrete amerikane “Intellipedia” një software që lejon të administrosh dhe konsultosh përmes internetit një bazë të madhe të dhënash e që përdoret nga spiunët e gjithë botës? Nga “Mountain View” vijnë vetëm përgjigje sipërfaqësore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama